Sot pasdite në orën 17,00, në kompleksin sportiv në Bad Waltersdorf, trajneri i Shqipërisë Gianni De Biasi, ka dhënë një konferencë për shtyp të programuar, përpara ndeshjes me Katarin që do të zhvillohet nesër pasdite në orën 17.30 në Harburg të Austrisë. Sa i takon ndeshjes me Katarin, numri 1 pankinës shqiptare deklaroi: “Kjo është një ndeshje që e zhvillojmë pas disa muajsh dhe mund të quhet një test i rëndësishëm në shumë aspekte. Mund të marrim disa përfundime, nga kjo punë që kemi bërë gjatë këtyre ditëve”-tha De Biasi
Sa i takon listës me 23 futbollistë, që do të shkojnë në Francë trajneri deklaroi: “Zgjedhja do të vëhet më datë 31, pas stërvitjes së fundit. Vetëm pas saj, do të vendosim se cili do të udhëtojë për në Francë. Çdo futbollist është si një bir për mua dhe sigurisht do të jetë shumë e vështirë për mua që t’ju deklaroj atyre, që s’do të jenë në Francë. Por këto janë sfidat e futbollit”.
Menjëherë pas konferencës për shtyp, trajneri i Shqipërisë i është drejtuar fushës së stërvitjes, për të zhvilluar seancën e fundit, përpara ndeshjes me Katarin.


Duhet të jeni i futur që të postoni një koment.