Berlin – Vetëm disa orë pasi në Parlamentin grek, ministri plotësues i Financave, Dimitris Mardas ka deklaruar se përllogaritja përfundimtare e dëmshpërblimeve për krimet e nazistëve në Luftën e Dytë Botërore, që Gjermania i detyrohet Greqisë është 279 mld euro, reagime të ashpra kanë mbërritur nga pala gjermane, në fillim nëpërmjet ministrit bavarez të Financave Markous Soeder. Sipas tij, çeshtja e reparacioneve të luftës nuk duhet të shfrytëzohet nga Greqia për të mbuluar defiçitet e saj buxhetore të krijuara ndër vite dhe se kjo çështje për Berlinin është e mbyllur, si ligjerisht ashtu edhe financiarisht.
“Në përgjithësi, kjo është një çështje shumë e ndjeshme, e cila duhet të trajtohet me shumë kujdes. Por një gjë është e qartë: kjo çështje nuk duhet të shfrytëzohet për të shpjeguar krijimin e defiçiteve të mundshme buxhetore në Greqi. Gjithashtu, ajo vjen në mënyrë të papërshtatshme dhe është, sipas meje, tërësisht e gabuar si strategji. Qeveria gjermane ka thënë se e sheh çështjen si të mbyllur. Unë e mbështes këtë qëndrim dhe kjo nuk është një strategji shumë e zgjuar nga Greqia, për të shpallur pretendimet per reparacionet, kur aktualisht kërkon parà nga e gjithë Eurozona”, tha Markus Soeder, ministër i Financave i Bavarisë. Fushata për të kërkuar dëmshpërblimet e luftës nga Gjermania ka marrë hov vitet e fundit, por për herë të parë është shtruar zyrtarisht pas 70 vjetësh, nga kryeministri grek Aleksis Tsipras, në vizitën e tij në Gjermani dhe në takimin me Kancelaren Merkel muajin e kaluar.
Zyra e Përgjithshme e Kontabilitetit, dy ditë më parë ka përllogaritur saktësisht elementët që përbëjnë të ashtuquajturat detyrime të Gjermanisë ndaj Greqisë në 287.7 mld euro. Nga këto 10,3 mld lidhen me kredinë e pushtimit gjerman, që është marrë me forcë nga Gjermania kur ka pushtuar Greqinë, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me kompensimin për viktimat e tmerreve naziste dhe për më shumë se 50% të infrastrukturës dhe 75% të industrisë së shkatërruar. Gjermania këmbëngul se çështja është “e mbyllur” ligjërisht dhe politikisht nga viti 1990, duke theksuar se ka shlyer çdo detyrim me një marrëveshje prej 115 milionë markash gjermane në 1960-n. Pasditen e së martës, zv.kancelari gjerman Zigmar Gabriel i ka quajtur pretendimet greke një marrëzi. Sipas rrjetit amerikan CNBC, kjo lëvizje e re politike dhe agresive e Greqisë, në këtë moment arrin të ngrijë edhe më tepër marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërsa Athina përpiqet të rifitojë besimin e kreditorëve dhe sidomos të Berlinit, që është edhe huadhënësi kryesor i saj.
Burimi :Top Channel