Meta: Lidhjet strategjike dhe partneriteti me SHBA-në do të forcohen më tej

Politika

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dërgon mesazhe urimi në Ditën e Pavarësisë së SHBA-së 

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u dërgoi sot mesazhe urimi Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Paul Ryan dhe Kryetarit të Senatit të SHBA-së, Mike Pence, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, në emër të Parlamentit shqiptar, Meta i uroi kombit amerikan sukses dhe prosperitet, ndërsa thekson se “Shqipëria dhe populli shqiptar janë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të i kanë dhënë gjatë gjithë historisë vendit tonë”.

“Në emër të Parlamentit shqiptar dhe në emrin tim, dëshiroj t’ju përgëzoj për 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa festoni këtë ditë të veçantë në mbarë vendin, ju uroj juve dhe kombit amerikan sukses dhe prosperitet. Kjo nuk është një ditë e shënuar vetëm për SHBA-në, por për të gjithë botën, pasi etërit tuaj themelues kanë themeluar vendin më demokratik në botë. Shqipëria dhe populli shqiptar janë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që vendi juaj na ka dhënë gjatë gjithë historisë. Kam besim se marrëdhëniet e shkëlqyera dhe unike, partneriteti strategjik dhe bashkëpunimi si anëtarë të NATO-s do të vazhdojnë të forcohen dhe të zhvillohen më tej”, shkruan Meta nesazhin drejtuar Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Paul Ryan.

Ndërsa në letrën drejtuar Kryetarit të Senatit të SHBA-së, Mike Pence, Meta shpreh urimet më të sinqerta për 241 vjetorin e Ditës së Pavarësisë dhe shpreh bindjen se lidhja e shkëlqyer strategjike, partneriteti midis dy vendeve tona si dhe bashkëpunimi brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut për t’u përballur me sfidat e reja globale, do të rritet më tej në të ardhmen.