Për të mos “vdekur”

1084

Elona BEDALLI /  Si do të falimentohet tani me ligjin e ri? Mundësitë që i jepen biznesit për të dalë në sipërfaqe, në një formë të re. Mungesa e kulturës dhe sfida për ta kuptuar drejt këtë kuadër ligjor, ndër më të rëndësishmit për ekonominë shqiptare. Juristët japin argumentet dhe këshillat

Gjashtë muaj kohë do të duhet që ligji i ri i Falimentit të hyjë në fuqi. Deri sa mori formën e tij të plotë u deshën 2 vjet kohë, 8 drafte dhe mijëra euro për asistencën e huaj. Në fakt, për nga numri i lartë i neneve (210) që janë parashikuar në të, fare mirë mund të konsiderohet si një kod, edhe pse pati tentativa për ta quajtur të tillë, por që u shuan. Miratimi i këtij ligji, tejet i rëndësishëm për ekonominë e një vendi që ende nuk po gjen qëndrueshmëri, u bë pa shumë bujë e qetësisht. Disa ekspertë e justifikojnë këtë me faktin së ligjvënësit nuk e kanë kuptuar, e të tjerë me argumentin se është diskutuar shumë.

Por, kjo do të kuptohet nga zbatimi në terren, për të cilin juristët kanë rezervat e tyre dhe thonë se do të dojë kohën e vet. Falimenti, thonë ata, lind si një nevojë kur ka më shumë se një debitor, ndërsa ka si qëllim që të bashkojë në një proces të vetëm kreditorët. Sipas tyre, përpara nisjes së punës për hartimin e ligjit të ri, në gjykatat shqiptare, edhe pse ka pasur kuadër ligjor për falimentin, ka pasur vetëm raste klasike (ato për likuidim) dhe asnjë për riorganizim. Kanë dominuar gjithashtu kërkesat e ardhura në gjykatë për faliment nga tatimet, të cilat referonin edhe ato raste kur bizneset dilnin me humbje për tre vite rresht (ligji i ri nuk e parashikon më këtë). Sa u përket kushteve, në të cilat ndodh falimenti, juristët thonë se nuk ka shumë ndryshim ligji i ri me atë që aktualisht është në zbatim. Dy janë këto kushte: mungesa e likuiditetit dhe mbingarkesa nga borxhet. Një nga sektorët që ka pasur më shumë probleme nga mbingarkesa e borxheve është pikërisht ndërtimi, pasi edhe pse ka gjendje të pasurive të paluajtshme, nuk ka likuiditet. Ky është një rast kur biznesi shkon në faliment, proces përmes të cilit, me ligjin e ri, parashikon mekanizma për zgjidhjen e borxhit kur ai është i maturuar./Monitor/




Këtë e pëlqejnë %d blogues: