Shkurtimi i buxhetit, legalizim i evazionit

Ekonomi

oreci ne focus newsPreç ZOGAJ  /  Fakti i rënies në pikiatë të të ardhurave nga Tatimet dhe Doganat, mbi njëqind e pesëdhjetë milionë dollarë në shtatë muaj, e ka shtyrë qeverinë Rama-Meta të ndërmarrë rishikimin e buxhetit për pjesën e mbetur të vitit. Kjo nënkupton shkurtimin e një numri të madh projektesh, si dhe zvogëlimin e hyrjeve në arkën e shtetit, si një masë që do të synojë të përputhë sa të jetë e mundur planin e ulur me të ardhurat faktike, pra, për ta thënë ndryshe, të driblojë dështimin duke ulur stekën, duke i hyrë stekës nga poshtë.

E kam kuptuar logjikën e shkurtimit të shpenzimeve dhe projekteve të buxhetit kur nuk ka para për mbulimin e tyre. Por nuk e kam kuptuar dhe nuk e kuptoj arsyen pse duhet të ulet përgjatë vitit buxhetor plani në fuqi i të ardhurave nga Tatimet, Doganat dhe burimet e tjera. Çfarë problemi ka të mbash deri në fund të vitit të njëjtin plan, i cili, në çdo pikëpamje, i motivon institucionet taksambledhëse më shumë sesa një plan i ulur?

Mendoj se i vetmi problem është propagandistik. Qeveria nuk duron dot të përballet muaj për muaj me diferencën e madhe midis të ardhurave të planifikuara dhe të ardhurave reale; nuk duron dot të tregohet me gisht si qeveri e dështuar në një fushë, ku me logjikën e tyre të ftohtë e të hekurt shifrat nuk lënë hapësirë për demagogji dhe lojëra fjalësh; nuk duron dot akuzat e opozitës, medias së pavarur dhe opinionit publik për kontrabandë dhe korrupsion të nivelit të lartë.

Aq më shumë po të mbajmë parasysh faktin se për shkak të zgjedhjeve vendore, barra fiskale që i është taksur gjashtëmujorit të dytë pa zgjedhje është më e madhe se ajo e gjashtëmujorit të parë me zgjedhje, pra gjasat janë që gropa e mosrealizimeve në muajt në vazhdim do të jetë akoma më e madhe dhe nuk përjashtohet mundësia që deficiti në fund të vitit të shkojë mbi treqind milionë dollarë. Për të shmangur zhurmat dhe turpin në rrafshin propagandistik, rruga më e shkurtër qenka “ul planin, realizo dhe tejkalo planin e ulur dhe ja ku ia hodhe”. Sa lehtë!

Një ulje e tillë mund të kishte justifikim vetëm në kushtet e pamundësisë së provuar të ekonomisë për të dhënë për buxhetin shumën e planifikuar në fillim të vitit, pra në kushtet e një gabimi të dukshëm në planifikim nga ana e qeverisë. Kjo do të kërkonte që Kryeministri Edi Rama të dilte para qytetarëve dhe të deklaronte: “Të dashur qytetarë, e dashur opozitë, e dashur FMN, e dashur Bankë Botërore, i dashur Bashkim Europian! Nga dëshira e mirë për të pasur më shumë investime, shërbime, rritje rrogash, pensionesh, dëmshpërblimesh, e të tjera, planifikuam të ardhura më të larta sesa i mbante kurrizi ekonomisë së vendit; Ju kërkojmë ndjesë për gabimin”.

Edi Rama dhe Ilir Meta do të donin shumë që e vërteta të ishte kështu. Ata nuk do të skuqeshin fare të dilnin e të pranonin një gabim trashanik kësisoj, që nuk u kushton asgjë në sistemin e injorancës që kanë ngritur. Me shprehjen e neveritshme “as ne nuk jemi të pagabueshëm”, që tiranët e çdo kallëpi e kanë krijuar për të amnistuar bëmat e tyre dhe për t’u tallur me viktimat e tyre, ata mund të pranojnë jo një, por dhjetë gabime rresht. Por Rama nuk ka privilegjin ta hedhë lumin duke pranuar një gabim në planifikim.

Nuk e lë realiteti kokëfortë i vendit me taksa nga më të lartat në rajon, sipas FMN-së, por që mbledh më pak se vendet e tjera në raport me prodhimin e brendshëm bruto. Ky vend është Shqipëria e qeverisur prej tij. Shkaku kryesor i deficitit të madh vazhdon të jetë evazioni, informaliteti, kontrabanda, korrupsioni, vjedhja. Nga ana tjetër, tamam si ta ketë vënë me duart e tij varkën e qeverisjes midis dy zjarreve që djegin njëlloj, zoti Rama edhe këtë shkak është i shtrënguar ta pranojë me arra nëpër gojë.

E di se në të katër anët po ngrihen pyetjet retorike të tipit: Cilat ara po ruan prej dy vjetësh, o i vetëshpallur shtetformues, që na e paske katandisur informalitetin e ekonomisë kombëtare deri në pesëdhjetë për qind? Ku kanë shkëlqyer “bletët punëtore” të qeverisë që ke stimuluar?

Sidoqoftë, Kryeministri ka shpallur paraprakisht aksionin kundër evazionit dhe informalitetit. Por pikërisht këtu ka lindur një kontradiktë e madhe, e thjeshtë, elementare.

