Mazhoranca duket se do të mbajë edhe për disa muaj në detyrë presidentin Ilir Meta.
Prej gati një viti Presidenca dhe shumica socialiste janë në luftë me njëra-tjetrën, ç’ka detyroi këtë të fundit që të ngrinte një komisioni hetimor për presidentin Meta.
Por vonesat që ndodhën në fillim të sesionin parlamentar të vjeshtës që lamë pas dhe tërmeti i 26 nëntorit bëri që komisioni hetimor të shtyjë afatet në dy raste. Momentalisht afatet e komisionit hetimor që po heton Metën skadojnë në 8 prill, por duket Partia Socialiste do të kërkojë sërish zgjatjen e afateve me disa muaj të komisionit, duke bërë që të vijojë telenovela me shtyrje afatesh.
Nesër do të mblidhet komisioni hetimor online dhe në rend dite është miratimi i procesverbalit të mbledhjes së 28 shkurtit 2020 si dhe miratimi i vendimit të ndërmjetëm për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor.
Arsyeja kryesore që mazhoranca do të kërkojë zgjatjen e afateve të komisionit hetimor është për shkak të situatës në të cilën ndodhet vendi nga koronavirusi dhe për shkak se Komisioni i Venecias pritet të publikojë në 19 qershor raportin përfundimtar sa i takon mënyrës së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Mazhoranca është e bindur që kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Por sikundër pohoi një anëtarë i komisionit hetimor, mësohet se shumica do të presë raportin përfundimtar të Venecias, ndërkohë që pastaj do të vendosë nëse do ta shkarkojë apo jo metën nga detyra.
Nga ana tjetër, mësohet se mazhoranca shpreson që raporti përfundimtar i Venecias të ndryshojë nga ai paraprak që i jepte në një farë mënyrë të drejtë presidentin Ilir Meta për vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Kështu që, përpara se të vendosin raporti përfundimtar do të jetë busulla orientuese e mazhorancës sa i takon fatit të Ilir Metës në krye të Presidencës.
Megjithatë, duke qenë se deri në daljen e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias duhen edhe disa ditë, gjasat janë që ky raport t’i shkojë Kuvendit në fund të qershorit. Pra, nëse supozojmë që situata do të vijojë normalisht, ku të gjithë institucionet do të jenë në punë, i bie që Kuvendi të shqyrtojë këtë çështje në shtator, pasi në fund qershorit dhe fillim korriku mbyllet sesionin parlamentar.
Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht./SOT/