Mbrojtja e të varfërve – prioriteti që na mungon.

Ekonomi

varferia 1-1ARBEN MALAJ  /  “Në një vend të qeverisur mirë, varfëria është diçka me të cilën duhet të turpërohemi.Në një vend të keqqeverisur është turp pasuria”. Debatet për lidhjen midis cilësisë së qeverisjes dhe varfërisë janë të hershme. Eleminimi varfërisë absolute dhe zbutja e pabarazisë nëpërmjet rritjes së barazisë së mundësive dhe mbrojtjes sociale mbeten objektivat prioritare dhe kryesore të qeverive dhe institucioneve nderkombetare të zhvillimit.

Pak dite më parë, Presidenti i Bankës Boterore Jim Yong Kim në një fjalim lidhur me sfidat që kemi përpara theksoj qartë se Banka Boterore synon jo vetëm të eleminoj varfërinë absolute por edhe të rrit të ardhurat për 40% të popullatës që kanë të ardhurat më të ulta. Objektivi i dytë është i kushtëzuar nga thellimi i pabarazisë. Vlerësohet se 85 milarderët më të medhenj në botë zotërojnë pasuri sa 1/2 e popullatës.

Sot kudo në botë, vendet në zhvillim po vuajnë përballjen me krizën, e cila vazhdon të ndrydhë të ardhurat, shkatërrojë vendet e punës dhe shtyjë miliona njerëz në varfëri. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Reçesioni i Madh, që filloi në vitin 2008 ka zhytur rreth 100 milionë vetë në varfëri, ndërkohë që 1 miliardë të tjerë kryesisht në ekonomitë në zhvillim janë në rrezik.

Ngadalësimi dramatik i rritjes ekonomike në nivel global, e veçanërisht tek ekonomitë në zhvillim ka ngritur alarmin se njerëzimi mund të humbasë arritjet e mundimshme të disa dekadave në luftën kundër varfërisë.

Kjo është arsyeja se pse Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe të gjithë institucionet e tjera ndërkombëtare, kanë vendosur mbrojtjen e të varfërve si një nga prioritetet specifike në recetat e tyre antikrizë.

Pavaresisht justifikime të disa qeverive se kanë kufizime për shpenzimet e tyre buxhetore nga “trojka”, në cdo bashkepunim dhe rekomandim të tyre është theksuar domosdoshmëria e mbrojtjes social të shtresave më të goditura nga kriza.

Kjo nënkupton që qeverite duhet ti ristrukturojnë më mirë prioritet buxhetore dhe mund ti perdorin me efikasitet politikat dhe fondet pro të varfërve.

Edhe në Shqipëri si në shumicën e ekonomive në zhvillim, pasojat e krizës kanë qenë të thella, jo vetëm në rrafshin e zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe dimensionin social.

Nga nivelet 6 për qind përpara krizës, ritmet e rritjes ekonomike fillimisht u përgjysmuan, e më pas zbritën në kuotat stanjative 1 për qind .Si në vendet e tjera, më të dëmtuarit nga ky ngadalësim dramatik i rritjes ekonomike kanë qenë shtresat më vulnerabël të shoqërisë, pikërisht familjet me të ardhura më të ulëta.

Edhe gjatë kësaj krize rezulton se të pasurit u bënë më ëe pasur dhe të varfërit më të varfër Pas gati dy dekadash rënie, trendi i varfërisë në vend është përmbysur. Sipas Instat nga viti 2008 deri në 2012-ën, numri i të varfërve në vend u rrit me mbi 64 mijë vetë, të cilët ju shtuan 350 mijë të varfërve.

Në terma relativ kjo është një rritje me gati 15 për qind në nivelin e varfërisë kombëtare. Shqetësimi më i madh është se pas 2012-ës rritja e varfërisë mund të ketë qenë edhe më e fortë për shkak të ngadalësimit të mëtejshëm të ekonomisë. http://www.instat.gov.al/…/anketa_e_matjes_se_nivelit_te_je…)

Në kohë të tilla krizash, instrumenti kryesor përmes të cilit qeveritë zbusin pasojat ekonomike por edhe sociale, janë politikat buxhetore. Në thelb, përmes të ashtuquajturve stabilizatorë automatik, vetë buxheti shërben si një zbutës natyral i kostove të krizës, duke rritur shpenzimet dhe transfertat e targetuara sociale.

Rezulton se kjo nuk ka funksionuar mjaftueshëm në Shqipëri. Shpenzimet për ndihmën ekonomike, programi kryesor përmes të cilit qeveria mbron shtresat e varfëra gjatë disa viteve kanë rënë edhe pse numri i të varfërve është rritur.

Numrat total, fshehin edhe një tjetër problem; denatyrimin e skemës, nga e cila shpesh përfitojnë ata që nuk e meritojnë dhe mbeten jashtë ata që duhet të asistohen.

Shqipëria është një vend i varfër me buxhet të vogël,nga ana tjetër borxhi i lartë e vendos qeverinë përballë detyrimit për të konsoliduar financat publike.

Edhe pse këto dy objektiva (stabiliteti financave publike dhe rritja ekonomike) nuk e kundërshtojnë njera tjetrën, struktura e targetuar jo qartë dhe implementuar jo mirë e paketave antikrizën e bëjnë të vështirë mbrojtjen për të varfërit.

Ajo që mbetet dëshpëruese është dështimi për disa vite i buxhetit për të shërbyer në kohë të varfërit. Një situatë kjo e përsëritur disa herë, ku rastet më të fundit janë ajo e vitit 2013 dhe tremujori i parë i këtij viti, ku transfertat për të varfrit kanë janë gati dy herë më të ulëta se tre vitet e fundit. http://www.financa.gov.al/al/raportime/

Shumë nga familjet e varfëra, kanë si të vetmin burim jetese transfertat që marrin nga qeveria.

Dështimi disa vjecare i buxhetit për ti shërbyer këto kategori në kohë, ka pasoja të rënda sociale për mbijetesën e tyre.

Në kushtet kur vendi ynë do të përballet edhe për disa vite, në efektet e rritjes së ulët ekonomike dhe borxhit të lartë public,qeveria duhet ta synoj dhe arrij stabilitetin e financave publike dhe një rritje ekonomike më të lartë dhe më të drejt/përfshirëse duke i asistuar shtresat më të varëera të shoqërisë.

Në afatshkurtër me me skemat e mbrojtjes sociale dhe në afat mesëm dhe afatgjatë duke reduktuar numrit e të varfërve dhe duke ndalur përkeqësimin e thellimit të pabarazisë.

“Madhështia e një kombi nuk qëndron tek fuqia ushtarake, por tek mënyra se si trajton të varfërit dhe ata në nevojë” do te theksonte president Obama.

Ne duhet ta konsiderojmë luftën kundër varfërisë një prioritet social, që lehtëson dhimbjet dhe ndihmon solidaritetin social, pa të cilin qeverisjet deshtojnë.