“Beteja e fundit” për të lënë qelinë, Fredi Beleri kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

Aktualitet

Gjykata e Lartë do të marrë në shqyrtim më 25 korrik kërkesën e Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur për bashkinë e Himarës i cili ndodhet në burg.

Fredi Beleri kërkon ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ në të cilën ndodhet prej 12 majit kur dhe u arrestua për akuzën e shitblerjes së votës.

Gjykatat e tjera e kanë rrëzuar në 5 raste kërkesën e tij për tu liruar ndërsa për herë të parë kjo masë sigurie do të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë.

Dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit u arrestua kandidati i Berishës dhe Metës për Himarën, Fredi Beleri nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhjet apo blerjes së votave.

Arrestimi i tij ka nxitur reagimin e Athinës e cila kërkon me ngul lirimin e tij duke deklaruar se arrestimi i tij ka lidhje politike. Edhe Eurodeputeti grek, Manolis Kefalogianis, njëherësh Kryetari i Komitetit të Përbashkët të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri i cili vizitoi dje (18 korrik 2023) qytetin e Himarës kërkoi lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri.