Mosarritja e një takimi trepalësh, Rama i ashpër me BE: Rajoni nuk mund të bëhet peng i një krize pafund Kosovë-Serbi

Politika


Rajoni nuk mund të mbetet peng i një krize të pafundme Kosovë-Serbi.

Kështu shprehet kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter, pasi në Bruksel, emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bisedoi veçmas me kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.

“BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore. Rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as Kosova Veriore, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës vendase është i mjegulluar, të bëhet një Donbas i Vogël nga kryengritjet e nxitura nga Rusia dhe as Dialogu të bëhet një lojë fajësimi të Ballkanit të Vjetër nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të! Diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë”, shkruan Rama në Twitter.