Basha: Rama ndryshon me akt normativ buxhetin duke shmangur rrugën normale

Politika

basha kunder RamesIlir Vata  /  Në mënyrë tinzare, kryeministri ne ikje ka ndryshuar me akt normativ buxhetin duke shmangur rrugën normale, që është dërgimi në komisione, në parlament, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kryetari i PD-së, Basha, nëpërmjet një postimi në statusin e tij Facebook mesditën e së dielës, shprehet “Pse? Pse kështu hajdutçe, fshehtasi, duke mbajtur larg debatin, oponencën, kritikën? Sepse me ndryshimin e buxhetit, Edi Rama nuk rrit asnjë pagë, tall dhe poshtëron 635 mijë pensionistët me indeksimin 1.6 për qind, pra një bukë e 100 gramë djathë në muaj, kur cmimet janë rritur e nuk kanë të ndalur. Kryeministri ne ikje nuk rrit asnjë qindarkë fondet për ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. Kur papunësia rritet cdo ditë, ai nuk shton, por e ul me 10% fondin për pagesën e papunësisë. Asnjë qindarkë për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë”.

“Kryeministri ul fondet për arsimin, shëndetësinë dhe burgjet, ul fondet për investimet me financim të huaj. Rrit borxhin publik për vitin 2016. Por, Edi Rama nuk ka harruar të shtojë 68 punonjës në aparatin e Kryeministrisë. Kjo është qeverisja e degraduar dhe korruptive e kryeministrit në ikje. Taksa të larta, gjoba të larta, cmime të larta. Shto luksin e shërbëtorët për vete, ul fondet dhe rrit mjerimin për shqiptarët”, shkruan Basha.

Basha thekson se “Partia Demokratike ka një plan shpëtimi për vendin. Në programin e saj, buxheti do të jetë pronë e shqiptarëve, jo plackë për t’u ndarë sipas tekave. Ne do të ulim taksat dhe shpenzimet qeveritare. Cdo fond do të shkojë për investime, për vende të reja pune, për paga e pensione më të larta, për zbutjen e varfërisë në vend dhe per një ekonomi të fortë e një të nesërme të sigurtë për të gjithë shqiptarët”. /ATSH/