Nga Laura Çela /
Kur në treg numri i spitaleve private sa vjen e rritet, drejtuesit e tyre shprehen të sigurt për ecuri pozitive. Duket se gara është në “rrëmbimin” e pacientëve, që deri dje udhëtonin jashtë vendit dhe “të pakënaqurve” me spitalet shtetërore. A kanë shqiptarët aftësi paguese të mjaftueshme për të justifikuar hapjen kaq shumë spitaleve e poliklinikave private?
Kur ankesat për spitalet shtetërore janë shtuar, në vend duket se kanë nxituar të hapen spitalet private. Vetëm brenda një viti, 2009-2010, janë hapur dy spitale të reja, Universal Hospital Tirana, shqiptaro-turk, dhe Hygeia, një degë e rrjetit spitalor grek, që kanë derdhur në Shqipëri rreth 160 milionë euro investime.
Me gjithë “dëshirën” e mirë të investitorëve privatë në vend për t´i ofruar shërbimin e tyre pacientëve, gara në një treg të vogël si Shqipëria është rritur. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, sot, në Shqipëri, ka rreth 3 shtretër për 1,000 banorë, një numër ky më i lartë se në Turqi (shteti më i preferuar nga shqiptarët për mjekim) që numëron 2.6 shtretër/1,000 banorë. Shqipëria ka sot shifra të përafërta me vendet europiane dhe disa herë më të larta se Maqedonia, ku numri i shtretërve është 0.4/1,000 banorë.
Kundrejt këtyre statistikave, përfaqësuesit e spitaleve private në vend konfirmojnë se tregu ka hapësirë dhe nuk ka asnjë rrezik për “dështim”.
Mbyllja e Universal Hospital Tirana
Ibrahim Pozhari: Spitali është mbyllur për çështje mosmarrëveshjesh ndërmjet aksionerëve dhe as që bëhet fjalë për mungesë pacientësh. Do ta rihapim aktivitetin në janar të 2011
Edhe menaxheri i përgjithshëm i Universal Hospital Tirana, i cili prej disa muajsh i ka mbyllur “dyert” e tij, konfirmon se ky hap nuk erdhi si pasojë e mungesës së pacientëve.
“Spitali është mbyllur për çështje mosmarrëveshjesh ndërmjet aksionerëve dhe as që bëhet fjalë për mungesë pacientësh. Ne kemi pasur mjaft pacientë dhe interes dhe prandaj do ta rihapim aktivitetin në janar të 2011-s”, shprehet Ibrahim Pozhari.
Ndërsa për drejtorin e përgjithshëm të spitalit më të ri, Hygeia, Leonard Solis, për cilësi të lartë ka gjithmonë vend. Ai thekson se në vend nuk ka shumë spitale private reale, pasi shumica janë qendra diagnostikuese, klinika nëpër pallate banimi, ndërkohë që spitalet kanë shtretër e një sërë kushtesh të caktuara për t´u akredituar.
“Jo çdo sajesë e tipit “shto’ ujë e shto’ miell”, mund të konsiderohet spital”, thotë Solis.
Edhe sipas drejtuesve të Spitalit Amerikan në Tiranë, në Shqipëri, që së fundmi kanë hapur edhe në tjetër spital në kryeqytet, ka hapësira për t´u zhvilluar në këtë treg.
“Nëse vërtet do të bënit një studim të mirë të asaj që i kushton pacientit i njëjti trajtim në spitalin privat dhe në atë shtetëror, do të shihni se në këtë të fundit i kushton më shumë kohë, energji, mungesë korrektese dhe shpesh edhe më tepër financiarisht. Kjo na ka bërë ne të kemi një trend në rritje të okupimit të poliklinikave dhe shtretërve deri sa kemi arritur 100% kapacitet të plotë të tyre. Kjo tregon se shqiptarët shpenzojnë për të marrë shërbimin e duhur”, thotë drejtorja e Spitalit Amerikan 2, Ornela Doçi.
Në fakt, spitalet private në vend duket se po shërbejnë më së shumti për të tërhequr ata pacientë që udhëtonin jashtë vendit për t´u kuruar.
Sipas kërkimeve të kryera nga drejtuesit e Spitalit Amerikan, shërbime të ndryshme që para 2007-s nuk realizoheshin fare në Shqipëri tregojnë se p.sh. në kardiokirurgji dhe kirurgji të aortës, 85% e pacientëve kanë preferuar ta marrin këtë shërbim në vend.
