KUR NJË KAUZË E DREJTË RRËMBEHET NGA DHUNA – HUMBET QYTETARIA, HUMBET SHQIPËRIA

Opinion

Opinion nga LUAN PACANI

Protesta e flamingove lindi si një thirrje për mbrojtjen e natyrës, si një zgjim i ndërgjegjes qytetare për të mbrojtur një pasuri që u përket të gjithë shqiptarëve. Ishte një protestë që frymëzonte shpresë, sepse tregonte se qytetarët dinë të bashkohen për një kauzë të përbashkët. Por sot, me dhimbje, shoh se ajo frymë është zbehur.

Shpesh pyes veten: pse sa herë Shqipëria përpiqet të ecë përpara, sa herë hapen horizonte të reja zhvillimi, gjendet gjithmonë një shkak për t’i vënë shqiptarët përballë njëri-tjetrit?

– Pse një protestë qytetare përfundon në një arenë urrejtjeje, ku humbet kauza dhe mbetet vetëm përplasja?

Dua të jem i qartë. Protesta paqësore nuk e baltos Shqipërinë. Përkundrazi, ajo është fryma e demokracisë. Ajo është zëri i qytetarit të lirë, që kërkon të dëgjohet. Por kur në vend të argumentit flasin gurët, kur në vend të qytetarisë mbizotërojnë sharjet, kur thyhen xhamat e institucioneve, sulmohen punonjësit e Policisë së Shtetit dhe poshtërohen njerëzit që ndodhen në krye të detyrës, atëherë protesta pushon së qeni qytetare. Ajo shndërrohet në vandalizëm.

-Çfarë faji ka prona publike? A nuk është ajo pronë e të gjithë shqiptarëve? Çfarë faji ka polici që zbaton ligjin dhe ruan rendin?

-Çfarë faji kanë mijëra qytetarë që mbeten të bllokuar në trafik, që nuk arrijnë në punë, në spital apo në familjet e tyre?

-Asnjë kauzë nuk fiton duke djegur, duke thyer apo duke poshtëruar. Përkundrazi, çdo akt dhune e varros mesazhin që protesta synon të përcjellë. Demokracia nuk ndërtohet me urrejtje. Ajo ndërtohet me qytetari, me përgjegjësi, me kulturë dialogu dhe me respekt për ligjin. Kur dhuna merr peng protestën, humbet demokracia.

Kur ofendimi zë vendin e argumentit, humbet qytetaria. Është e trishtë të shohësh sesi një protestë që nisi me qytetarë të zakonshëm, me nëna që shtynin karrocat e fëmijëve dhe me njerëz që kërkonin mbrojtjen e mjedisit,por dhe te drejta të mohuara, degradoi në skena përplasjesh, arkivole simbolike që janë shprehje e kanibalizmit, fyerje, gurë, vezë dhe tension të vazhdueshëm. Kjo nuk është më protesta e një kauze. Është hija e saj.

Në çdo demokraci serioze protesta është e drejtë kushtetuese, por po aq i padiskutueshëm është autoriteti i ligjit dhe i Policisë së Shtetit. Nuk mund të kërkosh respekt për të drejtat e tua duke mohuar të drejtat e të tjerëve.

Shqipëria ka nevojë për zhvillim. Ka nevojë për investime të huaja, për turizëm cilësor,elitar, për stabilitet ekonomik dhe politik tashmë që eshte në prag të pranimit ne familjen evropiane. Ka nevojë që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen këtu dhe jo të largohen.

Nuk ka nevojë për kaos, për përçarje dhe për skena që na kthejnë pas. Kam përshtypjen se pikërisht për këtë arsye shumë qytetarë janë tërhequr nga kjo protestë. Ata dolën për një kauzë mjedisore, por nuk pranuan të bëhen pjesë e dhunës dhe e përplasjes politike. Kauza u zbeh në momentin që u mbulua nga zhurma e konfliktit,nga islamizmi politik I Albin Kurtit,kur protesta po vidhet e keqpërdoret nga hordhite e opozitës e cila ska asnjë shans të vijë në pushtet.

Shqipëria nuk ndërtohet duke djegur Shqipërinë. Ajo ndërtohet duke mbrojtur institucionet, duke respektuar ligjin, duke debatuar me argumente dhe duke votuar me ndërgjegje në kutitë e votimit për më të mirin. Historia na ka mësuar se kaosi nuk ka sjellë kurrë fitues.

Ai ka lënë vetëm plagë,bile plagë të mëdha. Prandaj sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për qetësi, përgjegjësi dhe mençuri. Sepse mbi çdo bindje politike, mbi çdo interes partiak dhe mbi çdo përplasje të ditës, duhet të jetë vetëm një gjë: Shqipëria, ajo që ne së shpejti duam ta shohim në familjen e madhe Evropiane. Shqipëria jonë nuk ka nevojë për të fituar mbi rrënoja,ka nevojë për qytetarë që dinë të mbrojnë kauzat,dhe Flamingot e Zvërnecit ,nuk kanë nevoje për urrejtjen tonë ndaj njeri-tjetrit.