Më 22.04.2023, Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi zhvilloi seminarin e 14-të të saj, me temë: “Përdorimi i metodave bashkëkohore në mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë”.
Seminari u zhvillua me mbështetjen e Ambasadës së RSh-së në Athinë, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Seminari bëri bashkë mësues nga Shqipëria, Greqia, Turqia, Maqedonia e Veriut, Italia, Mbretëria e Bashkuar.
Ky seminar u organizua në mjediset e Novus City Hotel, Athinë, por edhe në platformën Zoom, duke u dhënë mundësi të gjithëve mësuesve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë, jo vetëm të ishin të pranishëm në këtë seminar, por edhe të shfaqnin mendimin e tyre.
Seminari u hap me përshëndetjen e kryetarit të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi z.Pjerin Lleshi, i cili theksoi punën vetëmohuese dhe vullnetare të mësuesve në Greqi, dhe jo vetëm. Mësimi i gjuhës shqipe është misioni jonë, pasi vetëm kështu do të mbajmë të gjallë traditën dhe lidhjen me tokën mëmë.
Në seminar na nderuan me pjesëmarrjen e tyre:
Luela Hajdaraga, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Greqi;
Artemis Malo, Zëvendësministre në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë;
Mimoza Hysa, Drejtoreshë e Qendrës së Botimeve për Diasporën;
Nikolaos Vafiadhis, Nënkryetar i Bashkisë së Athinës për Çështjet Arsimore dhe të Digjitalizimit;
Ermal Sulaj, Kryetar i Komunitetit Shqiptar në Greqi.
Secili prej tyre, në fjalën e tyre përshëndetëse, falënderoi punën e palodhur të mësueseve të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, si dhe shprehën mbështetjen e tyre për ecurinë dhe vazhdimësinë e Lidhjes.
Kryetari i Komunitetit Shqiptar në Greqi, z. Ermal Sulaj, dekoroi Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, me titullin “
“Nderi i Komunitetit”, me motivacionin:
“Për kontribut të shquar në mbrojtje të pasurisë gjuhësore të kombit tonë, zakoneve, traditave dhe kulturës shqiptare jashtë kufijve të atdheut, duke mbështetur me sakrifica mbrojtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezi i dytë dhe i tretë i emigracionit shqiptar në Greqi”.
Përshëndetjet e të ftuarve i moderoi znj. Eriketa Qorlazja.
Seminari u organizua në dy seanca, të moderuara nga znj.Aurela Konduri dhe znj. Klarita Selmanaj.
Temat që u trajtuan në këtë seminar ishin:
Prezantimi i paketës ‘’Gjuha dhe kultura shqiptare – Niveli I’’. – Ervisa Paloka
“Metoda komunikuese dhe roli i teknologjisë në mësimdhënien e gjuhës shqipe’’ – Linda Mëniku
“Metodologji në mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë’’ – Aurela Konduri
Gjithashtu, pjesëmarrësit në sallë dhe kolegët që e ndoqën seminarin online, patën mundësi të ndiqnin ritualin “Teleisja e nuses ilire’’, nga Neshat Mehmedi, mësues dhe organizator i Karnavaleve Ilire, kryetar i shoqatës kulturore “Karnavalet Ilire”, Bozovcë-Tetovë, Maqedoni e Veriut.
Ky seminar i kaloi pritshmëritë e organizmit dhe të trajtimit të problemeve të ndryshme, pasi bashkëpunimi me të gjitha hallkat e hierarkisë ishte pika kyçe, kryesia e lidhjes, nuk është vetëm një organ vendimmarrës, i shkëputur nga mësuesit, por është zëri i tyre.
Kryesia përbëhet:
• Pjerin Lleshi, kryetar i LMSHG-së.
• Aurela Konduri, nënkryetare dhe koordinatore për Greqinë e Veriut.
• Eriketa Qorlazja, nënkryetare dhe koordinatore për Athinën.
• Klarita Selmanaj, nënkryetare dhe koordinatore për ishujt.
• Boralda Papajani, arkëtare.
• Majlinda Lipi, zëdhënëse shtypi.
E veçanta e këtij seminari ishte se për herë të parë, seminari u regjistrua dhe mori nr. ISBN-je (numri standard ndërkombëtar i librit), domethënë mundësohet identifikimi unik i botimit dhe ribotimit të materialit të seminarit, pra, certifikata e pjesëmarrjes do t’i vlejë secilit mësues në biografinë e tij profesionale.
Në fund të seminarit u shpërndanë certifikata për të gjithë pjesëmarrësit.
Κryesia e LMShG-së falënderon Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Greqi, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Qendrën e Botimeve për Diasporën, Komunitetin Shqiptar në Greqi, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në seminar.
(Marrë nga Facebook)