E mërkurë, 30 Shtator, 2026

Rama: 62% e të burgosurve janë në paraburgim, mbi dyfishin e mesatares europiane! Reforma për dinjitet kombëtar, s’pranojmë të krahasohemi me Rusinë

Politika

Dikur kryeministri Rama bërtiste me fjalët burg-burg, por ja ku jemi sot. Paraburgimet ne Shqipëri ja kalojne për nga numri dy here Rusisë dhe dymbëdhjete here Bullgarisë…

Në Shqipëri, të paraburgosurit qëndrojnë mesatarisht 253 ditë në qeli, ndërsa në GJKKO koha arrin në 616 ditë. Rama thotë se s’mund të pranojmë të jemi “delja e zezë” e Europës për paraburgimet.

Numri i lartë i personave që mbahen në paraburgim në Shqipëri është një nga arsyet kryesore që ka nxitur ndryshimet e në Kodin e Procedurës Penale, të cilat u prezantuan sot nga ministri i Drejtësisë Toni Gogu dhe kryeministri Edi Rama. Më shumë se gjysma e atyre që qëndrojnë në paraburgim, janë ende në pritje të një vendimi. Një problem në fakt i trashëguar ndër vite. Pikërisht për këtë kryeministri Rama e quajti këtë nismë si një sfidë dhe kulturore. Paketa e prezantuar sot, saktësoi ai më tej, nuk prek shtyllat e reformës në Drejtësi, por forcon kontrollin e gjykatave mbi mënyrën se si prokurori ushtron kompetencat e veta.

Në Janar të vitit 2025 raporti i të paraburgosurve me popullatën e burgjeve, në vendet e Bashkimit europian ishte në një mesatare prej 26 përqind. Vende të veçantë e kishin këtë raport shumë më të ulët, deri dhe 7 përqind si në rastin e Bullgarisë. Shqipëria mban një rekord prej 62 përqind, për të njëjtën periudhë. Kryeministri Edi Rama tha se nuk pranojnë që vendi ynë të krahasohet me Rusinë, të cilën e cilësoi “atdheun e represionit”, ku sipas tij të paraburgosurit përbëjnë 30% të popullsisë së burgjeve, më pak se gjysma e nivelit të Shqipërisë.
“Në Shqipëri, peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga pesha represive e shtetit. Edhe sot, po të pyesësh një model të inteligjencës artificiale se cili vend mban barrën më të rëndë të paraburgimit ndër sistemet e të gjithë kontinentit europian, përgjigjja vjen shumë e hidhur: Albania. Raporti më i fundit i Këshillit të Europës për gjendjen më 31 janar 2025 tregon se 62% e njerëzve në burgjet shqiptare janë të paraburgosur. Pra, mbahen në burg për atë që akuzohen, jo për ndonjë dënim që kanë marrë. Mesatarja europiane e të paraburgosurve në po atë datë ishte 26%, ose, ndryshe, Shqipëria ishte më shumë se dy herë më keq krahasuar me mbarë Europën.
Në Greqi 24.8%, në Serbi 21.5%, në Maqedoninë e Veriut 14.3%, në Rumani 12.4% dhe në Bullgari 7%. Pra, ky nuk është ndonjë mallkim rajonal, as ndonjë rekord i pashmangshëm ballkanik. Është një problem shumë i rëndë shqiptar, të cilin duhet ta adresojë në letër, pa humbur kohë, Kuvendi i Shqipërisë dhe duhet ta pranojmë si sfidë të përbashkët për ta fituar, gjyqësori dhe ekzekutivi.

Ne, duke siguruar mbështetjen financiare dhe logjistike për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të punës së gjyqësorit, dhe magjistratët, duke iu përkushtuar zbatimit të kësaj pakete garancish si një mision dinjiteti kombëtar. Si mund ta pranojmë ne faktin që krahasimi me Rusinë të jetë edhe më tronditës? Atje, në atdheun e represionit, ku paraburgimi vendoset rëndom me një telefonatë, të paraburgosurit janë 30% e popullsisë së përgjithshme të burgjeve. 30%! Pra, as sa gjysma e Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Të nderuar prokurorë dhe gjykatës, ju lutem, nuk mund të vazhdojmë me shifra të tilla, pas të cilave ka jetë njerëzish, drama familjesh, trauma fëmijësh dhe pasoja nganjëherë të pariparueshme, jo vetëm për ata që i vuajnë, por edhe për shoqërinë. Jemi një vend shumë i vogël dhe një popull që vjen nga histori shumë traumatike për t’ia bërë vetes, me duart tona, dëmin kolosal të një politike të tillë penale”, tha Rama.

Në fakt shifrat për Shqipërinë, nuk u rritën brenda vitit. Fenomeni i numrit të lartë të personave që mbahen në qeli, në pritje të një vendimi të gjykatës, është i kahershëm. Në juridiksionin e përgjithshëm, qëndrimi mesatar në paraburgim arrin në 253 ditë në Shqipëri kundrejt rreth 155 ditëve në vendet e BE-së. Ndërsa në Gjykatën e Posaçme kjo kohë ngjitet në shifrën e 616 ditëve

“Qëndrimi mesatar në paraburgim arrin në 253 ditë në Shqipëri, më shumë se tetë muaj, kundrejt rreth 155 ditëve në vendet e Bashkimit Europian, ku për kohën e paraburgimit ka edhe kufizime të arsyeshme që në Shqipëri mungojnë plotësisht. Ndërsa në Gjykatën e Posaçme kjo kohë ngjitet në shifrën e paimagjinueshme për Europën: 616 ditë, ose më shumë se një vit e tetë muaj, krahasimisht me mesataren pesëmujore të Europës.

Janë shifra rrëqethëse që flasin vetë dhe nuk është se kjo lebeti çnjerëzore lindi dje. Prandaj do t’i ftoja të bëjnë kujdes të gjithë ata që mund të nguten ta shohin këtë realitet kaq të zymtë përmes syzeve të negativitetit ndaj reformës në drejtësi. Qysh në vitin 2006, 10 vjet përpara reformës në drejtësi, një studim i Prezencës së OSBE-së në Tiranë ka konstatuar se 41% e të paraburgosurve nuk e kishin takuar mbrojtësin e tyre përpara seancës ku u vendos për heqjen e lirisë së tyre, ndërsa 59% e avokatëve të tyre nuk kishin qenë të pranishëm në marrjen e parë në pyetje nga Prokuroria të klientëve”, tha Rama.

Për kryeministrin Edi Rama, përpjekja për t’i dhënë një përgjigje kësaj situate përmes ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale është një sfidë për dinjitet kombëtar.

“Në vitin 2016 nisëm t’i jepnim fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Në vitin 2026 duhet të nisim t’i japim fund edhe kulturës së paraburgimit si përgjigje automatike; të hetimit pa afat, si ushtrim force arbitrare mbi individin dhe të procesit ku qytetari hyn si i pa barabartë. Deviza jonë e përbashkët në këtë sfidë që është në radhë të parë kulturore duhet të jetë: Barazia para ligjit nuk vlen vetëm për individët përballë gjykatës, por edhe për shtetin përballë individit në sallën e gjyqit.

Ekzekutivi në këtë sfidë të cilën unë e konsideroj sfidë për dinjitet kombëtar, është cënim i drejtpërdrejtë i dinjitetit kombëtar që Shqipëria të figurojë si ‘’delja e zezë’’ e mbarë Europës dhe një ‘’dele e zezë’’ që duket dy herë më larg sesa të gjithë të tjerët dhe prandaj unë e konsideroj këtë si një sfidë të përbashkët ku ekzekutivi ka përgjegjësinë e vet që kjo sfidë të fitohet bashkërisht dhe ne do ta mbajmë këtë përgjegjësi pa asnjë diskutim”, tha Rama.