Shqipëria do të luajë në Poloni ndeshjen e parë të kualifikueseve të Botërorit për muajin shtator më datë 2, mirëpo ende nuk dihet lista me lojtarët e grumbulluar nga trajneri Reja. Është tashmë e zakontë që të ketë vonesë dhe kuqezinjtë ta publikojnë të fundit përbërjen e thirrur nga trajneri për sfidat e radhës.
Edhe këtë herë, Shqipëria do të publikojë në fundjavë, mes së shtunës dhe së dielës emrat që trajneri ka thirrur për t’i pasur të gatshëm për takimet me Poloninë, Hungarinë dhe San Marinon. Trajneri Edi Reja nuk do të ketë konferencë zyrtare përpara këtij grumbullimi, siç ka ndodhur gjithmonë, pasi për shkak edhe të kushteve të pandemisë, ai nuk do të vijë në vendin tonë.
Për trajnerin këtë herë nuk ka më justifikime. Shqipëria vjen në këtë grumbullim me lojtarët që kanë treguar së fundmi një formë të shkëlqyer. Krahas mbrojtjes që deri më tani ka qenë ndër pikat më të forta, me Cikalleshin, Manajn, Brojën, Uzunin, Muçin e Vrionin, kuqezinjtë kanë edhe një “thes” me gola në përbërje. Kjo bën që edhe për trajnerin Reja presioni të jetë më i madh dhe për të apo për stafin të shërbejnë këto ndeshje si një test, ku do të dalin në pah zgjedhjet dhe manovrat që do të aplikojnë me kuqezinjtë.
Panorama Sport.al