EMIGRACIONI SHQIPTAR DHE POLITIKA E FAJIT

Emigracioni

Nga Liri Kuçi/

Rreth 40 mijë shtetas/e shqiptarë/e kanë emigruar drejt Mbretërisë së Bashkuar përgjatë vitit 2022, ndërsa numërimi ende vazhdon…e po ashtu edhe mprehja e retorikës së fajit.

Sot, nxënës të klasës së pestë të vitit 2023 shprehen se po mësojnë anglisht – mëpastaj objektivi ndalet porsi në një çast post-apokaliptik në pamjet e klasave dhe qyteteve të zbrazëta – për t’u bashkuar me të afërmit e tyre në Angli, ku thonë se jetesa është më e mirë. Dhjetëvjeçarë për të cilët shpresa është një tangente, që u kalon në kokë vetëm për t’u projektuar diku tjetër, larg. Mesa duket, mjaft vonë sa për të koduar tek ta gjuhën e moralit për të “kontribuar” në Shqipëri?

Megjithatë ky nuk është brezi i parë i fëmijëve që rriten të tëhuajtur nga shoqëria e tyre, për të cilët mësimi i gjuhëve të tjera përfaqëson një mundësi, një dritare për t’u arratisur nga një kulturë ku shpresa nuk mësohet si gjuhë, nuk praktikohet si besim, si dhe për të cilën as nuk aspirohet më.
Përpara rrëzimit të socializmit shtetëror, qenë fëmijët e regjimit izolues të Enver Hoxhës që fshehurazi mësuan një gjuhë të huaj – teksa familjarët e tyre performonin akrobaci të ndryshme për qasje në valët e radiove dhe televizioneve të huaja për të përftuar një shije lirie – ata/o që më pas përbënë eksodin e viteve ‘90 e mbushën skafet dhe anijet drejt ujërave italiane.

Të tjerë/a, për shkak të afërsisë me shtetin grek, morën arratinë përmes maleve kufitare. Kush nuk ngeli mbërthyer telave me gjemba, a s’u bë kafshatë për qentë e kufirit, përfundoi burgjeve. Më fatlumë/et ia dolën të mbijetojnë duke ndryshuar identitetin dhe prej syresh edhe humbën kontaktet me Shqipërinë.

Cirk pa bukë                

Përveç cilësisë së fotove me ngjyra të forta e pamje që e ekzaminojnë qartë mjerimin – bashkohësia nuk lundron larg prej ngjarjeve të së shkuarës – ku sot paraqiten motobarka të rënda plot burra, gra e fëmijë nga Shqipëria, që përmes titujve bombastikë mbushin me mish ballinat e mediave britanike.

Aktualisht Shqipëria shënon ndër normat më të larta të migracionit në Evropë dhe përbën diasporën e tretë më të madhe në botë, me një pjesë të konsiderueshme të popullsisë rinore që largohet nga vendi në kërkim të mundësive ekonomike dhe perspektivave më të mira për jetën.

Rritja eksponenciale e emigracionit ekonomik në vitet e fundit, ka sjellë me vete një sërë dinamikash që nëpërmjet diskursit publik kanë shpalosur problemet e racizmin strukturor që fshihen në brendësi politikave të ndërmarra, gjuhës së urrejtjes dhe demonizimit ndaj atyre imigrojnë dhe diasporës shqiptare. Ky shënjestrim e vulnerabilizon komunitetin shqiptar duke i shndërruar njerëzit në objekt përqeshjeje popullore të një cirku të dirigjuar nga lart.

Portretizimi i masmediave britanike nxitur prej artilerisë diskursive të politikës zyrtare, e cilëson zbarkimin e valës migratore në ishullin anglez si pushtim. Është megjithatë pothuajse interesante të vërejmë sesi kalohet pa vëmendje analitike digresioni logjik i një ish-fuqie kolonizuese për të banuar në rolin që historikisht është pësuar prej popujve të vegjël e të varfër, ku edhe sot mjetëzohen për hir të pozitave të pushtetit të peshqve të mëdhenj.

Relativizimi i retorikës nga MB përdoret si patericë për kundërvënie e panik ndaj të ardhurve, duke dashur të injorojë kështu dhe pavleftësojë arsyet e vërteta të këtyrë levizjeve të mëdha. Nëpërmjet nxitjes së sensacionalizimit mediatik përmes një gjuhe kontaminuese duke fajësuar drejtpërdrejt popullsitë e “egra” mbi gomone, ndizet në popullsi flaka e paranojës prej “tjetrit” potencialisht të dëmshëm për shoqërinë e tyre të emancipuar e perëndimore. Ndërtimi i “të huajve” si kategori e padëshiruar, prandaj dhe e dyshueshme është artificë e nevojshme për të kanalizuar irritimin ndaj identitetit “shqiptar” të imigrantëve si një kategori prej së cilës duhet pasur frikë.

Një tjetër taktikë e përdorur për të vënë në pikëpyetje nevojën e emigrimit është përcaktimi i Shqipërisë si Republikë “e sigurtë dhe demokratike”. Sipas Partisë Konservatore në pushtet, imigrantët shqiptarë nuk vijnë nga “vende të shkatërruara prej luftës” dhe, prandaj gomonet e tyre nuk duhet lejuar të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, përndjekja e shqiptarëve si kriminelë nën justifikimin e luftës ndaj krimit dhe drogës, janë metodat më të parapëlqyera të fshikullimit ndaj tyre. “Burrat e rinj shqiptarë po përpiqen të përfitojnë nga sistemi ynë bujar i azilit – ose thjesht zhyten në ekonominë e zezë… ndërsa të tjerët shëndërrohen në kriminelë”, shkroi deputeti konservator James Daly në gazetën prestigjioze The Sun në nëntor të vitit të kaluar.

Ky mbulim mediatik që gati i përngjan një sulmi të organizuar, fokusohet ekskluzivisht te “kriminelët” e shëndetshëm dhe burra shqiptarë, duke injoruar grupet e margjinalizuara si ato me nevoja të veçanta, gratë shqiptare, Rome dhe Egjiptiane, fëmijët dhe personat LGBTIQ. Kryesisht mjediset e paraburgimit (apo qendrat e mbajtjes së imigrantëve) e ushtrojnë pësimin e kushteve varësisht prej kategorisë së përkatësive dhe nevojave mjekësore, gjinore, moshore, racore – ku shpesherë kthehen në vatra përdhunimi, sëmundjesh dhe gjithfarë abuzimesh të tjera.

176 fëmijë emigrantë shqiptarë janë zhdukur nga mjediset që përdor shteti britanik për t’i strehuar përkohësisht. Pandjeshmëria ndaj gjendjes së tyre, duke i trajtuar si kategori e pavlefshme “burrash shqiptarë” që janë trafikuar me dëshirë, është shkelje e të drejtave të fëmijëve, konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe racializim par excellence.

Sikur të mos mjaftonte pezullimi i jetës së imigrantë/eve në këto kushte, ku cenohen të drejtat e tyre themelore, ndërkohë që as nuk garantojnë siguri dhe mjetet e nevojshme për t’i mbështetur, qeveria britanike nëpërmjet kursit racializues të politikës ditore i vendos këto grupe në rrezik të mëtejshëm. Këto do të duhet të ishin të dhëna problematike në regjistrin e shteteve që kryesojnë listat e mirëqenies dhe kujdesit social, të drejtat e njeriut dhe gjithëpërfshirjes.

Shumë zhurmë dhe pak punë për hallet e vjetra

Sipas shifrave të fundit, pjesa dërrmuese e diasporës shqiptare vijon të jetë e përqendruar kryesisht në Itali dhe Greqi, me 500,000 emigrantë/e në secilin vend, sipas statistikave të fundit të OKB-së. Pasuar nga Turqia, Gjermania, Zvicra, SHBA dhe MB.

Pra, në Mbrëtërinë e Bashkuar (67.1 mln banorë/e) në rrafsh krahasimor me sa më lart, diaspora shqiptare deri në 2021 nuk është më shumë se 100.000.

Për Britaninë e Madhe kjo nuk është hera e parë që përballet me imigracion ekonomik, i cili as nuk u shpik dhe as nuk u soll prej shqiptarëve. Në vitin 2008, kriza financiare globale pati një efekt të rëndësishëm në rritjen e papunësisë dhe uljen e perspektivës së punësimit. Këto efekte ekonomike kontribuan në zgjerimin e valës migratore në përgjithësi, që përfshiu edhe njerëz të arsimuar në kërkim të mundësive dhe strandardave më të mira të punësimit dhe jetesës jashtë shtetit. Sipas ekonomistes së çështjeve të punës dhe migracionit, Shqiponja Telhaj, kriza e ashpër ekonomike në Itali dhe Greqi shkaktoi një rritje të valës së emigracionit të drejtim të vendeve të Mbretërisë së Bashkuar. Emigrantët e dikurshëm përbëjnë sot një pjesë të konsiderueshme të diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe, ku familjarizimi me modelin ekonomik, tregun e punës dhe mundësitë e disponueshme, mund të ketë vepruar si rrjet mbështetës i flukseve bashkohore migratore të nxitura edhe nga përkeqësimi i situatës aktuale të cilësisë së jetës në Shqipëri, sidomos në kushtet post Covid-19.

Sakaq, përballja me regjimin frustrues të vizave dhe mungesa e lejeve të punës nga Britania e Madhe, amplifikuar njëkohësisht dhe nga sfidat e vazhdueshme në shtetin shqiptar me mungesën akute të kujdesit dhe mirëqenies sociale, sistemin e korruptuar të drejtësisë, kostot e shtrenjta dhe qasjen në arsim, kujdesin shëndetësor dhe mosadresimin e dhunës me bazë gjinore – përcaktojnë edhe ritmet shqetësuese migratore. Megjithatë, kjo dyndje drejt zbarkimit në ishullin e madh anglez nuk ndodh në vakuum, pasi statistikat zyrtare britanike tregojnë se ka rreth 1,2 milionë vende pune vakante.

Fajësimi i ‘tjetrit’ për problemet e tyre financiare dhe shkallën e lartë të papunësisë është përdorur gjerësisht si retorikë gjatë dhe pas krizës financiare të vitit 2008. Politikat konservatore dhe të ekstremit të djathtë kanë përfituar nga këto turbullira socio-ekonomike dhe i kanë përdorur ato – siç po ndodh dhe aktualisht – për të agravuar tonet armiqësore dhe të pafavorshme ndaj imigrantëve, shtrëngrimin e të drejtave të abortit dhe ato LGBTIQ, kundërvënien ndaj minoriteteve, etj,.

Migrimi ekonomik, ose qarkullimi i njerëzve nga një vend në tjetrin në kërkim të mundësive më të mira ekonomike, është arsye e vlefshme për emigrim dhe mbrohet nga ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. E drejta për lirinë e lëvizjes dhe e drejta për një jetë dinjitoze janë të njohura si të drejta themelore nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Për më tepër, hulumtime të shumta kanë treguar se imigrimi mund të ketë një ndikim pozitiv në ekonomi, duke rritur pjesëmarrjen në fuqinë punëtore, nxitur rritjen ekonomike dhe duke përmirësuar ekuilibrin fiskal.

Përfshirja e njerëzve nga shtetësi të ndryshme në aktivitete kriminale, nuk duhet të çojë në racializimin e tyre, pasi kjo mund të jetë e dëmshme, e padrejtë dhe kundërproduktive për të gjitha palët.

Ndërsa është e rëndësishme të trajtohet çështja e krimit të organizuar dhe ndikimi i tij në shoqëri, është thelbësore që kjo të bëhet në një mënyrë të drejtë dhe transparente pa përdorur stereotipe të dëmshme ose kufizime në politikat e migracionit. Zgjidhja e krimit të organizuar mund të qëndrojë në adresimin strukturor të faktorëve të tillë si varfëria, pabarazia dhe mungesa e mundësive, çka duhet të nxisë perspektiva të reja sipas nevojave dhe mundësive të zhvillimit individual dhe shtetëror.

Por cila është ana tjetër e medaljes?

Teksa kryeministri Rama firmos marrëveshje për përforcimin e masave të sigurisë ndaj imigrantë/eve shqiptarë dhe nuk ka fuqi të diskutojë për trajtimin e tyre, sigurinë dhe punësimin si njerëz me të drejta, por shtrëngon duart me homologun anglez për deportimin e tyre në Shqipëri – përveçse përgjegjës për lëvizjet masive dhe ikjen e trurit, në anën tjetër nuk mund të premtojë situatë më të mirë për gjendjen që lë pas. Sidomos kur bëhët fjalë për po të njëjtin kryeministër që në 2014 kremtonte mungesën e sindikatave, ndërsa në 2021 sugjeronte porositjen e fuqisë punëtore nga Pakistani, e Bangladeshi pasi e kishte lehtësuar procedurën me ligj- dhe thërret investitorë e sipërmarrës ta shfrytëzojnë mjedisin e gatshëm të gjendjes së pavetëdijes, pafuqisë e pasigurisë së punëtorisë në vendin e punës.

Kësisoj, ana tjetër e migracionit ekonomik në Shqipëri prandaj reflekton shfrytëzim, keqtrajtim e shkelje të të drejtave të njeriut edhe për punëtorë/et migrante që janë sjellë për të plotësuar mungesën e fuqisë punëtore në vend. Një shtet ku e vetmja industri prodhuese është emigracioni kronik, dhuna e përçudnimi ndaj vendasve nuk mund te premtojë trajtim dinjitoz drejtesi për imigrantë/et.

Rasti tragjik i Joy Aoko, gruas së re imigrante e ardhur nga Kenia si punëtore në Shqipëri, e cila u dhunua deri në vdekje, për të cilën nuk pati asnjë reagim shtetëror është këmbanë alarmi për një sërë shtresëzimesh të dhunës strukturore ndaj imigrantë/eve ekonomike. Vëmendja e posaçme ndaj të drejtës për jetë e përspektivë punësimi më të mirë pavarësisht kufijve, mbrojtjes nga diskriminimi, sigurisë dhe organizimit, janë nevojë serioze dhe universale. Kostot globale të migrimit ekonomik nuk mund të nënkuptojnë pazar mbi jetën dhe dinjitetin e njerëzve të punës.