Gjermania parashikon që deri në fund të vitit numri i aplikuesve shqiptarë do të jetë mbi 76 mijë për azil, duke përbërë për nga numri rreth 10% nga totali prej 800 mijë kërkesash. Parashikimi vjen pas përpunimit të të dhënave që janë grumbulluar nga janari deri në fund të korrikut, ku rezultonin të ishin bërë 29.857 kërkesa.
Gjermania ka pranuar 218.221 aplikacione për azil, deri në fund të korrikut. “Ne parashikojmë që 800 mijë njerëz të vijnë në Gjermani si refugjatë ose të kërkojnë azil”, tha ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere. Në përgjithësi, janë bërë 14.832 kërkesa gjatë korrikut, nga shtetasit e Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, pra 39.5 për qind e të gjitha kërkesave për azil të paraqitura në Gjermani. Këto janë të dhënat që ka paraqitur Ministria e Brendshme.
Nga Shqipëria ka pasur 7.633 kërkesa për azil në korrik, ndërsa nga janari numri i përgjithshëm i azilkërkuesve arrin në 29.857 kërkesa. Autoritetet gjermane kanë njoftuar riatdhesime të azilkërkuesve shqiptarë në shtator, duke premtuar që do të sjellin 1600 aplikantë brenda disa javëve të ardhshme.
Për vitin 2015, vetëm 1.310 qytetarë nga Shqipëria kanë fituar statusin e azilantit. Ndërsa nga Kosova kanë marrë përgjigje pozitive 1900 persona. Vetëm qershori shënonte shifrën e rreth gjashtë mijë aplikantëve shqiptarë. Në muajin maj, kërkesat për azil arritën shifrën 4.922. Në muajin prill, shifra e shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Gjermani ka qenë 4.794, ndërsa në muajin mars shifra ka qenë 3.020 kërkesa.
Numri i madh i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit ka të bëjmë me stimulimin financiar që u jep ligji për azilin dhe sistemi social në Gjermani. Autoritetet në Gjermani kanë përgatitur një tabelë 40-ditore, e cila përfshin 11 fluturime çarter për në Tiranë dhe Prishtinë, me qëllim riatdhesimin e shqiptarëve që kërkojnë azil atje, por që janë refuzuar.
Ambasada gjermane ka publikuar datat e fluturimeve çarter dhe tha se të paktën 800 persona nga Shqipëria dhe Kosova do të riatdhesohen nga 20 gushti deri më 30 shtator. Statistikat tregojnë se shqiptarët në Ballkanin Perëndimor përbëjnë për numrin më të madh të azilkërkuesve në Gjermani, duke tejkaluar numrin e sirianëve, të cilët janë në një luftë civile. Ambasada insiston se nuk ka azil ekonomik është dhënë në Gjermani dhe bën apel për njerëzit mos të mashtrohen. “Vetëm ata njerëz, të cilët arrijnë të dëshmojnë se përndiqen në vendin e tyre, kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani. Azili për arsye ekonomike në Gjermani është refuzuar”, lajmëron ambasada.
Burimi: gazeta SHQIP