Një tërmet me magnitudë 6.4 goditi ishullin indonezian Java të premten mbrëma, duke plagosur të paktën 10 persona dhe një tjetër vdiq nga një atak i mundshëm në zemër gjatë tërmetit, thanë shërbimet e urgjencës të vendit (BNPB).
Tërmeti shkaktoi dëme të vogla materiale në qindra shtëpi, zyra, shkolla dhe objekte shëndetësore në provincat Yogyakarta dhe Java Qendrore, tha zëdhënësi i BNPB, Abdul Muhari.
Agjencia gjeofizike e Indonezisë (BMKG) tha se tërmeti, i cili kishte një thellësi fokale prej 25 kilometrash, u ndje në disa qytete në provincën Yogyakarta si dhe në Java lindore dhe qendrore, ishulli më i populluar i Indonezisë.
Nuk u dha asnjë paralajmërim për cunami.
Indonezia, në Azinë Juglindore, ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e zjarrit e Paqësorit”, një zonë veçanërisht sizmike.