FMN: SHKALL E LARTË E EMIGRIMIT DHE PLAKJA R POPULLSISË NJË KËRCËNIM SHTESË PËR RRITJEN EKONOMIKE

Emigracioni

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rishikuar Artikullin IV të konsultimeve me Shqipërinë. Në njoftimin për shtyp që shoqëron këtë rishikim FMN e ka vënë theksin në problematikat që do t’i vijnë vendit nga emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore.

“Ndërsa vendi është në rrugën e anëtarësimit në BE, autoritetet po përballen me disa pengesa që ndikojnë produktivitetin dhe arritjen e standardeve më të larta të jetesës.

Këto përfshijnë informalitetin e përhapur, dobësitë në qeverisje dhe sundim të ligjit, boshllëqe të konsiderueshme gjinore në pjesëmarrjen në fuqinë punëtore, pasivitetin e lartë të të rinjve dhe hendeqet në infrastrukturë. Shkalla e lartë e emigrimit të punëtorëve dhe plakja e popullsisë përbëjnë kërcënime shtesë për rritjen ekonomike”, thotë FMN.

Përfitimet nga një sektor turizmi në rritje pritet të ndikohen nga emigracioni i vazhdueshëm dhe plakja e popullsisë, thotë FMN.

Ekonomia, sipas FMN-së përballet me disa rreziqe. Përsëritja e një krize energjetike, ndërprerja e furnizimit, dhe një shtrëngim monetar më i mprehtë se sa pritej mund të çojë në një ngadalësim të papritur global.

Shqipëria do të ndikohej nga e një kërkesë e jashtme më e ulët: Një reduktim i turizmit dhe i remitancave mund të shkaktojë një rënie të papritur dhe të mprehtë të nënçmimit të kursit të këmbimit, i cili do të përkeqësonte presionet inflacioniste.

Kushtet më të shtrënguara  globale dhe financiare të brendshme do të rrisnin kostot e financimit për qeverinë. Me gjysmën e kredisë private të shprehur në euro – një pjesë e konsiderueshme e së cilës është e pambrojtur – një lek më i dobët do të ushtronte gjithashtu presion mbi huamarrësit privatë. Rreziqet e stabilitetit financiar do të përkeqësoheshin nga korrigjimet e mprehta në çmimet e pasurive të paluajtshme.

Disa nga rreziqet e tjera, sipas matricës së vlerësimit të rreziqeve të FMN-së lidhen me rritjen e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë që dëmton familjet me të ardhura të ulëta; përshkallëzimin e tensioneve gjeopolitike; një recesion të Europë që mund të ulë fluksin e turistëve dhe remitancat, si dhe mund të korrektojë çmimet e pasurive të paluajtshme; keqllogaritjet e politikës monetare që mund të ngadalësojnë rritjen; ndryshimet klimaterike, luhatjet e kursit të këmbimit.

FMN thekson në njoftimin për shtyp se ekonomia shqiptare ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme përballë goditjeve të njëpasnjëshme.

Falë një rikthimi të fortë në turizëm, rritja në vitin 2022 arriti në afër 5 për qind, ndërsa pozicioni i jashtëm pati një përmirësim të dukshëm. Një kombinim i konsolidimit fiskal, të ardhurave më të larta dhe mbiçmimit të lekut e riktheu raportin e borxhit publik në nivelet e para pandemisë.

Politika monetare është fokusuar me të drejtë në uljen e inflacionit, i cili ka ardhur gradualisht në rënie, pasi kishte arritur kulmin në rreth 8 për qind, në nivele më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit. Sistemi financiar duket gjerësisht elastik, pavarësisht disa streseve bankare globale dhe rritjes së normave të interesit.

Momenti i favorshëm i rritjes vazhdoi edhe në 2023-n. PBB-ja reale u rrit me rreth 3¼ për qind me bazë vjetore në tremujorin e dytë 2023, pas rritjes së fortë në tremujorin e parë, mbështetur nga konsumi i fuqishëm privat, shërbimet dhe aktiviteti i ndërtimit.

Ardhja e turistëve dhe prodhimi i energjisë elektrike në dhjetë muajt e parë të 2023 janë më shumë se një të tretën mbi nivelet e regjistruara gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Të ardhurat fiskale të vitit 2023 tashmë kanë tejkaluar nivelet e buxhetuara. Banka e Shqipërisë rifilloi së fundmi rritjen e normës së interesit, mes tregjeve të shtrënguara të punës dhe rritjes së presioneve të çmimeve të brendshme.

Sipas raportit, Perspektiva ekonomike e Shqipërisë pritet të mbetet e qëndrueshme. Rritja reale e PBB-së parashikohet në 3.6 për qind në vitin 2023 dhe 3.3 për qind në 2024, e udhëhequr nga konsumi privat elastik, e ndikuar dukshëm nga aktiviteti i turizmit dhe të ndërtimit.

Inflacioni luhatet në rreth 4 për qind, në një ambient të tregut të shtrënguar të punës dhe pritet të kthehet gradualisht në objektivin prej 3 për qind deri në fillim të vitit 2025.

Tensionet e rritura gjeopolitike përfaqësojnë një faktor të konsiderueshëm që mund të veprojë kundër, edhe pse ekonomia mbetet e ndjeshme ndaj rreziqeve të goditjeve të sektorit energjetik të lidhura me motin, një përmbysje e papritur e mbiçmimit të kursit të këmbimit dhe një inflacion i vazhdueshëm i lartë.

FMN rekomandon që të ketë një konsolidim fiskal kuptimplotë, që të jetë i bazuar në rritjen e të ardhurave, duke filluar nga viti 2024, çka do të ishte thelbësore për të ndërtuar hapësirën fiskale për politikën e ardhshme kundërciklike. Masat shtesë fiskale neto kumulative prej rreth 1½ për qind të PBB-së do të çonin në një ulje më të shpejtë të borxhit dhe do të reduktonin nevojat për financim bruto.

Konsolidimi duhet të arrihet përmes një strategjie të shëndoshë të mobilizimit të të ardhurave, së bashku me përfitimet e efikasitetit dhe rialokimin e burimeve në infrastrukturë, arsim dhe përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike.

Autoritetet duhet gjithashtu të vazhdojnë të zgjasin maturimet e borxhit dhe të zvogëlojnë varësinë nga borxhi me normë të ndryshueshme. Përparimet konkrete në reformat fiskale që përmirësojnë qeverisjen dhe mbikëqyrjen e ndërmarrjeve shtetërore, duke përfshirë sektorin e energjisë, dhe PPP-të, janë çelësi për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, rekomandon FMN.

FMN përsëriti qëndrimin se kthimi i inflacionit në objektiv ka të ngjarë të kërkojë disa rritje të mëtejshme në normën bazë. BSH-ja rifilloi në mënyrë të përshtatshme shtrëngimin monetar në nëntor 2023, pasi presionet e brendshme inflacioniste vazhdojnë në kushtet e tregjeve të punës të shtrënguara.

Një rritje graduale e normës së politikës drejt një qëndrimi gjerësisht neutral – e vlerësuar në rreth 4½ për qind – duhet të ndihmojë në kthimin e inflacionit në objektiv deri në fillim të vitit 2025. Pasiguria rreth tendencës së inflacionit mbetet e lartë dhe është e rëndësishme që të ketë një qasje fleksibël pas çdo mbledhjeje për përcaktimin e normës.

FMN rekomandon që një kurs këmbimi fleksibël duhet të mbetet linja e parë e mbrojtjes kundër goditjeve të jashtme. Pozicioni i jashtëm i Shqipërisë në vitin 2022 ishte mesatarisht më i dobët se niveli i nënkuptuar nga bazat dhe politikat e dëshirueshme.

Një monedhë e luhatshme i ka shërbyer mirë Shqipërisë, por nevojitet vigjilencë duke pasur parasysh potencialin e një ndryshimi të papritur, i cili mund të dëmtojë stabilitetin financiar. Kjo kërkon politika makroprudenciale parandaluese të zgjeruara, duke përfshirë kërkesat LTV (loan to value) dhe DTI (debt to income) për kreditë e brendshme dhe ato në valutë.

Përpjekjet e mëtejshme për deeuroizimin, të mbështetura nga veprimet e qeverisë për të nxitur përdorimin e monedhës vendase si mjet ligjor, do të rrisnin efektivitetin e regjimit të inflacionit të shënjestruar, rekomandon FMN.

Sistemi bankar në përgjithësi duket më elastik, por ekzistojnë disa xhepa dobësish. Ka hapësirë për të forcuar pozicionet e kapitalit të disa bankave, përveç provigjonimit të kujdesshëm dhe rishikimeve të fokusuara të cilësisë së aktiveve.

Shqipëria duhet të shfrytëzojë mundësitë e ofruara nga vrulli në rritje i zgjerimit të BE-së për të trajtuar sfidat strukturore afatgjatë. Reformat në drejtësi duhet të plotësohen me rritjen e efikasitetit për të adresuar çështjet e prapambetura.

Autoritetet duhet të shfrytëzojnë daljen nga lista e vendeve të FATF-së nën monitorim të shtuar, duke siguruar angazhim të qëndrueshëm dhe të fortë ndaj reformave dhe praktikave më të mira kundër pastrimit të parave.

Adresimi i boshllëqeve në pjesëmarrjen e të rinjve dhe femrave në fuqinë punëtore do të ndihmojë në shfrytëzimin më të mirë të potencialit të rritjes. Janë të nevojshme burime të përshtatshme buxhetore dhe mekanizma monitorues për të siguruar që përpjekjet për reforma të përkthehen në rezultate më të mira, thotë FMN.

FMN thotë se autoritetet duhet të ofrojnë më së shumti mbështetje fiskale të targetuar dhe të përkohshme për të pambrojturit. Për këtë qëllim, ritmi i rregullimit fiskal mund të rikalibrohet me një plan afatmesëm të konsolidimit në  një bazë të besueshme të të ardhurave.

Nëse është e nevojshme, autoritetet duhet të kërkojnë financime zyrtare shtesë. BSH do të duhet të frenojë inflacionin përmes politikave shtrënguese vendimtare monetar dhe komunikimit të qartë për të mbajtur pritjet inflacioniste të ankoruara mirë.

Përpjekjet strukturore fiskale për të rritur efikasitetin dhe transparencën fiskale duhet të vazhdojnë për të ruajtur besueshmërinë fiskale. Është thelbësor një monitorim nga afër i cilësisë portofolit të kredisë dhe identifikim në kohë dhe menaxhimi i aseteve problematike./Monitor