Një vrasje e paralajmëruar që nuk duhej të ndodhte

Opinion

Nga Azem Parllaku /

Sot para derës së zyrës së partisë së tij në Mitrovicën Veriore, u vra lideri serb i SDP-së, Oliver Ivanoviq. Provë materiale mbi këtë vrasje organet e drejtësisë deri tani e kanë vetëm veturën e djegur, e cila është gjetur jo larg vendngjarjes. Përderisa kanë shpërthyer konspiracionet se kush mund ta ketë vrarë Ivanoviqin, i cili ishte i dënuar me 9 vjet burg për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë, dihet se ai nuk ishte i dëshiruar as për Qeverinë e Serbisë. Madje, Qeveria e Serbisë bënte thirrje në zgjedhjet e vitit 2017  që të mos votohet Ivanoviqi, duke thënë se vota për të do të thotë votë kundër lidhjes organike të shtetit serb me serbët e Kosovës. “Nëse e votoni Oliver Ivanoviqin, votoni për shkatërrimin e unitetit të Serbisë në Kosovë, dhe qartësisht, votoni kundër lidhjes organike të shtetit serb me serbët e provincës”, thoshte deklarata e Qeverisë së Serbisë. Ivanoviq cilësohej si një ndër politikanët e moderuar serbë, për shkak të afinitetit të tij bashkëpunues me ndërkombëtarët, përkundër se ai ishte dënuar për krime lufte.

Lideri i vrarë i SDP-së Oliver Ivanoviq, muaj më parë, kishte deklaruar se gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës nuk është e mirë, dhe për këtë kishte thënë se “Friks e qytetarëve për këtë gjendje vjen nga serbët e jo nga shqiptarët”. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se atentati ndaj Oliver Ivanoviqit në veri të Kosovës është akt terrorist. “Kushdo që është vrasës, ai nuk është serb, edhe në qoftë se ka emër serb” ka thënë Vuçiq. Siç dhe shihet Beogradi zyrtar do të tentojë që këtë rast t’a përdorë si skemë politike të ndërtuar mbi arsyetimin se serbët e Kosovës janë të rrezikuar. Duke e ekspozuar potencialisht të rrezikuar komunitetin serb në Kosovë, thirrjet nga Beogradi, mund të jenë sinjali, që vetë Serbia, të aktivizojë strukturat të cilat do të kryejnë vrasje të tjera në Kosovë. Rekrutë të këtyre lloj strukturash ka gjasë të jenë nënshtetas serb, shqiptarë të Kosovës, pse jo edhe vrasës me pasaportë ruse.

Situata që eventualisht mund të krijohet pas këtyre vrasjeve të porositura nga Beogradi, synon që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe Bashkimi Europian, të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, ndaj strukturave të sigurisë dhe ndaj marrëveshjeve të Brukselit. Më tej, do të shfaqej pretendimi për të shpallur si të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme formulimet në Marrëveshjen për Asociacionin, e së këndejmi të përkrahej, ose së paku të mos pengohej krijimi i njëanshëm i një “Republika Srpska” në Kosovë.

Disa vrasje me porosi menjëherë, do të ndezin protestat e vazhdueshme, nëpërmjet të cilave serbët do të ankohen se po vriten e dhunohen nga shqiptarët, e kështu Beogradi do t’i mëshonte fort “viktimizimit” të komunitetit serb në Kosovë. Nëpërmjet kësaj ideje, do të kërkohej rifuqizimi i UNMIK-ut, mbasi shtetit të Kosovës i ka dalë situata jashtë kontrollit. Që shqiptarët do t’a kundërshtojnë me çdo mënyrë një akt të tillë, kjo është e padiskutueshme. Një ndërhyrje me forcë për t’a penguar krijimin e një “Republika Srpska”, do të bënte që, Serbia të kundërpërgjigjej me pretekstin për të mbrojtur serbët nga “terroristët” shqiptarë. Ç’ka do të thotë që nga kazermat ushtarake të Beogradit të nisej autokolona militare e motorizuar.

Detyrimisht për të shmangur një situatë të tillë autoritetet shqiptare duhet të kërkojnë fort mbështetjen nga ana e faktorit ndërkombëtar, i cili nuk duhet të lejojë që, plani serbo-rus të implementohet në Ballkan. Në këtë kontekst, në botën e sotme garanci e madhe për shtetet e vogla siç është Kosova, përbën vetëm NATO, e cila si një fuqi e padiskutueshme, garanton jo vetëm sigurinë e këtyre shteteve, por dhe stabilitet dhe zhvillim demokratik kundër regjimeve dhe individëve që, duan t’u kundërvihen tendencave historike për emancipimin e pandërprerë demokratik të shoqërisë njerëzore. Problemet e sigurisë përbëjnë një fakt që, është i përbashkët si për shtetet e vogla, ashtu edhe ato të mëdha.

Për këto të fundit ky program nuk është vënë në dyshim që prej qindra vjetësh, ndërsa mbijetesa e shteteve të vogla vazhdon të zgjidhet në rradhë të parë nga vetë këto shtete. Është koha që qytetarët e të të gjitha komuniteteve në veri të Mitrovicës të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për ndriçimin sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje. Ndërkohë duhet që organet përkatëse të Kosovës të bëjnë përpjekje maksimale që sa më shpejt të ndriçohen rrethanat e ndodhjes së kësaj vrasje, të shihet qartë kush janë vrasësit, kush janë porositësit dhe çfarë ata synojnë.