“Mirënjohje De Biasit, bëj historinë time”

1530

Trajneri i ri i Shqipërisë, Christian Panucci, ka falënderuar paraardhësin e tij, Gianni De Biasin, jo vetëm për punën që ka bërë me Kombëtaren shqiptare, por edhe për fjalët e mira që ka përcjellë në FSHF dhe te Duka për kandidaturën e tij. Megjithatë, Panucci ka pohuar se ai do të shkruajë historinë e vet dhe nuk do të ndikohet nga e kaluara.

“De Biasi ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Eshtë e drejtë ta vlerësosh këtë gjë dhe të jesh mirënjohës. Ai ka shkruar historinë për Shqipërinë, por tani nis një kapitull i ri dhe unë do të kërkoj të arrij diçka të rëndësishme. Do të përpiqem të shkruaj një tjetër histori me këtë skuadër.

Grupi që ka ndërtuar De Biasi dhe arritjet e këtij grupi e kanë ngritur Shqipërinë në një nivel shumë të lartë. Nëse ka lojtarë të talentuar dhe të zotët do të luajnë në Kombëtare. Sikundër kam diskutuar me presidentin, nëse do të ketë lojtarë të mirë për ekipin Kombëtar, dera do të jetë e hapur.

Nëse në kampionatin shqiptar do të ketë lojtarë që e meritojnë të luajnë për Kombëtaren, do të luajnë. Më e rëndësishme është që Shqipëria të fitojë ndeshjet. Kur të shkojmë në luftë, të jeni të bindur që do të shkojnë ushtarët më të mirë.

Kam parë më shumë ndeshje në këto 10 ditë se serialë televizivë dhe mendoj se e njoh mjaftueshëm skuadrën. Duhet të vazhdoj të njoh njerëzit. Do të jetë shumë e rëndësishme për mua që lojtarët të më tregojnë se e meritojnë të jenë pjesë e Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Jam italian, por trajner i Shqipërisë dhe dua t’i fitoj të gjitha ndeshjet, edhe ndaj Italisë, sepse kur drejtoj në fushë nuk njoh as babain tim” – theksoi Panucci.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: