Plagë që pikojnë

Kulture Letersi

Nuk ikën nga ti, dheu im
ata të skamurt, të lodhurit,
dhimbjet i mbërthyen me gozhdë,
mbi shpinën e kërrusur.

Shpresa e gënjeshtërt deri në eshtra u shkoi.
Po nuk ikën në arrti të gurëve,
të baltës, të rrëzimit, të humbjeve.
Duart lidhur fort

Me besën e numërimit të kafshatës,
copës së bukës racion,
sajuar një mal i vocërr sheqeri
tretur kotheres si borë.

I luten Tejetlartit me duart e rreshkura
t’i ndihmojë.
Fytyra e pëllëmbëve zgjatur
deri në fund të së paprekshmes.

Qielli ngopur nga gjunjëzimi i lutjeve,
hapat e varfërisë mbetur gjurmë e baltës së regjur,
shkelur nga copa hallesh ndër udhë,
plagë baltosur e rrokullisur në hone.

Po besnikët e varfërisë nuk ikën
e skamja me sytë e uritur bërtet në heshtje:
U bëftë ky vend,
por…, mos pastë fytyrën time!