“Ka ulje të ndjeshme në numrin e pacientëve që rëndom udhëtonin kryesisht në Turqi për t´u trajtuar”, thotë Doçi.
Duhet ndryshuar skema e rimbursimit
Në Shqipëri numërohen mbi 40 spitale publike, por cilësia e tyre lë mjaft për të dëshiruar, fakt ky që duket se ka nxitur shqiptarët në vite të udhëtojnë jashtë vendit, për të marrë shërbime spitalore. Sipas të dhënave nga operatorët privatë, shpenzimet mjekësore private të vetë shqiptarëve arrijnë në rreth 650 milionë euro ose rreth 7.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Hapja e spitaleve private duket se ka sjellë edhe efektet e para. Sipas operatorëve, tashmë që pjesa më e madhe e shërbimeve ofrohen edhe në vend, rreth 85% e shqiptarëve që shkonin jashtë shtetit për kurim, tani e marrin atë në vend. Kjo shifër, sipas operatorëve, tregon për potencialet që ka tregu.
Pacientët që do të kërkojnë të marrin shërbimin mjekësor në këto spitale, do t´iu duhet të përballen me çmime jo të ulëta, por që janë të konkurrueshme me ato që ofrojnë spitalet private që ndodhen jashtë. Qëndrimi me net ka kosto gatigati të barabartë me atë në një dhomë hoteli, që varion nga 50 deri në 100 euro apo më shumë, në varësi të kushteve, pa llogaritur kostot e tjera që kanë të bëjnë me trajtimin mjekësor.
Një faktor që duhet ta nxisë më shumë sektorin privat shëndetësor, por edhe cilësinë e shërbimit të spitaleve në vend, është skema e rimbursimit shëndetësor. Drejtuesit e spitaleve private në vend thonë se tashmë ka ardhur koha që edhe ato të bëhen pjesë e skemës së rimbursimit, ku duhet që pacienti të zgjedhë spitalin se ku duhet të kurohet dhe jo shteti. Ish-ministri i Shëndetësisë dhe njëherësh drejtor i përgjithshëm i spitalit privat Hygeia, Leonard Solis, thotë se ka mungesë shumë të madhe besimi tek kjo skemë, pasi nuk i ndodhet pranë ekonomikisht në rast sëmundje kurrkujt në moshë aktive. Skema ofron ende një rimbursim për të sëmurët kronikë, një shërbim të pakuptueshëm në spitalet publike e asnjë gjë të ndryshme, të gjithëve njëlloj, të gjithëve keq.
“Shteti duhet detyrimisht të respektojë parimin themelor- rimbursimin e pacientit e jo rimbursimin e spitalit. Mos iu duket si lojë e thjeshtë fjalësh, por është rregulli themelor për përmirësimin e cilësisë në një shtet normal rregullator. Rimbursimi i pacientit të siguruar e vendos atë në qendër të skemës. Siguracioni shtetëror negocion vlerën e shërbimit dhe cilësinë e tij. Në terren i lihet pacientit zgjedhja. Ai ka të drejtë të zgjedhë mjekët e spitalit dhe rimbursimi shkon pas tij”, thotë Solis
INTERVISTA
Drejtor i përgjithshëm i Hygeia, Leonard Solis
Rruga e sigurt, ofrimi i cilësisë
Si është ecuria e spitalit Hygeia gjatë këtyre muajve që ju keni nisur aktivitetin?
Spitali Hygeia ka filluar aktivitetin në datën 1 korrik dhe mendoj që po shkon çdo ditë drejt përmirësimit. Rruga e sigurt është ofrimi i cilësisë. Kemi mbi 40 spitale publike, jemi të tejngopur me struktura, për numër popullsie dhe gjeografikisht të shpërndara. Ato nuk ofrojnë cilësi, ende funksionojnë në formë vetëshërbimi nga pacienti dhe familjarët e tij dhe shumë pak japin garanci. Me gjithë reformën në letër, ende nuk dallohet profesori i vërtetë nga pseudoprofesori, doktori i mirë nga i vetëquajturi i mirë, nuk shpërblehet më punëtori e cilësori, nga dembeli, i padituri dhe i pakujdesshmi. Penalizimet dhe përgjegjësia është e vagullt dhe shpesh bëhet sa për show, thjesht një krismë në ajër për të ruajtur ritmin e antikorrupsionit.
Sa shpenzojnë shqiptarët për t’u kuruar në spitale private dhe a vini re që ka një “largim” nga spitalet shtetërore?
Së pari, ka ndryshuar shumë koncepti për shëndetin, si një mall që ofrohet falas ose lirë. Skema e siguracionit të detyrueshëm, pavarësisht nga dëshira e të punësuarit, tashmë që po ulet dhe puna e zezë e gri, po funksionon më mirë. Ka mungesë shumë të madhe besimi te kjo skemë, pasi kurrkujt në moshë aktive nuk i ndodhet pranë ekonomikisht në rast sëmundje. Ofron ende një rimbursim për të sëmurët kronikë, një shërbim të pakuptueshëm në spitalet publike dhe asnjë gjë të ndryshme, të gjithëve njëlloj, të gjithëve keq.
Ka hyrë shumë keq e në mënyrë të dyshimtë vetëm për hemodializën vetëm në një spital, duke mbrojtur interesat e spitalit e jo të të siguruarit??
Shqiptarët janë larguar e vazhdojnë të kërkojnë garanci e cilësi shërbimi në spitalet europiane, pavarësisht nga kostoja, e duke harxhuar në një ditë të gjitha shpenzimet e jetës së tyre. Por në vendin tonë, të shumtë janë klientët që kanë kuptuar eficiencën e skemave private të sigurimit, SIGAL ka mbi 7,000 të siguruar, Albsig, SiCred, SIGMA etj. Pacientët e siguruar në kompanitë private vijnë në spitalin tonë, operohen dhe vetëm firmosin. Siguracionet private paguajnë për llogari të tyre.
A ka një tendencë të spitaleve private për të tërhequr ata pacientë që deri dje kuroheshin jashtë shtetit?
Shumë pacientë, zakonisht në gjendje të mirë ekonomike, por dhe duke sakrifikuar shumë largoheshin dhe ende vazhdojnë të kurohen jashtë shtetit. Kjo, për një sërë arsyesh, objektive e subjektive. Disa për ndërhyrje tepër specifike e shumë të rralla, ku kërkohet një specializim shumë i ngushtë. Një shtet i vogël si ne nuk ka atë numër rastesh që mjeku të jetë familjarizuar, madje dhe në Europë numërohen me gishta klinikat që i kryejnë. Disa të tjerë kërkojnë garanci dhe superkualitet me çdo çmim. Disa të tjerë nuk kanë besim te doktorët shqiptarë dhe mjafton që mjeku të mos dijë shqip dhe iu duket shumë i mirë. Shumë janë larguar për ekzaminime të veçanta ku mungojnë aparaturat ose teknikat e veçanta. Por në përgjithësi ata që shkojnë kanë marrë këshillat e nevojshme nga staf kompetent, përse ia vlen të sakrifikohet. Vuajnë shumë, shkatërrohen larg shtëpisë për një shërbim më të mirë. Tërheqja e pacientëve që deri dje kuroheshin jashtë shtetit është një fenomen pozitiv, që u bën nder dhe shërbim qytetarëve.
A ka Shqipëria treg të mjaftueshëm për të pasur këtë numër spitalesh private? Si është konkurrenca midis tyre?
Konkurrenca midis spitaleve private ende është e pandershme e spekulative, sepse shteti nuk po i bën mirë detyrat e shtëpisë. Duhet detyrimisht të respektojë parimin themelor- rimbursimin e pacientit e jo rimbursimin e spitalit. Mos ju duket si lojë e thjeshtë fjalësh, por është rregulli themelor për përmirësimin e cilësisë në një shtet normal rregullator. Rimbursimi i pacientit të siguruar e vendos atë në qendër të skemës. Siguracioni shtetëror negocion vlerën e shërbimit dhe cilësinë e tij. Në terren i lihet pacientit zgjedhja. Ai ka të drejtë të zgjedhë mjekët e spital dhe rimbursimi shkon pas tij. çdo spital detyrohet t´i shërbejë sa më mirë që ai mos të largohet. Po ashtu siguracioni privat ofron diferencë shërbimi mbi bazën e diferencës së sigurimit.
Ornela Doçi, drejtore e Spitalit Amerikan 2
“Po rritet kultura shëndetësore”
Si është ecuria e Spitalit Amerikan gjatë këtyre viteve të aktivitetit?
