KOMANDIM – KONTROLLI, BËMAT E KODHELIT

Kryesore Opinion

Azem PARLLAKU  /  Siguria dhe mbrojtja e vendit mbështetet në zhvillimin dhe përdorimin e integruar të elementëve të fuqisë kombëtare, nëpërmjet një qasjeje gjithëpërfshirëse ndërinstitucionale. Krahas komponentit politik (diplomatik), ekonomik, informativ e social, Forcat e Armatosura luajnë një rol vendimtar në sistemin e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Kështu thuhet në dokumentin “Strategjia Ushtarake e Republikës së Shqipërisë”, e cila jep parimet dhe konceptet kryesore për zhvillimin, përdorimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Është e padiskutueshme që, burimet njerëzore janë pjesa më e rëndësishme dhe më aktive e burimeve të mbrojtjes. Ushtarët, nënoficerët, oficerët, aktivë e në rezervë, si dhe punonjësit civilë janë aseti kryesor, si dhe prioritet i parë i Forcave të Armatosura. Konsolidimi i forcës profesioniste nënkupton një forcë cilësore të motivuar, të trajnuar, të pajisur dhe të ndërveprueshme me forcat aleate. Zhvillimi i forcës profesioniste ka në themel një sistem cilësor të rekrutimit të personelit në Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet politikave dhe strategjive që mbështeten në vlera, si dhe në përfitimet dhe garancitë sociale për personelin dhe familjet.

Pyetja shtrohet; A garanton ky sistem shanse të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, pa dallim race, gjinie e përkatësie, si dhe trajtim dinjitoz të tyre, gjatë gjithë karrierës dhe pas saj? Praktikisht përgjatë drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes nga zonja Mimi Kodheli, është propaganduar se: rekrutimi i personelit ushtarak bëhet i përqendruar nën një autoritet të vetëm. Kodheli vendoset në krye të fushatës së rekrutimit, duke moszbatuar raportet e drejta të përfaqësimit krahinor e gjinor, ç’ka ka ndikuar në nivelin e gatishmërisë së kapaciteteve luftarake. E ndërsa pjesa më e madhe e personelit të Forcave të Armatosura janë ushtarakët profesionistë, ende nuk është mundur, që ata të zhvillojnë normat, vlerat dhe unitetin organizativ, si një tip social, si një karakteristikë unike e shoqërisë moderne. Praktikisht trupa e ushtarakëve profesionistë, paraqitet e arsimuar relativisht, por mungesa relative joshëse e profesionit dhe karrierës ushtarake e kanë bërë të pamundur sigurimin e cilësisë së profesionistëve të mirëfilltë ushtarakë. Ajo ç’ka konsiderohet si resursi njerëzor i Forcave të Armatosura, e ka të domosdoshme zhvillimin e etikës profesionale, për të krijuar bindjen e arsyeshme në shoqëri për tipin e ri të ushtarakut dhe institucionet e reja në këtë fushë. Realisht, korpusi aktual i ushtarakëve shqiptarë gjendet përbri hendekut të përgatitjes speciale, që i imponon atij një përgjegjësi të veçantë shoqërore. Profesioni i ushtarakut është monopol i shtetit, dhe aftësia e njerëzive nën uniformë është drejtimi i forcës ushtarake dhe sigurimi ushtarak i klientit të tij, i shoqërisë. Marrja e kësaj përgjegjësie kërkon zotërimin e përgatitjes që bën të nevojshme e të mundur pranimin e përgjegjësisë. Për fatin e keq, trupa ushtarake shqiptare nuk mundet dot të rrisë cilësinë e përgatitjes profesionale në kushtet, kur arsimimi i mirëfilltë ushtarak, është joefiçent, dhe kur motivimi për profesionin nuk është në shkallën e duhur.

Pse ndodh kështu?! Ka disa arsye që lidhen me mospatjen e vizionit të ngritjes, ringritjes dhe mbajtjes së strukturave të mbrojtjes, në të cilat rekrutohet një personel arsimimi i të cilit është relativisht i dobët, e përtej kësaj Forcat e Armatosura, janë shndërruar në një “treg pune”, ç’ka i shkon përshtat klimës politike. Personeli i Forcave të Armatosura, kryesisht ushtarë profesionistë, punonjës civilë dhe ushtarakë të gradave të larta, nuk e demonstron kohezionin e një Ushtrie të mirëfilltë dhe me standarte. Gradat e larta gjithnjë e më tepër u janë larguar trupave ushtarake, teksa këto të fundit u qëndrojnë larg poligoneve të stërvitjes. Një numër i kufizuar personeli i cili merr pjesë në operacionet e NATO-s, nuk mundet dot, të marrë përsipër veçse detyrat e rëndomta të rojes. Kjo nuk duhet të na bëj krenarë aspak.

Nga një vështrim më i thelluar i Tabelave të Organizimit dhe Pajisjeve (TOP), lehtësisht evidentohet se, Forcat tona të Armatosura në strukturën e tyre organizative, kanë me tepri, njësi, reparte e nënreparte të cilat nuk e justifikojnë misionin për të cilin janë ngritur. Ndonëse thuhet, që për përmirësimet strukturore dhe formulimin e misioneve dhe listëdetyrave të strukturave, merret në konsideratë konsulenca e ekspertëve të NATO-s, duhet pranuar që vendimarrjet definitive mbeten në dorën tonë.

E përsa i përket vendimarrjes në fushën e mbrojtjes, Kodheli, nuk është shquar të konsiderojë propozimet që asaj “mund t’i vijnë” nga sistemi linear hierarkik, i cili siguron komandim-kontrollin e unifikuar të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Aktualisht, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura si struktura organizative më e lartë ushtarake në Forcat e Armatosura, është pa drejtues. Misioni i Shtabit të Përgjithshëm është planifikimi, zhvillimi e komandim-kontrolli strategjik i Forcave të Armatosura, me komponentin tokësor, detar e ajror, si dhe strukturat e tjera mbështetëse, të afta për të plotësuar misionin e tyre kushtetues. Nga një investigim i hollësishëm vërehet se, në zyrat e Shtabit të Përgjithshëm vegjetojnë gradat e larta dhe personeli tjetër me lidhje të ngushta me politikën dhe gjeneralët e Mirditës dhe Kukësit. Kodheli duhet të pranojë që, me propozim të saj, nga 5 gjeneralët e fundit që u graduan, 4 prej tyre vijnë nga “trekëndëshi” Mirditë-Dibër-Kukës. Drejtimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në nivelin politiko- strategjik ushtrohet nga Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes, të specifikuara me ligj të veçantë. Edhe Nishani si Komandant i Përgjithshëm, në rastin e dekretimit të gjeneralëve është shprehur pa rezerva, mbasi me të gjithë prej tyre, ka lidhje të ngushta shoqërore, në të shkuarën edhe sot.

Drejtimi dhe komandim-kontrolli i Forcave të Armatosura mbështetet në këto parime bazë: kontrolli civil i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, paanshmëria politike e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, komandim i unifikuar i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe zbatimi i hierarkisë në zinxhirin e komandimit.

Fatkeqësisht, këto parime bazë nuk konsiderohen.