Kreu i partisë “Zgjidhja” Koço Kokëdhima u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos dekurajohen dhe të mos braktisin vendin për shkak të regjimit të kusarëve dhe kriminelëve.
Reagimi i Kokëdhimës vjen pas publikimit të raportit vjetor të situatës së azilantëve, sipas së cilit që nga viti 2013 afro 157 mijë qytetarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil, ndërsa sipas INSTAT-it 651 persona kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare vetëm gjatë 2017-s.
Deklarata e plotë
Mos e lini Shqipërinë! Rilindja po e zbaton me sukses planin e saj ogurzi për ta zbrazur vendin nga pjesa më vitale e shoqërisë. Raporti vjetor i situatës së azilantëve, një publikim i Bashkimit Europian, thotë se që nga viti 2013, rreth 157 mijë qytetarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil, duke e bërë Shqipërinë që të renditet e para në botë, duke tejkaluar edhe azilkërkuesit që po ikin nga lufta dhe konfliktet. Sikur të mos mjaftonte kjo gjithnjë e më shumë shqiptarë po kërkojnë që të heqin dorë nga shtetësia shqiptare.
Sipas INSTAT-it, 651 persona hoqën dorë nga shtetësia shqiptare në vitin 2017. Kjo shifër është dyfish më e lartë se e atyre që duan të marrin një pasaportë shqiptare. Kështu Shqipërisë nuk po ikin përkohësisht vetëm mjekët dhe infermierët, por përgjithnjë edhe shtetasit e saj. Jeta në Shqipëri është bërë e pamundur për 40 për qind të popullsisë dhe shumë e vështirë për mbi 80 për qind të saj.
ZGJIDHJA u bën thirrje shqiptarëve që të mos dekurajohen dhe të mos e braktisin vendin, edhe pse këtu është instaluar një regjim hibrid shtypësish, kusarësh e kriminelësh që shkel me këmbë këdo që nuk është me të. Këtë e dinë shumë mirë edhe ata qindra mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë në shoqëritë demokratike të Perëndimit.
ZGJIDHJA do të ndërtojë një shoqëri ku pasuria, arsimi, shëndetësia, të mirat, të drejtat dhe zhvillimi t’u mundësohen të gjithëve dhe të jenë në duart e shumicës. Rishpërndarja e pasurisë dhe e burimeve është e pashmangshme dhe e domosdoshme për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, që ata të mos ndjehen të detyruar që të lënë shtetësinë, por të ndërtojnë jetën në vendin e tyre. #ZgjidhjaPërShqipërinë/ shekulli/