Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave Ahmetaj lajmërojnë dhënien e koncesioneve masive në 3 vitet në vijim, sipas formës me Partneritet Publik Privat – me një vlerë investimi 1 miliard euro. Kryeministri e prezantoi skemën e investimeve në një takim të posaçëm me sipërmarrës dhe bankat.
Skema e investimit është e tillë: Projektet do të jenë në bashkëpunim me sipërmarrjen dhe bankat në vend, duke shtuar kapital nëpërmjet investimeve private. Rëndësia e këtij projekti lidhet me faktin se nuk do të shtojë borxhin, ka nënvizuar Rama.
Në bazë të prioriteteve të qeverisë, sipërmarrjet do të hartojnë projektet. Dy vitet e para, sipërmarrjet do të financojnë vetë projektin dhe pas vitit të tretë, qeveria do të fillojë të shlyejë detyrimet. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se Partneritetet Publike-Private tani do të jepen me procedurë të përshpejtuar, brenda 130 ditëve, duke lehtësuar kështu procesin e dhënies me koncesion. Kjo është parë si një mundësi strategjike, nga ana e Shoqatës së Bankave, për të pasur shërbime më të mira.
Rama shtoi se projekti është i fuqishëm edhe se bankat janë shumë likuide dhe do të mundësojnë financimin e projekteve të mëdha dhe bindëse me garancitë përkatëse. Programi do të koordinohet nga zv.kryeministri Niko Peleshi dhe ne jemi të gatshëm të japim të gjithë informacionin. Legjislacioni aktual i ka të gjithë hapësirat për të garantuar programin, ndërsa për projektet që shkojnë përtej një volumi të caktuar, do t’i drejtohemi Parlamentit. Për projekte më të vogla, kjo nuk do të jetë e nevojshme. Kemi hartuar një udhërrëfyes me hapat që do të ndiqen, ka shtuar Kryeministri. Udhërrëfyesi ka dhe modelet e kontratave standarde, instrumentet dhe hallkat që duhen të ndiqen. Për një pjesë të madhe të këtyre prioriteteve, ne do të na duhet projekti nga sipërmarrjet. Është një program ambicioz që kërkon koordinim të mirë, ka përfunduar Rama.
Nikolin Jaka, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, tha se mirëpresin këtë projekt, por ajo çfarë ngelet për të diskutuar me kujdes është se sa fleksibël dhe si do të jetë marrëdhënia e sipërmarrjes me sistemin bankar. Gjithsesi shpresojmë që sistemi bankar të jetë më fleksibël. Duhet të dimë se cilat janë prioritetet e qeverisë që sipërmarrja të bëjë projektet bazuar mbi to, ka shtuar Jaka.
Rama tha se “kemi të përgatitur listën e prioriteteve dhe do t’i vihet në dispozicion të gjitha bankave”.
Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve, tha se prioritet duhet të jetë dhe investimi në shërbimet e munguara në vend, në mënyrë që të kanalizohen investimet dhe burimet financiare të biznesit, të cilat në ekonominë tonë duhet thënë se janë të kufizuara. Vlerësojmë shumë të rëndësishme prioritetin e dhënë ndaj arsimit dhe shëndetësisë, por i duhet dhënë prioritet dhe bujqësisë. Duhet përmirësuar infrastruktura në bujqësi, kjo do të jetë shumë e rëndësishme. Konsideroj shumë të rëndësishme që PPP të futet dhe në shërbimet e munguara, siç është fusha e sigurisë ushqimore ku 60% e produkteve shqiptare janë paeksportueshme për shkak se mungon ky shërbim./monitor