Dr. Sulejman Abazi (NESHAJ) Është folur shpesh që, kjo klasë politike dhe politikanët e plotësuan misionin e tyre dhe duhet të largohen nga drejtimi i shtetit dhe shoqërisë.
Është folur dhe flitet për sevilizmin politik të pajustifikuar të tyre, të cilët për hatër të karrierës politike, apo për motive të tjera, kanë shfaqur një nënshtrim të paskrupullt ndaj presioneve, ndërhyrjeve të faktorit ndërkombëtar, i cili prej qarqeve ekstremiste shpesh kanë ngatërruar punë duke ofruar mbështetje politike me frymë partiake, duke rritur më tej tensionet politike të brendëshme.
Askush në Shqipëri nuk mendon më se nuk ka diplomat të pakorruptuar apo interesaxhinj, të denoncuar me emra konkret, deri eurodeputetë.
Politikanët tipikë në mentalitetin ballkanas e kanë sjellë politikën shqiptare në rajon pa kockë dhe pa bosht.
Ata kanë dhunuar, injoruar dhe shmangur institucionet nga e drejta e vendimarrjes, duke mos dhënë llogari asnjëherë për shkelje të normave ligjore.
Askujt nuk i bën përshtypje, pse në këto shtete nuk njihet institucioni i dorëheqjes përballë paaftësisë, skandaleve apo përfshirjes në afera, edhe kur ato bëhën publike.
Nuk kanë munguar denoncimet mbi korrupsionin e lartë, aferat e fshehta mbi pasurinë kombëtare, përfshirja e emrave të veçantë në ngjarje kriminale, përfshirja e tyre brenda rrjeteve të trafiqeve dhe të drogës me përfitime individuale e grupore krimianle.
Ata duhet të kthejnë pas gjithçka që kanë fituar e grabitur padrejtësisht.
Nuk kanë munguar denoncimet mbi nxitjen atrificiale të konflikteve të brendëshme politike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, si faktor destabilizues dhe frenues në zhvillimin e demokracisë dhe të ekonomisë rajonale, me përgjegjesi të specifikuara mbi klasën politike.
Si ka mundësi që për dekada të vazhdohet të bashkëpunohet me të njejtit njerëz në krye të politikës ballkanike, të cilët janë përgjegjës direkt për konfliktet politike, për premisat e prapambetjes së rajonit, për të gjithë fatkeqësitë që kanë pësuar shtetet në Ballkanin Perëndimor, dhe asnjeherë prej tyre nuk janë parë reflektime, ndryshime, por vetëm imponim duke i kthyer përgjegjësitë e tyre në vlerë fitoresh.
Për dekada vazhdohet të dëgjohen të njejtit njerëz, të çimentuar pas pushtetit, të pasuruar në mënyrë të paligjëshme, të kthyer në njerëz “të fuqishëm”, të paprekshëm nga drejtësia ku përballë tyre heshtja dhe mosveprimi stonojnë duke shkatërruar me duart tona shtetndërtimin?
Në institucionet europiane pak kush ngre zërin kundër nxitjes së dezinformacioneve, shpifjeve, fyerjeve publike, dhunimeve të ligjeve, akteve korruptive ku sistematikisht po përdoret vetëm përballja publike dhe asnjëherë ajo ligjore.
Është kujtuar shumë vonë Europa të denocojë mentalitetin politik ballkanas, përballë rritjes së frymës së antiamerikanizmit dhe rrezikut të depërtimit rus në Ballkanin Perëndimor. Konstatimi nuk sjell diçka të re, pasi ka ndodhur edhe më parë.
Nxitja e krizës politike në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup vetëm format mund të kenë të ndryshme, por si ngjarje ato kanë një prapavijë, mbështetjen dhe ndërhyrjen ruse. Qëndrimi europian në këtë situatë është i pafalëshëm.
Mund të vazhdojmë akoma të sjellim argumente pa fund për alarmin e dhënë mbi situatat politike rajonale, veçanërisht në territoret e banuara me shqiptarë, por këto janë të besueshme vetëm kur thuhen nga ndonjë “i rëndësishëm”, i cili nuk bën asgjë tjetër, veçse vjel mendimet e opinionit dhe publikon përfundimet individualisht. Këtij trafiku të mendimit dhe të ideve duhet t’i jepet fund.
Ndoshta një ditë këto fjalë që sot peshojnë rëndë, do të venë në atë pikë nxitje, që do të përmbysin malet dhe dhimbjen njerëzore, drejt një aspirate për një jetë më të mirë, për Paqe e Liri të vërtetë, për unitet dhe dinjitet kombëtar, për këtë Shqipëri, që sot ndihet e tronditur nga habia e bëmave ogurzeza të njerëzve që ka lindur nga barku i saj.
Urojmë që një ditë të kuptojmë marrëzinë kolektive që na ka mbërthyer dhe të kthjellojmë mendjen kundër kësaj tradhëtie të hapur në dritën e diellit, që ka vënë partitë dhe partiçkat mbi Shqipërinë.
Njerëzit e mirë të kombit kudo janë midis nesh. Ata kërkojnë hapësirë për të ngritur zërin e arësyes kundër mosdashjes politike, të një klase politike që vendin e ka vetëm para ndëshkimit të drejtësisë dhe askund tjetër.
E vërteta është atje ku shfaqet, ku publikohet, ku ushqehet me paanshëmërinë politike, në interes të paqes, zhvillimit dhe stabilitetit të rajonit.