Këtu nuk na ndihmon shteti, se ne, bëhemi më të mirë se bota

Aktualitet

Nga Xhensila Demollaj 

Drejt Zadrimës të shoqëron një mot i ngrohtë, saqë i ngjan disi edhe butësisë së krahinës drejt së cilës udhëtojmë. Njerëz të buzëqeshur dhe me një humor të hollë, që njihen gjithandej. Ne ndalojmë në Vaun e Dejës. Përpara se t’i afrohesh qendrës së qytetit duket përballë hidrocentrali. Miku ynë, Ded Smakaj, na pret buzagaz në hyrje të një lokali të lagjes. Burrat në zonë diç po bënin muhabete politike. Ca prej tyre edhe hidhnin baste për situatën në vend. Ndërsa, Deda, me pasion tregonte për fermën e tij. “Ne, krahët tanë na mbajnë mor miq. Edhe këtë fermë që kam ndërtuar, është bërë me djersën time. Unë vij nga një familje që e kam pasur traditë blegtorinë. Në këtë zonë të Vaut të Dejës jam i ardhur. Mirëpo, profesioni im ka qenë kuzhunier. Tani, e ushtroj profesionin vetëm kur më detyron gruaja”, thotë me humorin shkodran Deda. Fermeri Smakaj ka që prej vitit 1994 që është futur në sektorin e blegtorisë.

Traditë e prindërve dhe e familjes, të cilën ai mendon ta çojë më tej. “Do ta kthej këtë vend në një zonë agroturistike”, tregon vizonin e tij, shkodrani, teksa rrëfen edhe historinë e ndërtimit të fermës. “Si biznes është ndërtuar që në vitin 1994. Pastaj, në vitin 2001 kemi operuar me pak blegtori. Filluam me 20 -30 dosa në prodhim. Kemi vijuar duke u rritur dhe kemi ardhur deri në 120 dosa në prodhim. Kemi arritur edhe përpunimin e nënprodukteve të mishrave të thata, të sallamit dhe të gjitha këto janë të certifikuara. Në vitet e fundit, sidomos këto 10 vitet e fundit nga gjithë reklamat që ka dhënë qeveria shqiptare tregon që biznesi do futet në subvencionim, por problemi i blegtorisë është futur në disa vende për dele dhe dhi, por për derrin nuk është përmendur asnjëherë. A është xhelozi se është derr, ose s’kemi çuar zërin ne, se s’ka mundësi, një defekt është”, tregon me buzëqeshje dhe zhgënjim Deda, teksa vijon.

“Kjo është vështirësi e madhe se të prodhosh 200 derra, t’i rritësh, t’i therësh, ky është një fitim i madh për shtetin, se të paguash rrogat e punëtorëve, sigurimet e punëtorëve, blerjen e ilaçeve. Ne këtu  çdo gjë e kemi prodhim të brendshëm. E kemi lindjen e gicit, rritjen, përpunimin e tij, pra kemi një lloj procesi të mbyllur. Unë derrat i kam marrë këtu, prej vendit në Shkodër. Jam munduar të mbaj një rracë gjenetikisht të pastër”. Sakaq, Deda, po kërkon të tentojë drejt agrobiznesit, për të cilin ai thotë se është sfidë e vështirë, ku shteti duhet të japë ndihmën e tij. “Aktualisht, po mendojmë që të kemi një cikël të mbyllur të agrobiznesit në mënyrë që të punojmë vetëm me produktet tona. Pra, të kemi një restorant. Kjo është zonë që konsumohet mishi i derrit sepse është një zonë katolike. Mirdita, Puka, Shkodra, këto janë tre vendet që e konsumojnë më shumë mishin e derrit. Unë kam parë edhe ferma jashtë shtetit. Duke parë që atje biznesi ecte mirë, produkti shitej, mendova pse jo? Sepse vetëm në Shqipëri është thënë që mishi nuk shitet, këtu gjithçka shitet. Këtu ka hyrë edukata, por dhe fukarallëku,  edhe mënyra se si tregtohet biznesi bëjnë të vetën, importet fitojnë më shumë terren. Një mish në Krrabë bën 800 lekë kilogrami, një kile sallam bën 300 lekë. Tani më thuaj, çfarë mishi është ai i sallamit?! Ku ka mish me 300 lekë kilogrami”, thotë fermeri, teksa tregon edhe për fermat e huaja.

