Athinë, promovohet libri monografik kushtuar maestros Thoma Papa

1934

spiro libriFocus News   /   Përkushtimi dhe mirëkuptimi për ecur përpara-vlerave të njerëzve të suksesshëm.          

Emigrantët edhe në kushtet jo të favorshme që po kalon Greqia, dinë të shpalosin dhe të ruajnë traditat artistike dhe kulturore shqiptare në emigracion. Edhe një libër me shije artistike monografik bie në duart e tyre në Athinë. Një libër që sjell para lexuesit jetën plot ndjenja të muzikantit Thoma Papa.

Duke parë punën e tij të palodhur në organizime të ndryshme si edhe të disa Festivaleve në Athinë, disa emigrantëve vendosën që për këtë artist të pregatitej dhe të botohej një libër monografik, kjo i’u besua shkrimtarit Spiro Xhavara, autori i disa librave në emigracion.

Më datën 12 maj  në një sallë të mbushur plot, Shoqata e Artistëve Shqiptarë Emigrantë (SH.A.SH.E – Albania), organizoi  në pallatin e kulturës Sepolia në Athinë një veprimtari mbresëlënëse  për prezantimin e librit monografik  “NJË JETË PLOT NDJENJA E FRYMËZIME” të autorit Spiro Xhavara, kushtuar mikut tonë, të artit e muzikës dhe kryetarit të kësaj shoqate, Maestros  Thoma Papa.

Në sallë ishin të pranishëm dhjetëra artistë, miq, dashamirës dhe të ftuar, të cilët  dhuruan jo vetëm lule dhe kënaqësi bashkatdhetarësh, por edhe mendimet e tyre plot kulturë në vlerësimin e librit në fjalë. Salla ishte vërtet modeste dhe ambjentet brenda saj stolisur si një nuse e bukur, që me buzëqeshjen e saj, krijon tek dasmorët  vlerësimin e veçantë për  fisnikërinë e saj.

I ftuar nderi që na respektoi me praninë e tij ishte  dhe zëvëndës ambasadori i  Republikës së Shqipërisë në Athinë, zoti Florjan Hoxha. Gjithashtu nderuan edhe përfaqësues të shoqatave të emigrantëve, si : Kryetari i Unionit të Shoqatave të emigrantëve shqiptarë në Athinë Ardjan Daullja, Kryetari i Shoqatës K.A Labëria Dega Athinë Hamit Bizhga, Përfaqësuesi i Partisë Socialiste dhe aktivist i emigracionit në Greqi  Besim Mero, Kryetari i Shoqërisë Lunxhëria, Kleanth Çuçi, gazetari i mirënjohur i sportit Ramadan Bigza, gazetari Shpetim Zinxhiria si dhe  intelektualët Agim Selami, Nestor Dede, Manol Neti, etj.

Për vlerat, përmbajtjen dhe mesazhet që sjell ky libër, folën intelektualët dhe krijuesit e njohur në emigracion Luan Ziflo e Agim Selami. Ndërsa përshëndetën me recitime, këngë dhe pjesë të shkëputura nga libri Maliq Vreko, Ardjan Daullja, Agim Jaçe, atasheu kulturor në Athinë Florian Hoxha, Besim Mero, këngëtarët Abedin Sulaj, Mimoza Dino, Erifili Shyti, Nikoleta etj, të cilët sollën në sallë emocione të mëdha.

Ata  përshëndetën dhe  lavdëruan  autorin e librit Spiro Xhavara, për punën e tij shumë të begatë krijuese dhe në veçanti të dy librave të tij të fundit, monografinë esportistit të shquar beratas, trainerit të futbollit të këtij qyteti, Guxim Mukli dhe të librit që prezantohej, monografia e artistit të shquar, muzikantit Thoma Papa, me një karierë dhe veprimtari kulturore shumë të suksesëshme si në Atdhe, edhe tani në emigracion në Greqi.

Artistët e shumtë në sallë përshëndetën dhe vlerësuan mendjenjat më të sinqerta punën e palodhur të maestro Th.Papës në organizimin e mjaft veprimtarive kulturore për argëtimin e emigrantëve shqiptarë e, deri edhe në zhvillimin e tre festivaleve të këngës shqiptare në emigracion, në një kohë që tani është duke përgatitur festivalin e katërt.Pjesmarrja e gjerë dhe fjalët e ngrohta e inkurajuese që u thanë aty, ishin nder dhe respekt i veçantë si për autorin e librit, edhe për maestron e përkushtuar dhe të pakursyer të muzikës, Th Papën.

Shpërndarja e librit si dhuratë për pjesmarrësit dhe lexuesit me autografin e të dyve, autorit dhe maestros dhe që solli kënaqësi dhe emocione tek të gjithë, dëshmoi edhe se shkruarjes së një libri ata nuk i vënë asnjëherë qëllime komerciale apo propagandistike. Një libër më pak apo më shumë

në një krijimtari të bollshme si ajo e Spiro Xhavarës, nuk luan asnjë rol për ta vënë në këtë apo atë piedestal, apo për të tërhequr mbi vete vëmëndjen e kritikës. Përkundrazi, me përkushtimin e sidomos me modestinë e tij, Spirua nderon punën e mjaft njerëzve të thjeshtë, por të shquar në veprimtaritë e tyre njerëzore, në ndjenja e mendime, të cilëve u ka kushtuar mjaft libra që ka shkruar.

Për këtë, autori i librit, falënderoi maestron për besimin dhe nderin që i bëri, duke i besuar jetëshkrimin e tij, ku përzjedhja e momenteve më të rëndësishme të jetës dhe përshkrimi i mjaft episodeve e kujtimeve me gjithë bukurinë e penës së tij, ishin emocionuese edhe për vetë protagonistin,  për vetë Thomanë.

Veprimtaria u përshkrua nga një frymë e shëndoshë dhe shumë e ngrohtë shoqërore, e cila në vetvehte, siç u shprehën autorët, përbën edhe nxitje dhe inkurajim të madh, për të ecur më tej në rrugën e bukur të krijimtarisë letrare e artistike. Ajo u shoqërua me një koktei modest, por të mbushur me entusiazëm e atmosferë, që e sollën aty orkestra e ftuar  dhe zëri i ngrohtë i këngëtarëve në interpretimin e këngëve tona të bukura shqipe.

Në fund përshendeti edhe Zv/ambasadori i Republikës të Shqipërisë zoti Florjan Hoxha.

spiro-2




Këtë e pëlqejnë %d blogues: