Sipas një krahasimi të Eurostat për zhvillimet demografike në Europë, Shqipëria është plakur me ritme shumë më të shpejta se vendet e tjera të kontinentit.
Mosha mediane e popullsisë së BE-së më 2016 ishte ishte 42.6 vjet. Kjo do të thotë se gjysma e popullsisë së BE-së 28 ishte më e vjetër se 42.6 vjet, ndërsa gjysma ishte më e re.
Në të gjithë shtetet anëtare të BE-së, mosha mesatare luhatet nga 36.6 vjet në Irlandë dhe 45.8 vjet në Gjermani, duke konfirmuar strukturat relativisht të reja dhe relativisht të vjetra të popullsisë të regjistruara në secilën nga këto dy shtete anëtare.
Mes viteve 2006 dhe 2016, mosha mesatare u rrit në të gjitha vendet anëtare të BE, duke u rritur me 4 ose më shumë vite në Portugali, Greqi, Lituani, Rumani dhe Spanjë, por rekordin e ka mbajtur Shqipëria me 8 vite.
Plakja e popullsisë është një prirje afatgjatë e cila filloi disa dekada më parë në Evropë, por në Shqipëri ky proces po ecën me ritme shumë më të shpejta. Eurostat analizon se ky trend është i dukshëm në transformimet e strukturës së moshës së popullsisë dhe reflektohet në një rritje të numrit të personave të moshuar, së bashku me një rënie të numrit të personave në moshë pune në popullatën e përgjithshme.
Pjesa e popullsisë 65 vjeç e lart është duke u rritur në çdo Shtet Anëtar të BE-së, dhe në ato kandidate. Rritja në pjesën relative të njerëzve të moshuar mund të shpjegohet me jetëgjatësi më të madh dhe me rënien e lindshmërisë.
Në një përpjekje për të parë tendencat e ardhshme për plakjen e popullsisë, janë bërë parashikimet më të fundit të Eurostat-it për popullsinë që mbulojnë periudhën nga viti 2015 deri në vitin 2080.
Një tjetër aspekt i plakjes së popullsisë është plakja progresive e vetë popullatës së vjetër, pasi rëndësia relative e të moshurave po rritet me një ritëm më të shpejtë se çdo segment tjetër i moshës së popullsisë së BE.
80 vjeçarët do të dyfishohen ndërmjet 2016 dhe 2080. Gjatë periudhës 2016-2080 pjesa e popullsisë në moshë pune pritet të bjerë në mënyrë të vazhdueshme deri në 2050, përpara se të stabilizohet disi, ndërsa personat e moshuar do të përbëjnë një pjesë në rritje të popullsisë së përgjithshme.