“Kualifikimi plotësisht i hapur”, Orges Shehi me ndryshime në formacion: Lushkja nga minuta e parë

Futboll

Tirana luan sot në 19:00 me Dinamo Batumi në Gjeorgji, me duelin që vlen për ndeshjen e kthimit në turin e I të Conference League.

Tirana luan sot në 19:00 me Dinamo Batumi në Gjeorgji, me duelin që vlen për ndeshjen e kthimit në turin e I të Conference League. Përpara ndeshjes për mediet foli trajneri i bardhebluve, Orges Shehi. Me ndeshjen e parë që përfundoi 1-1 në “Air Albania”, Shehi tha se shanset për kalimin më tej janë të barabarta. Duket se durrsaku do ndryshojë emrat në fushë, me Lushkjën që pritet nga minuta e parë.

“Është ndeshja e dytë dhe ka një informacion më të detajuar. Pas të parës kërkojmë që të përmirësohemi dhe kërkojmë të bëjmë më mirë. Duhet të jemi vigjilent e të kujdesshëm pasi është një ndeshje që me rezultatin e parë është e hapur dhe 50 me 50.

Formacioni? Ndeshja e parë me të dytën kanë lidhje me njëra-tjetrën. Unë jam i kënaqur me kontigjentin. Pak rëndësi ka kush e nis nga fillimi dhe nga stoli. Në ndeshjen e parë rezultoi që lojtarët e stolit u futën mirë në fushë, me objektivin e duhur për të ndryshuar ndeshjen. Kur të futen nga stoli duhet të jenë të zotë të bëjnë mirë. Duke patur një grup të plotë nuk ka rëndësi kush e fillon, por të japim më të mirën e mundshme”, tha fillimisht Shehi.

Më pas trajneri foli edhe për gjendjen e lojtarëve, teksa Kaina është gati pas dëmtimit dhe Lushkja mund ta nisë nga minuta e parë.

Gjendja është e mirë, na është bashkuar Kaina pasi mungonte. Grupi është i plotë. Lushkja është lojtar i rëndësishëm. Ndeshjen e parë e nisi nga stoli dhe shënoi, nesër mund ta nisë nga fillimi”, vijoi trajneri.

Shehi tha se moto e tyre është të futen të barabartë në fushë dhe të shfrytëzojnë rastet.

“Pas një ndeshje me dy takime që mund të zgjasi më shumë se 180 minuta, të dy skuadrat kanë shanse të njejta. Ne do të luajmë shanset tona duke qenë të vetëdijshëm që jemi në klubin më të titulluar në Shqipëri. Moto e jonë është të futemi në fushë si të barabartë me kundërshtarin. Fiton ai që shfrytëzon rastet më mirë”, tha Shehi.