Në qoftë se e pranojmë se kemi evazion të madh, atëherë nuk është e nevojshme dhe nuk duhet të shkurtohet buxheti, nuk është e nevojshme dhe nuk duhet të ulet plani i të ardhurave. Shkurtimi i buxhetit dhe aksioni kundër evazionit janë në princip dhe praktikisht akte që nuk mund të qëndrojnë bashkë. Ose njëri, ose tjetri. E kupton edhe një fëmijë i shkollës nëntëvjeçare e jo më të mos e kuptojë qeveria. Si është puna, pse kjo kundërthënie kaq flagrante?

Në pamje të parë, të mbash edhe ligjin për uljen e të ardhurave, edhe aksionin kundër evazionit do të thotë të mos besosh se evazioni dhe informaliteti është aq sa thuhet; do të thotë të mendosh me shumë për shoë sesa për punë dhe të mos besosh se nga gjithë kjo zhurmë do të dalë në dritë ndonjë gjë e madhe. Deficiti dhe rënia e të ardhurave do të vazhdojnë të jenë evidente, pavarësisht se në përmasa më të vogla. Vështruar më thellë, të ulësh planin e të hyrave në buxhet në kushtet e evazionit, kontrabandës dhe taksave stratosferike për mundësitë e vendit do të thotë as më shumë e as më pak, por të legalizosh vjedhjen që është bërë deri tani, t’i japësh shtytje, hov dhe frymëzim grabitjes së mëtejshme të parave që duhet të përfundonin në arkën e shtetit. Opozita, kreu i saj Lulzim Basha, FMN dhe madje edhe “Crwon Agent’s”, kanë deklaruar se rënia e të ardhurave në Dogana e Tatime ka si shkak ndër më kryesorët kontrabandën dhe evazionin.

Të bësh ligj për rishikimin e buxhetit dhe uljen e të ardhurave në këto kushte, do të thotë që qeveria dhe deputetët që do të votojnë ligjin t’u japin kontrabandistëve, evazorëve, doganierëve dhe punonjësve të korruptuar të tatim-taksave mesazhin “vidhni pa frikë, tani e keni të hapur rrugën me ligj”.

Si është e mundur që qeveria ka rënë në një kontradiktë kaq elementare dhe nuk është tërhequr menjëherë nga projekti i rishikimit të buxhetit sapo ka marrë në dorë të dhënat e sondazhit të evazionit që prezantoi ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj?

Si është e mundur që qeveria nuk ka menduar t’i rrisë të ardhurat pasi është njohur me këtë sondazh, por vazhdon me avazin e uljes? Të jetë kaq e trashë vallë, sa të mos kuptojë se po jep shfaqjen më spektakolare të absurditetit? Jo. Nuk është e trashë. Por është e kapur, e korruptuar. Nuk godet dot aty ku duhet të godasë, nuk godet dot kontrabandën dhe kontrabandistët e mëdhenj të cigares, naftës, pijeve dhe mallrave të tjera të akcizës. Nuk godet dot evazorët e mëdhenj. Kjo i shpjegon të gjitha.

Kjo botë evazorësh, kontrabandistësh dhe politikanësh të korruptuar është bërë një. Kjo është oligarkia politiko-financiare e luksit dhe superluksit, që ka marrë peng zhvillimin e vendit, zgjedhjet e lira dhe demokracinë. Kjo i merr milionat që mungojnë në arkën e publikut. Të kujtojmë edhe një herë tetëqind tonë cigare të pazhdoganuara në gjashtëmujorin e parë të vitit, me një dëm rreth pesëdhjetë milionë dollarë.

Të kujtojmë kontrabandën e kërdishme me naftën “Virgjinia” dhe evazionin e tmerrshëm në kurriz të shtetit dhe qytetarit përmes naftës së përzier me mazut dhe ujë, që u shitet shqiptarëve më shtrenjtë se në Gjermani dhe Francë. Ky është krimi i stërmadh ekonomik që Rama dhe Meta nuk e kanë luftuar e nuk e luftojnë dot, sepse do të prisnin degën ku rrinë vetë. Ata i kanë shpallur luftë evazionit të vogël. Por paratë në këtë nivel nuk e mbushin dot gropën e stërmadhe të evazorëve të paprekshëm. Këtë e dinë zotërinjtë në fjalë. Ndaj u duhet t’i bëjnë të dyja: edhe të ulin buxhetin, edhe të luftojnë evazionin e vogël. I madhi me këtë rast sigurohet, rehatohet, pasurohet më tej.

Qeveria duhet ta tërheqë projektligjin për rishikimin e buxhetit. Nëse nuk e tërheq, deputetët me një minimum integriteti do të bënin mirë ta hidhnin në kosh një projekt kaq alogjik, të turpshëm dhe me prapavijë të qartë korruptive. Kujt do t’i vlente tejkalimi i planit të ulur dhe mburrjet groteske për këtë, ndërsa ekonomia reale përshpejton fjalën e saj të fundit me ketë qeverisje dhe me mijëra familje që vetëm po ikin nga Shqipëria? Në shoqërinë e hapur, ekonomia qëllon të rrëzohet, por asnjëherë pa qeverinë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Burimi:Panorama