Afganistan: Fshati ku banorët shesin veshkën për të siguruar jetesën ( Video)

Bota

Shenshayba Bazaar, një fshat afgan pranë qytetit të Heratit, është bërë i njohur si “fshati i Afganistanit me një veshkë” për shkak të numrit të madh të banorëve që kanë shitur njërën nga veshkat e tyre për të siguruar bukën e gojës.

Afganistani nuk ishte shumë mirë financiarisht përpara se talibanët të vinin në pushtet vitin e kaluar, por marrja e dhunshme e pushtetit shkaktoi kolaps të ekonomisë së vendit aziatik dhe i la shumë njerëz që të përpiqeshin të vendosnin ushqimin në tryezë për familjet e tyre. Në disa raste, gjërat u përkeqësuan aq shumë sa njerëzit vendosën të shesin një nga veshkat e tyre për të shlyer borxhet e tyre dhe për të blerë ushqim. Një fshat i vogël në provincën e Heratit u bë i njohur si “fshati me një veshkë” për shkak të numrit të madh të banorëve që shitën njërën nga veshkat e tyre në tregun e zi.

“Nuk doja, por nuk kisha zgjidhje. Unë e bëra atë për fëmijët e mi,”  tha për AFP Nooruddin, një baba 32-vjeçar. “Tani jam penduar, nuk mund të punoj më, më dhemb dhe nuk mund të ngre asgjë të rëndë”.

Shitja ose blerja e organeve të njeriut është e paligjshme në shumicën e vendeve të botës, por në Afganistan është e pakontrollueshme dhe me pëlqimin me shkrim të dhuruesit, mjekët janë të lirë. Se çfarë ndodh pas dhurimit, ku shkojnë organet, askush nuk e di realisht dhe mjekët e pranojnë se nuk i hetojnë asnjëherë këto çështje, sepse “nuk është detyra e tyre” ta bëjnë këtë. Edhe pse është e pamundur të dihet saktësisht se sa veshka janë shitur në Afganistan, të dhënat tregojnë se qindra operacione për heqjen e veshkave janë kryer vetëm në provincën Herat vitet e fundit. Dhe me përkeqësimin e problemeve financiare të njerëzve, numri i këtyre ndërhyrjeve vetëm sa shtohet.

“Kam shitur veshkën time për 2900 dollarë,” tha një grua. “Më duhej ta bëja. Burri im nuk punon, kemi borxhe”. Fëmijët e mi enden rrugëve duke lypur”, shtoi Aziza, nënë e tre fëmijëve. “Nëse nuk e shes veshkën, më duhet të shes vajzën time njëvjeçare”. Ndërsa arritja në pikën e shitjes së një veshke mund të duket ekstreme për shumë njerëz, ia vlen të kujtohet situata e dëshpëruar në të cilën ndodhet Afganistani për momentin. Më shumë se 24 milionë njerëz – 59% e popullsisë – janë në rrezik nga uria dhe gjysmë milioni njerëz humbën punën e tyre pasi talebanët erdhën në pushtet.