Në një konferencë për shtyp, ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, u ankua se qenkan bllokuar negociatat me Shqipërinë për shkak të kontradiktave mes presidentit dhe qeverisë, ndërsa burime të pakonfirmuara dëshmojnë se ka ndodhur diçka e rëndë.
Anëtarë të grupit negociator kanë rezerva për marrëveshjen, prandaj nuk e firmosin dokumentin. Mungesa e transparencës në nënshkrimin e traktateve dypalëshe dhe ndërkombëtare nuk është gjë e re për qeveritarët shqiptarë.
Jemi kthyer në kohën e pazareve të Esad Pashës dhe Ahmet Zogut. Janë të pafundme marrëveshjet e gabuara të Shqipërisë në këto dekada, si anëtarësimi në Konferencën Islamike, traktatet e miqësisë me Greqinë, pa hequr Ligjin e Luftës, rezolutat mbi konfliktin Izraelito-Palestinez, marrëveshja për strehimin e 2700 muxhahedinëve iranianë, apo rezoluta në OKB, dhe së fundi plani për zhvendosjen nga BE në Shqipëri të qindramijë refugjatëve me aktivitet apo implikime terroriste, e iniciuar nga kryeministri i Shqipërisë. Vendi ynë i vogël nuk ka as interes dhe as arsye të marrë përsipër role që u takojnë vendeve të tjera.
Firmosja e marrëveshjes së detit nga Berisha dhe Basha në vitin 2009 i dhuronte Greqisë afro 255 kilometra katrorë hapësirë detare shqiptare. Një vit më vonë, kjo marrëveshje u bë nul nga Gjykata Kushtetuese. Ishte një marrëveshje që u bë në fshehtësi, me urgjencë dhe pa transparencë. Të njëjtën gjë kërkon të bëjë kryeministri i sotëm. Duhet të jetë e qartë si për Tiranën, për Prishtinën dhe për vendet e Perëndimit: Shqiptarët nuk janë të gatshëm dhe refuzojnë kategorikisht dhe absolutisht të lëshojnë territore të tyre si çmim për t’u integruar në Europë. Këtë çmim shqiptarët e hedhin poshtë me indinjatë. Nuk mund ta pranojnë kurrsesi. Fuqitë e Mëdha i kanë copëtuar trojet tona në favor të Serbisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Ato, mesa duket, janë gati të mbështesin apo diktojnë copëtime dhe aneksime të reja të hapësirave tona. Kjo nuk mund të vazhdojë. Ky është një turp i madh, turp, poshtërim dhe çnderim!
Po tradhtohet edhe çështja çame, po pranohet kushti grek që kjo dosje nuk ekziston, pra, që ky gjenocid nuk është kryer. Çështja çame është pjesë thelbësore e çështjes sonë kombëtare. Të drejtat njerëzore të Çamërisë duhet të mbrohen në çdo rast. Çamët janë shtypur e dëbuar me gjenocid dhe me dënime kolektive. Ata duhet të kishin rifituar me kohë të drejtat e tyre njerëzore si të gjithë qytetarët e Europës.
ZGJIDHJA ushqen ndjenjat më të larta të miqësisë për popullin grek dhe do punojë me vendosmëri për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve dhe dy popujve tanë duke kërkuar gjithmonë zgjidhjen e problemeve të trashëguara, por pa krijuar probleme të reja.
ZGJIDHJA vlerëson se çështjet e pazgjidhura me Greqinë nuk mund të paketohen, ashtu si po synohet të bëhet, ku palët kanë vendosur përpara 10 marrëveshje dhe kanë harruar Çështjen Çame që është ndër çështjet më të rëndësishme për palën shqiptare. Nëse marrëveshja do ishte në paketë, atëherë do të ishin 11 marrëveshje; Çështja Çame dhe dhjetë të tjera.
Kaq shumë probleme sa po negociohen njëherësh rrezikojnë të shpërqendrojnë opinionin dhe ekspertët. Diplomacia duhet t’i japë secilës çështje kohën e duhur, jo t’i kalojë me aksion. Bashkim në paketë i kaq shumë problemeve dyshojmë se synon të fshehë koncesionet e palës shqiptare për detin dhe Çamërinë. Ajo që thuhet nga zërat, se pala shqiptare ka pranuar të mos jetë palë e Zonës Ekskluzive Ekonomike detare, po ndodh në praktikë. Kompania ndërkombëtare që operonte për kërkimin e naftës në det në bllokun detar në kufi me Greqinë u largua nga Shqipëria dhe e prishi kontratën para disa muajsh. ZGJIDHJA vlerëson se nuk ka ngut në caktimin e kufirit detar me Greqinë, nuk ka deadline. Nuk ka interes më të lartë se sovraniteti kombëtar mbi teritorin e vendit. Rumania dhe Bullgaria kanë 27 vite që diskutojnë për 17 kilometër hapësirë detare. E njëjta gjë edhe mes Sllovenisë dhe Kroacisë. Italia dhe Shqipëria diskutuan 25 vjet para se të nënshkruanin marrëveshjen e kufirit detar. Në kushtet, kur nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, partia ZGJIDHJA kërkon nga presidenti dhe Ministria e Jashtme që të ndërpriten këto bisedime dhe të bëhen në një kohë të përshtatshme për diplomacinë tonë dhe për publikun. Çdo marrëveshje me urgjencë, më e pakta do të ishte gabim, por pasojat të çojnë në tradhti kombëtare.