AMBASADA AMERIKANE: MOS U BËNI PRE E MASHTRIMEVE PËR VIZA

Aktualitet Politika

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përsëritur thirrjen ndaj qytetarëve shqiptarë që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve të personave apo agjencive që premtojnë sigurimin e vizave amerikane kundrejt pagesave.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane ka paralajmëruar të gjithë aplikantët për viza që të mos i besojnë personave të tretë që pretendojnë se mund të ndikojnë në procesin e pajisjes me vizë, duke theksuar se shumë prej këtyre rasteve kanë si qëllim përfitimin e parave nga qytetarët.

Selia diplomatike nënvizon se agjencitë apo individët që ofrojnë “garanci” për marrjen e një vize shpesh synojnë vetëm përfitime financiare dhe jo dhënien e këshillave të sakta për aplikuesit. Në mesazhin e saj, ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të dyshuar mashtrimi ose keqpërdorimi që lidhet me vizat amerikane.

“Raporto Mashtrimin me Visa”, shkruan Ambasada Amerikane, duke theksuar se nën drejtimin e Presidentit Donald Trump dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, Departamenti Amerikan i Shtetit i trajton me seriozitet maksimal të gjitha pretendimet për mashtrim apo keqpërdorim të vizave.

Sipas ambasadës, autoritetet amerikane shqyrtojnë me kujdes çdo denoncim që lidhet me mashtrimet në procesin e vizave dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e plotë të ligjeve të Shteteve të Bashkuara.