Greqi : Ambasadorja znj. Hajdaraga zhvilloi një takim në Ministrinë e Arsimit, me Zv/ Ministrin, z. Angelos Syrigos.

Greqi

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë në fushën e arsimit, rritjen e kontakteve mes institucioneve arsimore, shkëmbimin e vizitave në të gjitha nivelet – përfshirë edhe atë të ministrit, rinovimin e Programit të Bashkëpunimit mes dy vendeve, etj.

Ambasadorja Hajdaraga u ndal, veçanërisht, në mësimin e gjuhës shqipe fëmijëve shqiptarë në Greqi. Ajo foli për punën e bërë në këtë drejtim nga mësuesit vullnetarë me mbështetjen e Ambasadës, të Institucioneve shqiptare dhe shoqatave të shqiptarëve në Greqi. Në këtë kontekst, Ambasadorja falënderoi për mbështetjen që shkollat dhe bashkitë kanë ofruar për dhënien e lejeve dhe ambienteve për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, si dhe kërkoi lehtësimin e mëtejshëm të procedurave dhe krijimin e mundësisë që mësimi të zhvillohet edhe gjatë ditëve të javës, nëse do të ketë kërkesa.

Gjithashtu, Ambasadorja Hajdaraga kërkoi të konsiderohet mundësia që fëmijët shqiptarë ta mësojnë gjuhën amtare si pjesë të sistemit arsimor publik grek, në përputhje me konventat dhe obligimet, duke theksuar se bëhet fjalë për një komunitet të madh, të mirë-integruar në shoqërinë greke dhe me një kontribut të vlerësuar, kjo edhe në frymën e marrëdhënieve shumë të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë, si fqinjë dhe partnerë strategjikë.

Burimi : Ambasada Shqiptare në Greqi