Elida Sopoti, emigrantja në Greqi që do të përfaqësojë emigrantët fierakë në këshillin bashkiak të Fierit për katër vitet e ardhshme.

Politika

Për herë të parë në historinë e përbërjes së këshillit bashkiak, Partia Socialiste në bashkinë e Fierit ka të përfshirë dhe një zë të veçantë që do të përçojë atë të emigrantëve në Greqi.

Bëhet fjalë për Elida Sopotin e cila dje është shfaqur edhe në krahë të kryeministrit Edi Rama gjatë takimit të zhvilluar me gratë dhe vajzat fierake. Ajo është përzgjedhur emri përfaqësues i emigrantëve fierakë në Greqi që do të përfaqësojë dhe do të sjellë interesat e tyre në vendlindje duke u shndërruar kështu në një urë bashkëpunimi për vitet e ardhshme mes të dy palëve.

Pak ditë më parë fushatës së gjelbër në bashkinë e Fierit u bashkuan edhe emigrantët në Greqi të cilët mbollën në zemër të qytetit të Fierit simbolin e jetës dhe zhvillimit. Ndërsa kryetari i bashkisë Armando Subashi duket i vendosur të ruajë dhe të forcojë akoma më shumë lidhjet me shoqatën “Bashkimi i fierakëve në Greqi” që mban dhe emrin e lashtë “Apolonia” pas disa takimeve të zhvilluara me atë në Athinë në aktivitete emocionuese dhe premtuese për të ardhmen.

Aktualisht emigrantët janë një potencial i çmuar për zonën e Myzeqesë pasi janë të shumë ata që janë kthyer dhe investuar në vendlindje pas një kohe të gjatë emigrimi duke vënë kështu në shfrytëzim eksperiencat që ata kanë fituar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, por edhe në drejtim të shfrytëzimit të kapitalit ekonomik dhe financiar. Prej vitesh Elida Sopoti aktualisht kryetare e shoqatës “Bashkimi i fierakëve në Greqi” jeton dhe punon në Athinë, ka krijuar familjen dhe është nënë e dy vajzave binjake, me një bashkëshort me shtetësi greke, por që tashmë është bërë si një dhëndër myzeqar që flet, mendon dhe këndon shqip.

Burimi: Tv Kombi