Remitancat për 9 mujorin u rritën me 1%

1028

Vala e emigracionit më 2015 duket se i ka çuar në rritje të ardhurat nga puna e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë të ardhurat nga remitancat gjatë periudhës 9-mujore 2016 arritën në 449 milionë uro me një rritje vjetore prej 1 për qind. Rritja e remitancave u përshpejtua në tremujorin e tretë duke arritur ne 159 milionë euro me një rritje mbi 5 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit. Pasi remitancat shënuan rënie të vazhdueshme pas kulmit të arritur në vitin 2007, rrjedhojë e tendencës ciklike dhe krizës globale, në 2015-n, ato nisën sërish rritjen. Kjo dukuri u shpjegua nga ekspertët me rigjallërimin e emigracionit. Në gjysmën e parë të 2015-s, remitancat u rritën me rreth 18%. Por, gjysma e dytë shënoi sërish rënie, ku efektin kryesor e dha kriza në Greqi, teksa shteti helen rrezikoi deri daljen nga euro dhe mbylli bankat e ndaloi transfertat në korrik. Në tremujorin e tretë, paratë që emigrantët dërguan në shtëpitë e tyre ranë me 18%, tendencë që vijoi dhe në muajt e fundit, ndërsa për gjithë vitin, ato u rritën me 1%.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar, 10 mijë. Sipas censusit të fundit të INSTAT-it, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë 40% të atyre që banojnë në vend. Rigjallërimi i emigracionit vitin e fundit (pavarësisht kthimeve të larta një pjesë do të arrijnë të integrohen) pritet të zgjasë më tej ciklimin e remitancave në vend./Monitor/

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: