Pas afro një ore, ka përfunduar takimi i ambasadorit të OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt, me kryeministrin Edi Rama.
Takimi i mbajtur në selinë e Partisë Socialiste zgjati për afro një orë. Në përfundim të takimit, rreth orës 10:15, njëri prej zyrtarëve të OSBE-së që shoqëronin ambasadorin, deklaroi se kanë diskutuar vetëm mbi zgjedhjet dhe se çfarë do të bëhet në të ardhmen, pa bërë asnjë koment për çështje të tjera.
Pas takimit, Rama i është drejtuar kryeministrisë.
(09:44) Një orë para takimit me zyrtarin amerikan, ambasadori i OSBE-së në zyrën e Ramës
Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt ka shkuar paraditen e sotme në selinë e Partisë Socialiste, ku po mban një takim me kryeministrin Edi Rama.
Takimi mes tyre vjen në një ditë kur janë angazhuar për zgjidhjen e krizës politike ndërmjet mazhorancës dhe opozitës.
Sot zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee vjen në Tiranë dhe në orën 10:30 pritet të takojë kreun e qeverisë Rama.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Shqipëri shihet si përpjekja e fundit për zgjidhjen e krizës politike në vend.