Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias ka bërë një analizë të marrëdhënieve me Shqipërinë, duke theksuar se ato karakterizohen nga një paradoks.
Sipas tij, nga njera anë shqiptarët e adhurojnë Greqinë dhe nga ana tjetër ka një mosbesim e nacionalizëm dinamik.
Kotzias i bëri këto deklarata duke folur para një auditori partiak, në qytetin e Kozanit.
Kotzias: Kisha fatin të flas në Universitetin e Tiranës dhe iu fola me zemër në dorë. Iu thashë që ka një çmenduri në marrëdhëniet tona. Ka një paradoks: Zgjoheni në mëngjes, dëgjoni muzikë greke, lëvizni plot gaz me atë muzikë dhe befas priteni pak me brisk e për këtë nisni të shani Greqinë.Është çmenduri. Nga njera anë e adhurojnë Greqine, mos e harroni kurrë këtë: na adhurojnë- dhe nga ana tjetër ka një mosbesim, një nacionalizëm dinamik
Ministri i Jashtëm grek ka shtuar më tej se gjatë mandatit të tij në krye të diplomacisë greke, Athina zyrtare ka bërë dy gjëra në drejtim të Shqipërisë.
Kotzias: E para, iu propozuam një paketë për të vënë të gjitha çështjet për t’i zgjidhur; jo atë çame –çështje të tilla nuk kanë asnjë punë në paketë. Të marrë pala shqiptare ato që kërkon, të heqim ligjin e gjendjes së luftës –megjithëse nuk e di pse konsiderojmë që jemi ende në luftë. Të zgjidhim çështjet konsullore. Por edhe ata duhet të pranojnë ndërtimin e varrezave ushtarake grek, të zgjidhet me të vërtetë dhe thelbësisht çështja e delimitimit të kufirit detar dhe zonave ekskluzive ekonomike, etj.
Në referimin e tij ndaj Shqipërisë, dhe aspiratës së vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian, ministri i jashtëm grek tha se është e mirëpritur. Por Kotzias ka kritikuar qeveritë e mëparshme greke të cilat, sipas tij u treguan shumë dorëlëshuar me vendin fqinj: pa i vënë asnjë kusht miratuan futjen e Shqipërisë në NATo dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Tani, tha ministri i Jashtëm grek, perëndimorët duan të hapin negociatat për anëtarësim dhe kishin vënë vetëm një kusht: reformën e sistemit gjyqësor. Por Athina vuri dhe kushte të tjera.
Kotzias: Ne u vumë pesë kushte, që u përfshinë të gjitha dhe këtë nuk e prisnin as shqiptarët as miqtë e tyre në Komisionin Europian. Përmend:
-Mbrojtjen e pronës, veçanërisht pronat e minoriteteve,
-Mbrojtjen e minoritetit autentik grek në Shqipëri,
-Luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.