“Ne donim diçka që të kishte emër në profesion. Por, duhet të prodhosh. Kur kemi hyrë te prodhimi na ka hyrë ideja që të shkojmë te baza e agroturizmit. Në Itali më çuan në një restorant ne periferi të Romës dhe më treguan një agrobiznes. Ai kishte fituar titullin agrobiznes dhe kishte një kopësht të vogël, 3 pula, dy dhenë, kurse unë kam me dhjetëra krerë dhi, rosa, pata. Kam 50 dhi dhe 50 dele, ndërsa pula kam 500 kokë. U nisa me këtë ide sepse edhe vetë koha do luftojë që do shkojnë te agrobiznes se fëmijët që po vijnë nuk dinë se nga vjen veza, pula, derri, etj. Detyrimisht do kthehen te agrobiznesi. Megjithatë, ne nuk jemi shumë larg botës sepse jemi punëtorë, por jemi larg botës se nuk kemi shtetin që ta nxisë dhe ta ndihmojë punëtorin. Shteti jashtë subvencionon fermat, i ndihmon, i rri afër me specialistë, ndërsa këtu në vend që të vijnë të ndihmojnë, të shkatërrojnë, vijnë të fikin dritat, të gjitha mënyrat. Këtu është gjithçka mbrapsht”.

Kujdesi për kafshët me recetë ushqimore

Të kujdesesh për kafshët është njësoj si të kujdesesh për një njeri. Veterinerët këmbëngulin në recetën ushqimore, e cila jo vetëm eliminon problemet nga sëmundjet, por edhe ul kostot e shpenzimeve për ushqim me tepri. “Të gjitha kafshët, por në rastin e fermës në fjalë, derri duhet të ketë mjekimin që kur është gic dhe deri në rritje, me mjekimin e duhur, me vaksinimin e duhur, me mbikqyerjn sepse në çdo periudhë ka ushqimin e vetë. Kafsha duhet të ketë një recetë ushqimore si njeriu. Një sëmundje që e kap një kafshë nuk e kap një tjetër. Është mirë që fermerët të tregohen të kujdesshëm në ushqimin e tyre”, thotë Edison Gjoni, veteriner.

Si na çonte partia për t’i shërbyer kafen Ramiz Alisë

Për Ded Smakaj punës ia ndjen lezetin vetëm kur e bën me mundin tënd. Ai tregon sakrificën që e gjitha familja bën në këtë biznes pa marrë fokusime në fusha të tjera. “Investimi që kam bërë është me mund, me sakrificë, gjithë familja, gruaja, djali. Nuk di të të them fiks sa më ka kushtuar sepse është një fermë që është bërë shto miell dhe shto ujë.  Është edhe një fermë e rritjes së peshkut, rritje së krapit, këtu ka ullinj, pata, pula, dele, dhi, bletë, fruta me kivi, hardhi.

Janë rreth 3.5 hektarë në pronësi, që e kam të shfrytëzuar për këtë pjesë për idenë e agrobiznesit. Unë jam futur në treg dhe më njeh tregu. Nuk kam superprodhim. Unë prodhoj 2000 derra në vit. 1000 shiten gica për minifermat dhe familjet që duan t’i mbajnë, 1000 i therim. Përpos kësaj jemi munduar të operojmë dhe me përpunimin, i cili është gati në mënyrë natyrale, tymosjen për tharjen e kemi në mënyrë natyrale, ndërsa sallamet dhe këto mundohemi ti bëjmë pak me teknologji dhe pak me dru zjarri”, tregon Ded Smakaj.  Fermeri Smakaj, sot është 55 vjeç.

Gjatë rrëfimeve për profesionin e kuzhunierit, ai kthehet shumë vite pas, atëherë kur ishte një djalë i ri dhe punonte në një nga restorantet në zonën e Komanit. Edhe sot, e kujton se si i ka shërbyer Ramizë Alisë dhe Adil Çarçanit. “Isha djalë i ri. I kam shërbyer Ramiz Alisë, i kam shërbyer Pjetër Arbnorit, thuajse gjithë udhëheqësve. Kam punuar në Milot, Rrëshen, Klos, në ato zona ka qenë restoranti. Në zonën e Komanit. Përgjithësisht udhëheqësit hanin shumë thjeshtë. Nuk kishin preferenca të mëdha në ushqim, pasi edhe mundësitë e gatimit të pjatave të atilla kanë qenë. Megjithatë, kishin shije. Më kujtohet se Adil Çarçanit  i kam përgatitur gic. Ndërsa, Ramiz Alisë i kam shërbyer kafe gjatë lëvizjes së parë të trenit nga Miloti në Rrëshen. Iu dukeshim simpatikë, se kemi qenë të rinj dhe na zgjidhte partia. Na thoshte, dilni ju të shërbeni, jeni simpatikë”, tregon me nostalgji Ded Smakaj.