Nga JULI NDRIKO /
Në të kaluarën, shqiptarët në Greqi kanë përjetuar sfida dhe pengesa për të ruajtur dhe kultivuar identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor. Sot, një sfidë tjetër është shtuar në këtë listë: polarizimi dhe censura e lirisë së fjalës brenda komunitetit shqiptar në Greqi.
Edhe pse bashkimi dhe dialogu janë vlera themelore, duket se shqiptarët në Greqi kanë ndarësitë mes tyre, duke censuruar, kritikuar dhe keqinterpretuar njëri-tjetrin. Situata është shqetësuese dhe shkakton dyshime se përse, në vend të bashkimit, shqiptarët në Greqi janë të ndarë sot më shumë se kurrë?
Emërimi i dy individëve pa meritokraci për të përfaqësuar shqiptarët e diasporës në Greqi ka thelluar këtë ndarje.
Nuk është e vështirë të vërehet shkaku dhe të mos bëhemi zë i fortë. Ky proces shoqërohet me premtime të larta dhe të paarsyeshme që kanë rënduar mbi integritetin e komunitetit shqiptar.
Censurimi i lirisë së fjalës në platformat sociale, si Facebook, dhe mesazhet e kërcënuese që dërgohen janë vetëm disa prej shenjave të kësaj situate, duke i bërë shqiptarët të vështirë të shprehin mendimet e tyre pa frikë nga censura ose keqinterpretimi. Në disa raste, individët e emëruar të diasporës shqiptare dhe miqtë e tyre kanë vepruar dhe shprehur veten në mënyrë jo etike, duke përdorur një gjuhë të papërshtatshme. Madje, vetë persona i emëruar kanë përdorur këtë gjuhë në disa komente dhe në një mesazh zanor, i cili tani ndodhet në arkivin tonë si provë.
Disa militantë të tjerë përdorin metoda joetike, duke bllokuar dialogun e hapur dhe të lirë ose duke krijuar profile të rreme për të penguar komunikimin.
Ky konflikt tregon një grup njerëzish të sëmurë që janë të përkushtuar për të shkatërruar imazhin e shqiptarëve në Greqi. Është një fenomen shqetësues që kërkon një përgjigje të përgjegjshme dhe të sofistikuar.
Të gjithë aktorët e përfshirë në këtë situatë të ndyrë duhet të marrin përgjegjësi për vendimin dhe sjelljen e tyre. Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe zonjën Artemis Malo, duhet të respektojnë standardet e meritokracisë dhe të mos lejojnë ndikimet klienteliste.
Ndërgjegjësimi rreth vlerave të integritetit dhe meritokracisë janë të nevojshme për të promovuar drejtësinë dhe barazinë në komunitetin tonë.
Në këtë periudhë të vështirë , është e rëndësishme të inkurajojmë një resurse shumë të shenjtë: të rinjtë shqiptarë që janë të studiuar në universitetet më të mira dhe që kanë energji, njohuri dhe dëshirë për të kontribuar në zhvillimin dhe përfaqësimin e shqiptarëve të diasporës në Greqi .
Ka ardhur koha që të hapim rrugën dhe t’i japim mundësinë të rinjve për të na prezantuar denjësisht.
Vizioni dhe njohuritë e të rinjve do të krijojnë një dinamikë të re dhe do të sjellin inovacione që do të bëjnë diferencën.
Le të krijojmë hapsirë dhe le të bëjmë hapin e parë për t’u bashkuar me të rinjtë shqiptarë, duke i ndihmuar ata të shprehen, të kenë ndikim në jetën politike dhe shoqërore .
Në fund të fundit, të rinjtë janë burimi ynë më i çmuar, dhe e ardhmja u përket atyre .
Tribuna news