Alban Daci / Rasti i arrestimit të Ramush Haradinaj është një rast rajonal si aktualitet, si çështje e nxehtë politike dhe po ashtu një prizëm i rëndësishëm për marrëdhëniet e shqiptarëve me serbët, ose më saktë të Shqipërisë-Kosovës me Serbinë.
Jo pa qëllim Shqipëri-Kosovë e shkruajta sikur të ishte një entitet i vetëm shtetëror. Të paktën në këndvështrimin ndërkombëtar ato gjithnjë e më shumë po ngjajnë si një entitet i vetëm dhe i pandarë shtetëror. Kjo është fare e dukshme, sepse tashmë janë pjesë e një iniciativë të rëndësishme për të bashkuar selitë diplomatike. Nëse do të ishim në konceptet klasike të shtetit-nacional, kjo iniciativë do të kuptohej si një formë e plotë e bashkimit.
Me rastin e arrestimit të Hardinaj, ky bashkim u duk edhe më qartë duke parë aksionet e përbashkëta diplomatike dhe politike të reagimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Rasti i arrestimit të Ramush Haradinaj, në pamje të parë të natyrës juridike, duhet të konsiderohej vetëm si çështje e Kosovës. Kështu të paktën duhet ta trajtonin ata që nuk e duan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe që po investojnë me çfarë të mundin për të na krijuar “Kombin Kosovar”.
Këta persona në media e kudo janë hapur pro një lëvizje të rrezikshme për të krijuar “Kombin Kosovar”, si diçka sui generis, të ndryshëm krejt nga historia e Kosovës dhe nga Kombi Shqiptar. Ky grup protestuan reagimet e Kryeministrit Rama, se ky po ndërhynte në punët e brendshme të Kosovës dhe se nuk kishte të drejtë të fliste për Kosovën.
Aksioni i Tiranës në rastin e Haradinaj ishte ndoshta më i rëndësishmi dhe më efikasi në kuptimin e formën e diplomaci shtetërore. Shqipëria e trajtoi si çështje të sajë e kështu Rama bëri reagime publike e deri diku edhe kërcënime për Europën. Ishte hera e parë që një Kryeministër i Shqipërisë doli hapur kundër Europës dhe thuajse përdori tone kërcënuese.
Po ashtu, kryetari i Parlamentit të Shqipëri bëri vizitë në Kosovë dhe në selinë e AAK duke mbështetur hapur Ramush Haradinaj. Një rëndësi të veçantë dhe të natyrës ndërshtetërore ishte letra që Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i shkroi Interpolit për lirimin e Haradinaj.
Qwndrimet e kryetarit tw Opozitws, Lulzim Basha kanw qenw tw konsiderueshëm dhe intensiv.
Rasti, i lirimit të Haradinaj nuk u trajtua vetëm në nivel shtetëror nga Shqipëria si çështje e saj, por u trajtua pa dallim nga të gjithë shqiptarët kudo jetojnë. Protesta u organizuar në Tiranë, Tropojë, Lezhë e në të gjitha vendet e Botës.
Ishte pikërisht Kombi Shqiptar që e mbrojti si birin e saj Ramush Haradinaj dhe nuk pash në asnjë protestë pseudo Kombin Kosovar që me shumë zell e reklamuan disa pseudointelektual deri tek studio e emisionit “Opinion”.
Rasti i Ramush Haradinaj jo vetëm shuajti çdo hipotezë cinike të ekzistencës së Kombit Kosovar, por dëshmojë edhe njëherë se shqiptarët janë të pandarë në çështjet e tyre të identitetit kombëtar dhe të dëshirës për të mbajtur një qëndrim. Pra, rasti i Haradinaj interpretohet qartë si faza “Një Komb, një qëndrim”.
Sot, mediat njoftuan lirimin me kusht të Ramush Haradinaj. Juridikisht është shprehje e saktë, sepse tregon situatën jurike që po kalon Ramush Haradinaj. Politikisht është e gabuar, sepse sot, Ramush Haradinaj ka fituar lirinë e plotë.
Francezët kanë një drejtësi që funksionon shumë mirë, por kanë edhe një diplomaci shumë efikase që nuk bazohet në realpolitik. Francezët u ndodhën para një fakti, arrestimit të një figure të rëndësishme të Kosovës. Ata, kanë dy përgjegjësi, zbatimin me rigorozitet të drejtësisë në rastin në fjalë dhe ruajtjen e ekuilibrave diplomatik në Rajonin e Ballkanit.
Për fat të keq rasti Haradinaj mori më shumë vëmendje politike e pak juridike. Në fakt, rasti i Haradinajt e kam thënë dhe them përsëri, se është një çështje vetëm juridike dhe zgjidhjet janë e duhet të jenë vetëm juridike.
Duke qenë një çështje politike, emocionalisht e ngarkuar në raport mes shqiptarëve e serbëve, Franca po përpiqet të jetë mbi palët.
Franca do të zbatojë të Drejtën dhe sipas të drejtës Ramushi është i lirë dhe do e gëzojë të plotë këtë Liri. Megjithatë, nëse Francezë do të vendosnin ta lironin që në seancën e parë do të kishin probleme serioze me serbët. Kështu, francezët kanë zgjedhur të aplikojnë procedurën normale deri në lirimin e plotë të tij e kështu nuk do të ketë më dyshime as nga serbët e as nga shqiptarët për ecurinë e panjëashmërinë e procesit nda Haradinajt. Për këtë arsye, sot them me bindje se Ramush Hardinaj nuk është liruar me kusht, por është liruar me liri të plotë. Vendimi i radhës i gjykatës do e vërtetoj arsyetimin tim.
Tani t’i rikthehemi Ramush Haradinaj, si individ dhe si politikan. Sa i përket statusit si individ, kam përshtypjen se është një person i lodhur nga beteja të pafundme që i ka bërë për lirinë e Kombit. Pra, mendoj se ai është i lodhur për sakrificat e pafundme të bëra për Kosovën. Po ashtu mendoj se edhe familja e saj ka kaluar tronditje e momente të vështira dhe ka nevojë për të rigjetur qetësinë e humbur shumë vite më parë, që kur Haradinaj vendosi të aktivizohej me UCK!
Ndërsa për sa i përket dimensionit politik të Haradinaj, ai rikthehet përsëri në qendër të vëmendjes dhe po ashtu është më i fortë se kurrë. Megjithatë, arrestimi i fundit do të ketë dy ndikime në jetën politike të ardhshme të Haradinaj.
Ndoshta, do të jetë më i “frikësuar” dhe do të jetë më i kujdesshëm në qëndrimet e tij politike, duke lënë mënjanë pasionet patriotike dhe duke u bërë më shumë pragmatist. Opsioni tjetër mund të jetë se ai do të jetë akoma më i vendosur në linjën e tij patriotike duke mbrojtur akoma më shumë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, çështjen e Veriut të Kosovës apo shumë çështje të tjera që lidhen me Serbinë. Nëse Ramush Haradinaj do të zgjedh të vazhdojë këtë linjë, ai duhet të shfrytëzojë momenti për të marr pushtetin politik ne Kosovë e duhet të shfrytëzojë momentin e entuziazmit të lirimit të tij për aksion politik. Nëse nuk e bën këtë, ai do të vazhdojë të luftojë gjithnjë e më shumë i vetëm kundër Lëvizjes për Kombin e Kosovës që po monopolizojnë Kosovën për hir të interesave personale dhe nevojës për pushtet.