Ambasada Britanike : Marrëveshja për emigrantët e paligjshëm, kthehen në Shqipëri mbi 1000 shqiptarë

Aktualitet

Njoftimi i ambasades britanike ne Shqiperi:

Në vijim të Komunikatës të Përbashkët mes Kryeministrave të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për të adresuar emigracionin e paligjshëm, agjencitë ligjzbatuese në të dy vendet kanë intensifikuar punën, vecanërisht sa i takon kalimit të barkave të vogla në kanalin anglez.

Autoritetet britanike dhe shqiptare kanë punuar së bashku për të parandualuar hyrjen dhe qëndrimin e emigrantëve të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar. Që nga nënshkrimi i komunikatës, shifrat e reja tregojnë se mbi 1000 shtetas shqiptarë janë kthyer në Shqipëri. Këto të dhëna përfshijnë shtetas që nuk mund të marrin azil, shkelës të ligjit si dhe dhe ata që janë kthyer vullnetarisht prej nënshkrimit të Komunikatës së Përbashkët më 13 dhjetor deri në javën e parë të muajit Prill.

Ekipet operacionale britanike dhe shqiptare kanë ngritur një Task Forcë të Përbashkët të Emigracionit, e cila shërben si pika kryesore për të koordinuar masat dhe veprimet e posaçme operacionale në menaxhimin e emigracionit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

Për të shtuar bashkëpunimin operacional në reduktimin e numrit të shtetasve shqiptarë që udhëtojnë përmes rrugësh të rrezikshme dhe të paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria britanike po mbështet projekte në Shqipëri që ndihmojnë përmirësimin e kushteve sociale dhe ekonomike në zonat ku niveli i emigracionit është i lartë. Projekti “Perspektiva të reja për Kukësin” i bërë publik verën e kaluar ka nisur punën së bashku me Qeverinë shqiptare dhe partnerët e tjerë.