Kryepeshkopi Anastas uron Krishtlindjet: Të kultivojmë paqe brenda vetes dhe me të tjerët, mburrja dhe krenaria nxitin konflikte

Aktualitet

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Krishtlindjes. Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, kryepeshkopi Anastas bën thirrje që të kultivojmë paqen brenda vetes dhe me të tjerët.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Krishtlindjes. Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, kryepeshkopi Anastas bën thirrje që të kultivojmë paqen brenda vetes dhe me të tjerët.

“Paqja nuk është thjesht një urim, por është dhuratë hyjnore dhe arrihet përmes bashkëpunimit të njeriut me Perëndinë.”- thuhet në mesazhin e Peshkopit Anastas.

Mesazhi i plotë i Kryepeshkopit Anastas

† ANASTASI

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

KRISHTLINDJE 2022

“Ti, që je Perëndi i paqes dhe Atë i dhembshur,  na dërgove Engjëllin e Këshillit tënd të madh,  që na dhuron paqe…”.

(Zbritësoret e së kremtes së Krishtlindjes)

Dëshira e zjarrtë për paqe së fundmi është kthyer në dhimbje të përditshme, klithmë dhe përgjërim për qindra mijëra njerëz. Për shkak të luftës së papranueshme katastrofike të Rusisë kundër Ukrainës, mbizotëron një hidhërim i pamasë. Në të njëjtën kohë, konflikte të armatosura ka në Siri, në Jemen dhe, përgjithësisht, në Azi e në Afrikë, dhe sulmet terroriste janë të shpeshta në qendrat e mëdha urbane perëndimore. Botën vazhdojnë ta mundojnë edhe luftërat e një lloji tjetër, ato ekonomike, diplomatike, ideologjike. Dhuna dhe arbitrariteti nuk kursyen së përdhosuri as vendet e shenjta. Për interesat e fuqive të ndryshme, keqinformimi përdoret si armë luftarake për të nënshtruar mendimin dhe ndërgjegjen e shumë njerëzve.

E kremtja e Krishtlindjes thekson jo vetëm kërkesën dhe dëshirën për paqe, por tregon edhe mënyrën se si mund të arrihet ajo. Ardhja e Shpëtimtarit të botës, Jisu Krishtit, që u prit me himnin engjëllor: “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje” (Llk. 2:14), përbën përmbushjen e profecisë së Isaisë (shek. 8 pr. Kr.): “Se një djalë na lindi… dhe do të quhet Engjëll i Këshillit të madh, Këshilltar i mrekullueshëm, Perëndi i fuqishëm, Mbizotërues, Princ i paqes, Atë i jetës së amshuar… dhe paqja e tij nuk do të ketë kufij…” (Isa. 9:6-7).

Paqja nuk është thjesht një urim, por është dhuratë hyjnore dhe arrihet përmes bashkëpunimit të njeriut me Perëndinë. Rrezatimi i hirit hyjnor është i mirëqenë, ndërsa përpjekja e njeriut pritet të ndodhë. Përvoja e krishterë orthodhokse dëshmon për një paqe të shumanshme me veten, me të tjerët, me Perëndinë, me krijimin. Në rrafshin profetik, Krishtlindja përmbledh, në trajtën e tyre fillestare, të vërtetat e mëdha, të cilat shpalosen plotësisht gjatë jetës së Krishtit, kulmojnë me Pësimin dhe Ngjalljen dhe jetësohen nga Kisha në të kremtet e mëdha.

Në pamje të parë, e kundërta e paqes mendohet të jetë lufta. Jam i bindur se e kundërta e paqes, thellë-thellë, është egocentrizmi, në trajta të ndryshme: mburrje, krenari, sedër e sëmurë, mendjemadhësi; është ky që prish marrëdhëniet ndërmjet njerëzve e popujve dhe nxit konflikte të vogla e të mëdha. Brenda dritës së Lindjes së Krishtit shfaqet qartazi, gjithashtu, se egocentrizmi mposhtet përmes dashurisë dhe përulësisë, të cilat janë kushtet paraprake për vendosjen e paqes.

Thelbi i mesazhit të krishterë është ky: “Aq shumë e deshi Perëndia botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme” (Jn. 3:16). Shprehjet e dashurisë, të përcaktuara nga besimi i krishterë, rrezatojnë pareshtur në Personin e Jisu Krishtit dhe të atyre që e ndjekin pas me përkushtim. Sikurse thekson edhe shën Maksim Omologjeti: “Mjaft njerëz kanë folur shumë për dashurinë, por nëse e kërkon atë, do ta gjesh vetëm te nxënësit e Krishtit, sepse vetëm ata kanë pasur si mësues të dashurisë vetë Dashurinë e vërtetë” (Rreth Dashurisë, 4, 100).

Biri dhe Fjala e Perëndisë nuk u bë njeri për të na parashtruar një teori të përgjithshme e të papërkufizuar rreth dashurisë, po për të na e zbuluar atë duke qëndruar mes nesh; për të hedhur dritë, përmes njohjes së Perëndisë, mbi të vërtetën që “Perëndia është dashuri. Kush qëndron në dashurinë, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të” (1 Jn. 4:16). Tufa e rrezeve të dritës së dashurisë përmban gjithë spektrin e virtyteve: drejtësinë, mirësinë, faljen, të vërtetën, që janë kushtet paraprake për forcimin e paqes.

Biri dhe Fjala e Perëndisë, i Gjithëfuqishmi dhe i Pakuptueshmi për mendjen, falë dhembshurisë së Tij pa kufi, merr natyrë njerëzore që ta lartësojë atë në mënyrë të paperceptueshme për mendjen e njeriut drejt hyjnizimit sipas hirit. Perëndinjeriu erdhi si foshnjë, si fëmijë i pafajshëm, dhe, me tërë jetën dhe flijimin e Tij, na nxit: “Mësoni nga unë, se kam zemër të butë dhe të përulur, dhe do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Mt. 11:29).

“… Të udhëhequr drejt dritës së njohjes së Perëndisë”.

Me ndjenja mirënjohjeje për dritën e mahnitshme të njohjes së Perëndisë, që na dhuron Zoti ynë Jisu Krisht me Lindjen e Tij, le ta lavdërojmë Atë duke kultivuar paqen brenda vetes, me të tjerët dhe me Perëndinë; dhe le të përpiqemi të jemi bashkëpunëtorë të Tij, sipas porosisë së Tij: “Lum paqebërësit, se ata do të quhen bij të Perëndisë” (Mt. 5:9).

Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri 2023 qoftë paqeprurës dhe shëndetplotë!