Spitali Amerikan është i pari spital privat në vend dhe ka mbushur tashmë katër vite aktivitet. Që prej më shumë se një viti, spitali punon me kapacitet 100% të shtretërve, çka ka sjellë edhe nevojën për një spital të dytë në kryeqytet, i cili do të hapet brenda muajit që vjen, më i madh dhe më modern. Në këtë periudhë 4-vjeçare ka shënuar 80,000 pacientë të regjistruar dhe 230,000 regjistrime individuale, çka tregon qartë se një pacient i regjistruar një herë i është drejtuar spitalit të paktën edhe dy herë të tjera për shërbime të ndryshme.
Sa shpenzojnë shqiptarët për t’u kuruar në spitale private dhe a vini re që ka një “largim” nga spitalet shtetërore?
Duke qenë se jemi në treg që prej katër vitesh, tanimë jemi në gjendje të bëjmë diferencën e pacientit të 2007-s me atë të sotmin dhe vëmë re rritje të kulturës shëndetësore dhe një drejtim gjithnjë e më tepër drejt strukturave private.
Nëse vërtet do të bënit një studim të mirë të asaj që i kushton pacientit i njëjti trajtim në spitalin privat dhe në atë shtetëror, do të shihni se në këtë të fundit i kushton më shumë kohë, energji, mungesë korrektese dhe shpesh edhe më tepër financiarisht. Kjo na ka bërë ne të kemi një trend në rritje të okupimit të poliklinikave dhe shtretërve deri sa kemi arritur 100% kapacitet të plotë të tyre. Kjo tregon se shqiptarët shpenzojnë për të marrë shërbimin e duhur.
A ka një tendencë të spitaleve private për të tërhequr ata pacientë që deri dje kuroheshin jashtë shtetit?
Hulumtimet tona në shërbime të ndryshme që para 2007-s nuk realizoheshin fare në Shqipëri, tregojnë se p.sh. në kardiokirurgji dhe kirurgji të aortës, 85% e pacientëve kanë preferuar ta marrin këtë shërbim në vend. Ka ulje të ndjeshme në numrin e pacientëve që rëndom udhëtonin kryesisht në Turqi për t´u trajtuar.
A ka Shqipëria treg të mjaftueshëm për të pasur këtë numër spitalesh privatë? Si është konkurrenca midis tyre?
Është një biznes që ka nevojë për një studim të mirë të tregut dhe për hapa tepër të menduar dhe seriozë. Fatkeqësisht kemi pasur edhe struktura të ngjashme që kanë pretenduar të jenë spitale “me 5 yje”, por që sot kanë shpallur falimentin. Ne kemi qenë gjithmonë të kujdesshëm në hedhjen e hapave të sigurt dhe në sjelljen pranë pacientëve pikërisht të atyre shërbimeve për të cilat ata kanë nevojë më shumë; kështu ka qenë kardiokirurgjia, transplanti i veshkave, hemodializa apo kirurgjia ortopedike etj.
A mendoni se përfshirja e spitaleve private në skemën e sigurimeve shëndetësore do të nxisë më shumë zhvillimin e spitaleve private në vend?
Sigurisht që përfshirja e spitaleve private në skemën e sigurimeve do t’i jepte frymëmarrje të re këtij sektori, por pa harruar se edhe mes tyre përzgjedhja për t´i përfshirë në skemë duhet të jetë e studiuar mirë dhe bazuar në standarde të forta. Spitali Amerikan ofron sot disa shërbimeve, të cilat janë mbështetur nga qeveria siç janë transplanti i veshkave, implanti koklear, hemodializa etj. Këto janë nisma që i kanë paraprirë mbase përfshirjes së plotë në një skemë të rimbursimeve dhe që kanë rezultuar të suksesshme. Por një gjithëpërfshirje e spitaleve private për çdo trajtim është një sfidë e madhe buxhetore që mund të fillojë, pse jo pjesërisht dhe të zhvillohet në vite. Shqiptarët që kanë derdhur kontribute prej një jete, meritojnë të kenë zgjedhjen që të marrin një shërbim më të mirë.
Sa i kushton shtetit një i sëmurë
Në Shqipëri, sistemi shëndetësor është kryesisht publik. Shërbimi privat, deri pak vite më parë, ka qenë i kufizuar në sektorë si ai dentar, farmaceutik apo edhe diagnostifikues.
