AKTORI ALEKSANDËR RRAPI: TELEVIZIONI QË NA LODH – KULTURA QË NA MUNGON

Emigracioni Opinion

Nga aktori Aleksandër Rrapi

Një vështrim mbi varfërimin kulturor të ekranit shqiptar dhe nevojën për një televizion që ushqen mendjen, shpirtin dhe kujtesën e një kombi.

Ka kohë që, sa herë hap ekranin e televizorit shqiptar, më krijohet përshtypja se kam hyrë në një sallë ku zhvillohet i njëjti debat, me të njëjtët protagonistë, të njëjtat akuza dhe kundër akuza, vetëm se ndryshojnë orët dhe kanalet televizive. Mëngjesi nis me politikë, mesdita vazhdon me politikë, mbrëmja mbyllet me politikë. Dhe kështu, ditë pas dite, sikur jeta e një kombi të mos kishte asnjë dimension tjetër përveç konfliktit politik.

Nuk kam asgjë kundër debatit politik.

Përkundrazi, ai është i domosdoshëm në një shoqëri demokratike. Por kur politika pushton pothuajse çdo hapësirë të ekranit, atëherë lind një pyetje e natyrshme:A është televizioni në shërbim të publikut, apo publiku është kthyer në peng të televizionit? Shikuesi ka edhe një jetë tjetër përtej politikës. Ka nevojë të qeshë, të dëgjojë muzikë, të shohë një shfaqje teatrore, të njohë një piktor, të zbulojë një libër, të ndjekë një dokumentar historik apo të dëgjojë një bisedë që i pasuron mendjen.

Por ku janë këto hapësira në televizionet tona?

Duke jetuar prej vitesh mes dy realiteteve, atij shqiptar dhe atij grek, kam pasur mundësinë të vëzhgoj ndryshime në mënyrën se si televizionet komunikojnë me publikun. Në Greqi, krahas emisioneve politike, gjen edhe programe kushtuar teatrit, kinemasë, letërsisë, muzikës, historisë dhe personaliteteve të artit. Çdo kanal televiziv ka krijimet dhe produksionet televizive, duke filluar nga telenovelat e deri tek sponsotizimet në terren, duke manaxhuar aktor apo teatër për çdo sezon artistik, Ka një konkurenc të deklaruar midia tyre duke ngritur si nivelin e shikuesve, ashtu dhe potencialet e tyre televizive për çdo sezon të ria artistik. Shikuesi ka mundësi të zgjedhi çdo nate se tek kush kanal do përqëndrohet, tek komedia e mbrëmjes apo drama që sjellin telenovelat e tyre. Krijuesit ftohen të flasin për veprat e tyre, aktorët për përvojën skenike, regjisorët për gjuhën e filmit dhe studiuesit për trashëgiminë kulturore.

Nuk pretendoj se televizioni grek është model i përsosur.

Edhe atje politika, spektakli dhe interesat komerciale zënë vendin e tyre. Por ajo që më tërheq vëmendjen është se kultura ka një prani më të dukshme në jetën televizive. Dhe kjo nuk është një çështje e vogël. Një shoqëri nuk ndërtohet vetëm me informacionin e ditës, por edhe me formimin kulturor që merr gjatë viteve. Një fëmijë i klasave fillore duhet të ketë programe që e afrojnë me muzikën, librin, teatrin dhe artin. Një adoleshent duhet të gjejë në ekran modele krijimtarie dhe personalitete që e nxisin të mendojë. (jo platforma qe sjellin shëmbuj negativ,)

Një i ri duhet të njohë historinë dhe identitetin e vet.

Edhe njeriu që i afrohet moshës së pensionit ka të drejtë të gjejë në televizion kujtesën e brezit të tij, muzikën që e ka shoqëruar dhe vlerat që kanë ndërtuar jetën e tij. Televizioni duhet të jetë një urë mes brezave, jo një altoparlant i përhershëm i konfliktit. Këtu dua të ndalem edhe te një dallim që më duket interesant:

Shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe ata që jetojnë në Shqipëri.

Të parët, përmes përditshmërisë së tyre, kanë mundësi të njihen me një ofertë tjetër televizive dhe kulturore. Shtypi dhe revistat e përditshme, kanalet e radiove agrojnë gjate ditës, bileta falas për çdo kinema apo shfaqje teatrale, pensioniatët kanë rimbushjen e kartave të tyre të pensionit me bileta falas në premierat në çdo fillim sezoni, dhe e mërkura është dita e pensionistëve me dy orare shfaqje për çdo teatër. Kjo mund të ndikojë në pritshmëritë e tyre, në mënyrën si e vlerësojnë artin dhe në kërkesën që kanë për programe më të larmishme.

Nuk është çështje se kush është më i kulturuar, shqiptari në Greqi apo shqiptari në Shqipëri.

Është çështje e mundësive që krijon mjedisin ku jeton dhe e asaj që media i ofron çdo ditë. Dhe këtu kemi një paradoks: Shqipëria ka një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike, ka teatro me histori, aktorë të mëdhenj, regjisorë, kompozitorë, piktorë, shkrimtarë dhe kineastë që kanë lënë gjurmë në kujtesën kombëtare. Ka breza artistësh që kanë punuar me përkushtim, shpesh në kushte të vështira, për të krijuar njëpasuri që nuk duhet të mbetet e mbyllur në arkiva. Megjithatë, sa herë i rikthejmë këta njerëz në ekran?

Ku është shtypi i dikurshëm artistik:

Drita, Nëntori apo Skena dhe Ekrani?

Sa emisione i kushtohen historisë së teatrit shqiptar, filmave tanë, muzikës qytetare, traditës folklorike dhe krijuesve të rinj? Në çdo ritrasmentim të filmave nëpër kanale televizive, janë të detyruar të vendosin titullin e filmit dhe vitin e prodhimit, për mësuar brezat e rinj titullin e asaj që shfaqet…

Arti nuk është zbukurim i jetës shoqërore.

Ai është një nga mënyrat më të rëndësishme përmes të cilave një popull njeh veten, kujton të kaluarën dhe ndërton të ardhmen. Nuk është e nevojshme që çdo mbrëmje televizive të kthehet në një festival arti. Por është e domosdoshme që arti të ketë vendin që meriton në jetën e përditshme të publikut. Dhe, në fund, dua të shtroj një pyetje ;

A po e informojmë publikun për atë që ndodh në politikë, apo po e formojmë atë për të kuptuar më mirë jetën?

Sepse një popull që dëgjon çdo ditë vetëm për konfliktet e politikës, rrezikon të harrojë se ka edhe një histori për të respektuar, një kulturë për të ruajtur dhe një art për të trashëguar. Krimi në shkollat 9-vjeçare është shtruar këmbë kryq, në familjet tona depresionet e adoleshencës po ngrejnë thikën ndaj prindërve, bashkortët inaktiv për jetën sociale, kanë kthyer bashkortet në “prona private” duke u marr jetën pa llogaritur asnjë pasoj ligjore apo ndëshkim. Televizioni nuk duhet të na marrë vetëm kohën. Duhet të na japë edhe diçka me vlerë. Politika mund të na tregojë kush ka pushtetin sot. Kultura na tregon kush jemi ne si popull dhe çfarë do t’u lëmë brezave që vijnë. Dhe, ndoshta, kjo është pikërisht ajo që na mungon më shumë në ekranet tona: jo më shumë zhurmë, por më shumë kulturë!