Sot, gjatë një bisede krejt të zakonshme, mu be një pyetje që në fillim dukej e thjeshtë.
Nga LINDITA KULLA.
Një pyetje e hedhur spontanisht, por që mbeti me mua gjatë gjithë ditës: “Po jetojmë vërtet… apo thjesht po vrapojmë pas jetës?” Sa më shumë e mendoja, aq më shumë kuptoja se kjo pyetje nuk kërkonte një përgjigje të menjëhershme. Ajo kërkonte heshtje, reflektim dhe sinqeritet me veten.Ndoshta pikërisht kjo pyetje u bë shkaku dhe vendosa të shkruaj…
Njeriu modern ka mësuar të ecë shpejt. Aq shpejt, sa ndonjëherë harron pse ka nisur rrugën. Jetojmë me orën në dorë dhe me mendjen tek e nesërmja. Vrapojmë për të fituar kohë, ndërsa paradoksi është se pikërisht koha na rrëshqet mes gishtave.
Çdo ditë i premtojmë vetes se “kur të sistemohen punët”, do të jetojmë më qetë, do të gjejmë kohë për njerëzit që duam, për veten, për ëndrrat. Por jeta nuk na pret të mbarojmë planet tona. Ajo ndodh në heshtje, në çdo çast që ne e kalojmë pa e vënë re.
Sa herë kemi kaluar pranë një peizazhi pa e parë? Sa herë kemi dëgjuar një njeri pa e dëgjuar vërtet? Sa herë kemi buzëqeshur vetëm nga mirësjellja, ndërsa zemra ishte diku tjetër? Tragjedia më e madhe nuk është kalimi i viteve.
Tragjedia është të jetosh shumë çaste pa qenë i pranishëm në to. E kaluara ka një zakon të çuditshëm. Kur është e tashme, shpesh nuk e vlerësojmë. Kur largohet, e zbukurojmë me mall. Fillojmë të kuptojmë se lumturia nuk ishte një destinacion që nuk e arritëm, por një stacion ku ndaluam shumë pak.
Koha nuk është armiku ynë. Armik bëhet mënyra se si e shpërdorojmë atë. Duke besuar se kemi pafundësi ditësh, shtyjmë fjalët që duhen thënë sot, përqafimet që duhen dhënë sot, faljet që duhen kërkuar sot. Dhe një ditë kuptojmë se disa njerëz janë larguar, disa dyer janë mbyllur dhe disa çaste nuk kthehen më. urtësia nuk qëndron te të bësh më shumë, por te të jetosh më thellë.
Të mos numërosh vetëm vitet e jetës, por jetën që ke vendosur brenda viteve. Fundi nuk pyet sa shpejt kemi vrapuar. Ai na pyet vetëm një gjë: A e jetove vërtet jetën, apo thjesht kalove përmes saj?
Mos e ndiq ritmin e botës. Gjej ritmin e zemrës sate. Vetëm atëherë do ta kuptosh se jeta nuk matet me sa shpejt e kalove, por me sa thellë e jetove



Duhet të jeni i futur që të postoni një koment.