KOLEC TRABOINI : FYTYRA DHE SHPIRTI- DY OBLIGIME PËR EMIGRACIONIN

Kulture

( Prologu i Antologjisë poetike “Balada e largësive” botim i gazetës “Egnatia”, Athinë 1995)

Humbjen e personalitetit e konsideroj tragjedinë më të madhe të emigracionit. Luhatjet, mundimi fizik e shpirtëror, mungesa e lidhjeve me punën intelek- tuale, e komunikimit me njerëzit e afërt, me vendlindjen, imazhi me të cilin të konceptojnë të tjerët, fshirja e historisë tënde, lënia në harresë e cilësive intelektuale duke e kthyer njeriun veç në një mjet pune; ishte tundimi i madh gjer në tronditje që më shtyti në themelimin e gazetës “Egnatia”.
Ishte një obligim shpirtëror për të krijuar fytyrën e vërtetë të emigrantit, i cili kurrsesi nuk mund të ishte ai i kronikave renqethese, nuk mund të ishte vetëm njeriu i rrugës.
Emigranti kishte botën e tij, ëndrrën e tij, shpresën e tij.
Përpara ngjarjeve aq tronditese në radhët e emigracionit gjithsesi nuk besoja se idealet e zemrës së mirë kanë vdekur. Kjo është një e vërtetë që u shfaq në faqet e gazetës “Egnatia”, që erdhi gradualisht, u zbulua shkallë shkallë…
Emigrantët nisën të hedhin në letër gjendjen emocionale që përjetonin, mallin, dashurinë, dhembjen, trishtimin. Dhe pa kurrfarë droje nga kodet poetike, por duke i shkruar, siç e pohonin shpesh në biseda e letra, ashtu siç u vinin ndërmend. Ndodhen larg vendit, kanë mall e marrin lapsin e letrën. Me ke tjetër duhet t’i komunikojnë mendimet, ndjenjat?
I kam jetuar edhe vetë këto çaste kur punoja me karrocën e betonit në hapësirën e Atikisë, në ishuj, në Egjine, në largësinë plot lagështirë të Lefkadhes prej nga shihej Korfuzi, e në thatësirën torturuese në Evia ku murmurisja vargjet “Të rrosh emigrant në Athinë”. I kam ndjerë kur laja shtëpi e zyra, madje dhe Rojterin në Athinë.
Prandaj bota e atyre që shkruanin vjersha është dhe bota ime. Gjithmonë kemi ndarë së bashku një dhembje.
Në Monastiraq ku shisja gazetën “Egnatia” dhe kaseta muzikore shqiptare, me afrohet një mesoburrë. Më thonët quhem Thoma Prifti. S’ kam shkruar kurrë në jetën time, por si më erdhi dhe hodha ne letër ca mendime. Ishte një letër e shkruar si me nxitin e pothuaj e mbledhur shuk. Pastaj me tregoi se punonte në ndërtim ne Kalogrezë. Kur e pashë të largohej me të shoqen për krahu, nuk e di perse ndjeva dhembje, ndjeja atë që kishte ndjerë edhe ai në vargjet referen “Jetojmë – Nuk jetojmë”.
Pas ca kohe poezia u botua. Por nuk e di përse nuk u bë më i gjallë Thoma Prifti dhe me vjen keq për këtë. Ka autorë të formuar në rradhët e poetëve emigrantë, ashtu siç ka edhe të tjerë që sjellin ndonjë poezi e me pas nuk u dihet fati. Kur poezitë e fillestarëve vinin të pabotueshme na takonte neve të linim diçka në vargjet e bashkëvuajtësve, sepse, ashtu si poetin e krijon vetmia dhe e kërkon vetminë si një kusht krijimi, por nuk rri dot pa i komunikuar mendimet; ashtu dhe emigrantët ne dhe të huaj nuk mund të rrinë pa ndihmuar njeri-tjetrin, pa u mbështetur tek njeri-tjetri, pa dhënë e pa marrë nga dhembja, pa dhënë e pa marrë diçka nga bota e shpirtit.
Për këtë e quajta obligim shpirtëror edhe krijimin e këtij libri, për t’u përcjellë lexuesve në Shqipëri dhe në Greqi, emocionet, ndjenjat, mendimet, flladin e shpirtit të emigrantëve, atë mall e atë brengë që ta jep vetëm largësia – kjo Baladë e lashtë sa vetë bota.
KOLEC PALOK TRABOINI, (Themelues e Kryeredaktor i gazetës “Egnatia”, Athinë 1995)