Greqia, taksë shtesë importeve nga Shqipëria

Ekonomi

importi ne focusGreqia ka në plan të vendosë një taksë ndëshkuese prej 26 për qind mbi të gjitha importet nga Shqipëria dhe një sërë vendesh të tjera, të cilat kanë taksa të ulëta mbi fitimin. Lajmi, i bërë publik në mediat greke por jo vetëm ka shkaktuar shqetësim të disa vendet njëherësh, të cilat janë pjesë e listës që do i nënshtrohen taksës. Qeveria e radikalëve të majtë thotë se përmes kësaj mase synon të luftojë evazionin duke parandaluar atë që njihet si fenomeni i trekëndëshit të tregtisë. Sipas kësaj skeme, mallrat që kompanitë greke i blejnë me çmime të ulëta jashtë vendeve të BE, si Kina apo ndonjë tjetër nuk i importojnë drejtëpërdrejtë në Greqi, por fillimish i shesin ato në mënyrë fiktive tek një vend i tretë, që ka taksa më të ulëta. Pra, nëse një kompani greke ble në Kinë një mall me kosto totale prej 100 euro dhe e shet atë në Greqi për 200 euro, diferenca prej 100 euro do t’i klasifikohet si fitim dhe do të taksohej me 26 për qind, aq sa është norma e tatim fitimit në Greqi. Por, nëse të njëjtin mall kompania e shet më parë fiktivisht tek vendi i tretë për 190 euro, ajo zhvendos pjesën dërrmuese të fitimit tek ky vend, ku taksa është më e ulët dhe në Greqi taksohet vetëm për diferencën 10 euro.  Qeveria greke thotë se për të shmangur këtë fenomen, të gjitha importet nga vendet e listuara sipas saj me taksa të ulëta do të taksohen me 26%. Megjithatë kompanitë mund ta marrin këtë pagesë mbrapsht vetëm pasi të kenë provuar se mallrat që kanë importuar nuk janë pjesë e kësaj skeme. Por, pavarësisht kësaj nisma ka shqetësuar fort një sërë vendesh. Në listë, përveç Shqipërisë ndodhet Bullgaria, Maqedonia, Irlanda por edhe Qipro, të gjitha vende të cilat kanë një normë më të ulët të tatim fitimit se sa Greqia. Bullgaria sakaq e paditi zyrtarisht nismën në Komisionin Europian, duke e klasifikuar atë si një masë që cënon tregtinë e lirë dhe vetë traktatin e BE-së.

 Burimi : Top Channel