Pavarësisht gjallërimit të ekonomisë në fund të vitit 2016, dhe tremujorin e parë të vitit 2017, ku rritja ekonomike ishte përkatësisht 4.13% dhe 3.94%, më të lartat e 7 viteve të fundit, konsumi i popullatës nuk ka ecur me të njëjtat ritme, duke reflektuar zgjerimin e ekonomisë nga projektet e mëdha, pa ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e shumëkujt.
Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2017, konsumi final i popullatës shënoi një rritje vjetore prej 1.94%, më i ulëti që prej fillimit të vitit 2016.
Periudha janar-mars përkoi me fillimin e krizës politike, ku bizneset raportuan një frenim të blerjeve, por edhe një rënie të shitjeve. Vetëm në maj e qershor, kur ngërçi politik u zgjidh, bizneset kanë raportuar një çlirim të konsumit dhe kthim të individëve.
Në kahun tjetër, rritja e fortë ekonomike në muajt e parë të vitit, sipas INSTAT ka ardhur kryesisht nga sektori i ndërtimit, i ndihmuar nga dy faktorë, punët publike që u përshpejtuan në prag të zgjedhjeve dhe ndërtimet për gazsjellësin TAP. Si punët publike, ashtu edhe TAP nuk kanë efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e konsumit, siç do të kishte, nëse rritja do të kishte ardhur psh nga investime më direkte në ekonomi, të orientuara nga rritja e punësimit dhe produktivitetit. Institucionet ndërkombëtare kanë paralajmëruar se Shqipëria duhet të mendojë të diversifikojë burimet e rritjes. Komisioni Europian ka tërhequr vëmendjen për nevojën e diversifikimit të investimeve të huaja dhe burimeve të rritjes së Shqipërisë në raportin e zgjeruar të programit të reformave për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën për periudhën 2017-2019.
Sipas raportit, përfundimi i projekteve të mëdha dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen, nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do ta integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira në të gjithë ekonominë.
Rritja në tremujorin e parë
Më herët INSTAT raportoi se Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e parë të vitit 2017 vlerësohet me rritje prej 3,94 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2016.
Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët: Ndërtimi me +1.00 pikë përqindje, Tregti Hotele dhe Restorante dhe Transporti me +0,51 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +0,51 pikë përqindje, Industria, Energjia dhe Uji me +0,50 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe te Sigurimit me +0.37 pikë përqindje, Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi me +0,27 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,27 pikë përqindje, Pasuritë e paluajtshme me +0,03 pikë përqindje.
Nga viti 2015, Shqipëria rezulton se ka pasur rritje më të qëndrueshme, por që nuk po arrin të ndikojë në gjallërimin e konsumit. Pozitivisht këtë vit pritet të ndikojë rritja e dukshme e interesit të turistëve të huaj për të vizituar Shqipërinë dhe për të kaluar pushimet në bregdet e mal./Monitor/