Shërbimi publik në Shqipëri mbulohet nga 41 spitale, 22 janë në qarqe, 11 rajonale, 4 qendra universitare, 1 qendër traumatologjie, 2 psikiatrike dhe 1 pediatri.
Skema e sigurimeve shëndetësore mbulon shërbimin mjekësor, spitalor dhe ilaçet për rreth 374 artikuj. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, i gjithë sistemi numëron rreth 2,039 mjekë të përgjithshëm, 1,587 mjekë të specializuar dhe 12,746 infermierë.
Në vitin 2009, administrata e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” përllogariti kostot e disa shërbimeve shëndetësore që ofrohen, ndërkohë që bashkë me koston për çdo pacient të trajtuar, është “matur” edhe shpenzimi i nevojshëm për të mbajtur të shtruar një pacient gjatë 24 orëve. Kështu shteti paguan shërbimin shëndetësor, por edhe shërbimin teknik për çdo pacient që kërkon ndihmë të specializuar. Konkretisht, brenda kostos, janë të përfshira medikamente, analiza, paga e personelit, pajisje shëndetësore, kontratë shërbimi, rehabilitim, energji elektrike, ujë, si dhe shërbime të tjera teknike apo profesionale. Ndërkohë që brenda kësaj kostoje, llogaritet edhe shpenzimi që i kushton shtetit çdo hallkë dhe çdo procedurë për të cilën duhet të paguhet nga administrata, duhet të përllogaritet në mënyrë që t´i jepet pacientit në momentin e nevojës. Disa prej shërbimeve nuk kanë kosto tepër të lartë, sidomos kur bëhet fjalë për konsultat apo shërbime rutinë, por të tjera kapin shifra të larta, në mënyrë specifike për medikamentet e sëmundjeve të vështira. Në spitalin e sëmundjeve të brendshme, për trajtimin e një pacienti, kostoja kap shifrën e 37,687 lekë, ndërkohë që për një ditë shtrim në repartet e këtij shërbimi, shteti paguan 6,205 lekë. Kirurgjia rezulton të jetë një nga shërbimet më të shtrenjta. Konkretisht, sipas përllogaritjeve të specialistëve të kësaj qendre, rezulton se për një pacient në shërbimin e kirurgjisë, spitalit i duhet të shpenzojë 87,864 lekë dhe për një ditë shtrim në këtë pavijon, shpenzimi kap shifrën e 10,242 lekë. Në shërbimin e onkologjisë, në pavijonin e tumoreve, për një pacient kostoja është përllogaritur të jetë 42,975 lekë, ndërkohë që për një ditë shtrimi, kostoja shkon në 18,943 lekë. Pediatria, shërbimi ku trajtohen fëmijët nga 0-13 vjeç, për një të sëmurë, kostoja është 46,482 lekë dhe për 24 orë shtrim, një ditë shpenzimi është 8,002 lekë.
Në shërbimin e infektivit, kostoja për një pacient shkon në 79,080 lekë dhe për një ditë shtrim, shpenzimi shkon në 13,023 lekë. Shërbimi i neurologjisë është një tjetër pavijon që trajton sëmundje të shpeshta mes shqiptarëve dhe ka kosto të larta. Për një pacient që shkon në neurologji, financimi është 89,389 lekë dhe një ditë shtrimi kushton 10,713 lekë. Në neurokirurgji, kostoja për një pacient kap shifrën e 59,103 lekë dhe për një ditë shtrim, fatura është 7,833 lekë. Psikiatria, një tjetër shërbim në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, e ka koston për një pacient 35,230 lekë dhe për një ditë shtrim 3,122 lekë. Në total, shpenzimet për një pacient shkojnë në 66,362 lekë për shërbim, ndërsa për ditë shtrim në 10,471 lekë.
Statistika për 41 spitale
1.4 spitale për 100,000
6.0 ditë qëndrimi mesatar në spital
178.6 zotërimi i shtretërve në ditë
52.1% zotërimi i shtretërve
Burimi: Ministria e Shëndetësisë
Raporti i nr. shtretër/ 1,000 banorë
Shqipëri: 2.9
Itali: 4.9
Greqi: 4.9
Turqi: 2.6
Maqedoni 0.4
Burimi: NationMaste