Dr. Sulejman Abazi (NESHAJ) / E thënë shkurt që në fillim, shtetformimi i Kosovës “multietnike” sot shfaqet si pengu tragjik i Pakos Ahtisari. Në rrugën e shtetformimit është legjitime që Kosova duhet të ketë Forcat e Armatosura, të cilat deri ën vitin 2019 duhet të marrin përgjegësitë për sigurinë e brendëshme dhe të jashtëme të shtetit. E parashikuar në parametra sipas shtrirjes territoriale, demografike dhe treguesve të tjerë, kjo forcë e armatosur do të përfshihet brenda standardeve perëndimore, nën kujdesin e SHBA-ve dhe të BE-së.
Dihet që në Kosovë aktualisht kryejnë misionin e tyre tri forca ndërkombëtare të sigurisë, ku rolin parësor e ka KFOR-i. Do të vijë një kohë që këto forca do të tërhiqen, duke mundësuar rrugën e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Por viti 2019 nuk është larg dhe deri atëherë përgjegjësia politike e institucioneve të Kosoës duhet të këtë orientim të qartë, për t’i paraprirë kësaj nevoje jetike në mënyrë ligjore në kuadrin e sigurisë kombëtare.
Për këto ërësye madhore, zhurma mediatike rreth krijimit të Ushtrisë së Kosovës, sot sjell në vëmendje studimin tërësor të gjendjes, për të çuar në propozimin e nevojshëm të shfuqizimit të “Pakos Ahtisari” dhe ndryshimeve kushtetuese që rrjedhin prej këtij shfuqizimi.
Por opinion në Kosovë këtij problem i bie shkurt: A duhet të krijohet institucionalisht Ushtria në Kosovë?
A është e gjetur në kohë kjo nismë, apo do të zhurmojë deri sa të mbulohet prej ndonjë ngjarje tjetër në Kosovë, siç ndodh rëndom në politikën e dirigjuar shqiptare?
Kush e nxit procesin në mënyrë apriori, të pa mbështetur në ligjin kushtetues, pa arritur koncensusin e brendshëm dhe çfarë fshihet pas kësaj zhurme mediatike?
Është një rastësi kjo pas Rezolutës së Parlamentit të Kosovës për “ngrirjen” e bisedimeve me Serbinë për shkak të pengut politik Ramush Haradinaj, apo pas kësaj deklarate të mbështetur nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka diçka tjetër që duhet trajtuar në vijë të drejtë?
Para një muaji kam hedhur mediatikisht nevojën e shfuqizimit institucional të “Pakos Ahtisari”, si një dokument me vlera ndërkombëtare, që tashmë e ka plotësuar misionin e saj në stabilitetin e brendëshëm të shtetit.
Nisur nga ngjarjet e rënda që kanë shoqëruar jetën politike në Kosovë, për shkak të bisedimeve pa kushte me Serbinë, ku lëshimet janë bërë përgjithësisht nga pala shqiptare, në opinionin shqiptar vazhdon të rritet një urrejtje në kufijtë e krizës prej opinionit, karrshi klasës politike, e cila rezulton të jetë e paaftë ose e kapur në kushtet e nënshtrimit apo detyrimit ndërkombëtar.
Kundërshtimi i Rezolutës së Parlamentit nga institucionet e BE-së, ecën në një vijë me presionin ndaj institucioneve të Kosovës, edhe në rastin e definimit institucional të ushtrisë, duke shfaqur hapur synimet e politikës europiane për rregullimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi në mënyrë të imponuar.
Politika shqiptare në Kosovë, nuk është në gjendje t’i dalë përpara hapave dhe vendimeve që merr, pasi realiteti dhe analiza politike tregon që, këto vendime nuk po rezultojnë për të mirën e shtetformimit dhe të shtetndërtimit, por ato rëndom shpesh po lidhen me interesa të ngushta politike e partiake, të karrierës dhe të autoritetit të individëve të veçantë në drejtimin e institucioneve.
