Katër vende evropiane dëbojnë 20 diplomatë rusë.

Bota

Bullgaria, Letonia, Lituania dhe Estonia deportuan gjithsej 20 diplomatë rusë, duke shkaktuar një përgjigje të ngjashme nga Ministria e Jashtme ruse.

Diplomatët u deportuan ose janë planifikuar të largohen nga vendi në një lëvizje të koordinuar në përgjigje të “aktiviteteve kundër regjimit diplomatik dhe në dritën e pushtimit të vazhdueshëm rus të Ukrainës”, shkroi në Twitter ministri i Jashtëm letonez Edgars Rinkevics.

Ministria e Jashtme e Estonisë tha në një deklaratë se kishte dëbuar diplomatët për “minim të drejtpërdrejtë dhe aktiv të sigurisë së Estonisë dhe përhapjen e propagandës që justifikon veprimin ushtarak të Rusisë”. Lituania tha se dëbimet e saj ishin “në solidaritet me Ukrainën”. Ministria e Jashtme bullgare tha në një deklaratë se një notë zyrtare i ishte dorëzuar ambasadorit rus në kryeqytetin Sofje, duke kërkuar që 10 diplomatë të largoheshin nga Bullgaria brenda 72 orëve për përfshirjen e tyre të supozuar në “aktivitete të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik”.

Eleonora Mitrofanova, ambasadorja e Rusisë në Bullgari, e përshkroi vendimin si “jomiqësor”. “Ne e perceptojmë atë si një akt jashtëzakonisht armiqësor dhe rezervojmë të drejtën për t’u përgjigjur”, citohet të ketë thënë Mitrofanova nga agjencia e lajmeve TASS.
“Të gjitha deportimet e pabaza të diplomatëve rusë do të marrin përgjigjen e duhur”, tha Maria Zakharova, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.

Kjo është vala e dytë e dëbimeve të diplomatëve rusë nga Bullgaria. Më 2 mars, Sofja deportoi dy diplomatë rusë me akuzën e spiunazhit.

Bullgaria, aleati më i ngushtë i Rusisë gjatë Luftës së Ftohtë, por tani një anëtar i Bashkimit Evropian dhe pjesë e aleancës së NATO-s që ka dënuar pushtimin e Ukrainës, ka dëbuar tetë diplomatë të tjerë rusë me akuza për spiunazh që nga tetori 2019. Të hënën, Sllovakia, një Anëtari i BE-së dhe NATO-s, dëboi tre zyrtarë të ambasadës ruse bazuar në informacione nga shërbimi i saj sekret.