Është kjo një arësye e fortë për të gjykuar që, bisedimet dypalëshe vazhdojnë të bëhen me ferra nëpër këmbë, pasi vizioni i munguar ka detyruar imponimin në dëm të interesave shtetërore e kombëtare. Pavarësisht reagimeve të opinionit shqiptar, nga politikanët kryesorë në Prishtinë, asnjëherë nuk i është bërë e qartë Europës për mundësinë e avancimit të të gjithë elemëntëve të shtetformimit në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon. Kryetari i Shtetit duhet ta konsiderojë Kosovën si një familje të madhe, ku ai ka përgjegjsitë kryesore për një ndikim me vizion, larg konflikteve të brendeshme politike, si përfaqësues i unitetit të popullit, pa dallime. Shqiptarët deri tani kanë pritur dhe bërë gjithçka që ka kërkuar Europa, por kjo nuk duhet të kthehet në normë detyrimi pa mbarim. Sot politika në Kosovë ka nevojë për kockë dhe për bosht, për identitet shtetëror dhe kombëtar. Mjaft më me lojërat servile dhe të njëanëshme të Europës, që akoma tenton ta marrë me të mirë Serbinë. Për cilën Serbi e ka fjalën Europa, për Serbinë që nuk ka kurajo të kërkojë falje për një gjenocid të kryer hapur në sytë e të gjithë botës së qytetëruar dhe që vazhdon të trazojë jetën social politike të Kosovës, duke e quajtur akoma pjesë të saj?
“Mëkatin” për këtë qëndrim vazhdojnë ta mbajnë mbi vete politikanët kryesor të Prishtinës, që kanë përfaqësuar shtetin në bisedimet dypalëshe. Por, në politikë nuk ecet me dëshira individësh, as me predikime demagogjike, veçanërisht kur problemi i shtetit të Kosovës, është i prekshëm, tejet i dukshëm dhe një pikë e nxehtë në rajonin ballkanik, shpesh edhe në qendër të syrit të ciklonit të politikës ndërkombëtare.
Në rastin e deklarimeve për institucionalizimin e krijimit të Ushtrisë së Kosovës [FAK], vijnë reagimet amerikane dhe të kreut të NATO-s, që nxjerrin zbuluar nismëtarët e kësaj ideje në Prishtinë. Atëherë, sjellja e situatës deri këtu, është e rastësishme, është e paarsyetuar për kuptueshmërinë e saj në perspektivë apo është e qëllimëshme, duke qenë të sigurtë që kjo nismë momentalisht në kohën që kërkohet nuk do të gjejë zbatim. Mospranimi apo moszbatimi i kësaj nisme nuk ka aspak lidhje me deklaratën e Presidetit deri në dorëheqje. Ndoshta ai këtë herë e di mire se çfarë po kërkon dhe kush ia kërkon!!
Pse kërkohet krijimi i ushtrisë në këtë kohë dhe çfarë lidhje ka kjo nismë me acarimin e situatës së brendshme politike në Kosovë? A do të guxojnë Parlamenti i Kosovës dhe Presidenti të miratojnë krijimin e ushtrisë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe kundër rekomandimit frenues ndërkombëtar?
Të gjithë i dinë kushtëzimet që ka Kushtetuta e Kosovës, e cila është produkt i Pakos Ahtisari. Dihet roli i Parlamentit, Presidencës dhe Qeverisë, Gjyqësorit, Pushtetit Vendor, forcave ndërkombëtare dhe të FSK-së në çështjet e Sigurisë, kompetencat e tyre, dhe të gjithë e dinë fort mirë se me këtë Kushtetutë të kushtëzuar, nuk lind e drejta për të institucionalizuar FAK.
Atëherë pse i hidhet opinionit dhe institucioneve ky opsion në këtë kohë, kur Kushtetuta nuk e lejon; Pakua Ahtisari nuk e lejon; Serbia nuk është dakort; Deputetet serbë në Parlamentin e Kosovës nuk e miratojnë këtë nismë; qëndrimi amerikan, i BE-së dhe kreut të NATO-s nuk janë dakort? Pse u trimëruan kaq shumë politikanët kryesorë në Prishtinë pikërisht në këtë situatë? Po Republika e Shqipërisë çfarë qëndrimi duhet të mbajë me këtë rast? Vallë nuk i kanë ditur këto element të shumëfaktorshëm Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës, që marrin nisma të tilla?
Çështja e krijimit të ushtrisë në Kosovë nuk është çështje parash, nuk është çështje e pranisë së dy ushtrive shqiptare, nuk është çështje rreziku dhe kërcënimi në rajon, ajo nuk ka të bëjë as me Serbinë dhe as me Republikën e Shqipërisë, apo ndonjë shtet përreth Kosovës, por ajo është një çështje institucioanle, që ka të bëje vetëm me shtetndërtimin e Kosovës, në rrugën e sovranitetit të saj politiko – diplomatik në arenën ndërkombtare. Kufizimet ligjore kushtetuese mbeten po aq sa çështje të brendëeshme politike, edhe frenime dhe ndikime prej çështjeve të jashtëme politike, të diktuara nga faktori ndërkombëtar. Ajo që ka rëndësi në këtë trajtim, është mungesa e vizionit me këtë ngutje në politikën e Prishtinës, e cila me kohë duhet të kishte ngritur grupet e punës, të mbështetur në një analizë të plotë shkencore të gjendjes, kushteve, fakteve, statistikave, prurjeve pozitive të kohës, kritereve ndërkombëtare dhe në mënyrë të programuar dhe të argumentuar, të hidhte në tavolinën e faktorit ndërkombëtar propozime konkrete për avancimin e elementëve shtetformues në Kosovë.
Edhe sa vite për hatër të faktorit ndërkombëtar dhe të kokëfortësisë së politikës dhe diplomacisë serbe, Kosova do të mbetet “multietnike” me 96 për qind popullsi kompakte shqiptare? Ky përcaktim i pabazuar ka shkelur në mënyrë të hapur rregullat më elementare të të drejtës ndërkombëtare, të Diplomacisë dhe të Shkencave Politike, të ligjeve të OKB-së. Nëse u pranuar për hir të shumë arësyeve në fillesat e shtetit të Kosovës, tani pas kaq kohësh dhe lëshimesh që i janë bërë Serbisë nga bisedimet, pranimi i mëtejshëm i saj është injorim, përbuzje, diskriminim, baltosje, postërim i shtetit dhe qytetarëve.
Edhe për sa kohë popullsia serbe do të jetë e privilegjuar me vendet e rezervuara në Parlament, duke injoruar vlerat demokratike të sistemit?
Edhe për sa kohë duhet pritur që të bindemi për respektimin e të drejtave të pakicave nacionale në Kosovë, kur brenda territorit politik të Kosovës, ndërhyrjet e Serbisë kalojnë çdo cak dhe ekstrem?
Edhe sa komuna të tjera serbe do të krijohen si fantazma të pakicës nacionale, duke e justifikuar paradoskin ndërkombëtar mbi “multietnicitetin”?
Mos vallë do të pranohet dhe të lejohen akoma dëshirat e shfrenuara të Serbisë që në Kosovë shqiptarët duhet të presim këmbën sipas këpucës?!
Politika në Prishtine t’i lerë mënjanë demagogjitë për kredo politike, dhe të ulet në realitetin konkret, të ndërmarrë nisma konkrete me vullnet të mirë politik në të mirën e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës. Ata kanë se çfarë të thonë, pasi Kosova dëshmoi në këto vite se, i ka përmbushur me shumë korrektësi detyrimet ndaj pakicave, e ndoshta duhet të merret shëmbull për mirë. “Pakua” tani e ka radhën të zbatohet në Luginën e Preshevës. Mjaft më me privilegjimin e pakufi të pakicës serbe. Ata duhet t’i nënshtrohen të gjithë ligjeve dhe të drejtave qytetare në Kosove, njësoj si për të gjithë.
Kjo gjendje mund të rëndohet, për deri sa opizita politike në Kosovë do të jetë e vakët në planifikimin e programit politik dhe kërkesave për një Kosovë me të ardhme të sigurtë. Nuk mund të tërhiqet populli me sllgane e parrulla, por me program bindës që garanton të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve. Nuk ka vlerë mburrja se sa kohë më përpara dhe kush e ka bërë më përpara kërkesën për nevojën e FAK në Kosovë. Rëndësi ka të ketë vullnet të përbashkët politik për ta realizuar këtë kërkesë jetike, brenda vizionit të mbështetur në analizën shkencore të gjendjes dhe perspektivës. Kriza e brendëshme politike bëhet shkak që faktori ndërkombëtar të zgjat misionin në Kosovë, dhe të tërheqë zvarrë pas ngjarjeve situatën, duke realizuar me prioritet interesat e ngushta të tij. Kosova është ajo që do të vazhdojë të vuajë paaftësinë politike të drejtuesve të saj.
Krijimi i FAK-ut është një çështje politike shumë komplekse, që meriton diskutimin e palëve në politikë, dhe që ka si domosdoshmëri konsulencën dhe këmënguljen përballë faktorit ndërkombëtar, për të mundësuar zhbllokimin e njohjeve dhe dhe rritjen e aftësive shtetformuese në një shkallë më të lartë, me standard të arrira drejt stabilitetit politik dhe hapësirave të tjera të zhvillimit të gjithanëshëm.
Jemi të bindur që një ditë FAK-u, në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar, do të krijiohet dhe do të marrë përsipër përgjegjësitë e sigurisë së vendit, por ajo që kemi në dorë është dallimi midis mundësisë apo pamundësisë, përshpejtimit apo ngadalësimit të procesit, si shkak i paaftësisë dhe krizës së brendëshme politike, që në rastin e kësaj nisme jetike, u shfaq hapur në politikën shqiptare në Prishtinë.