Puçi institucional i Ivanovit, nxitje e suksesit për shqiptarët!

1031

Dr. Sulejman ABAZI  /  Loja e Nikolla Gruevskit për ta çuar vendin në zgjedhje të tjera, është një manovër politike e radhës, e cila i ka krijuar bindjen se ai mund t’i fitojë ato. Në këtë lojë të rrezikëshme është përfshirë edhe presidenti. Nga ngjarja e fundit e qëndrimit të presedentit të Maqedonisë, Ivanov, mund të kuptojmë së kokëfortësia e tij për të mos u tërhequr nga vendimi i mosmandatimit të Zoran Zajev, mund ta çojë Maqedoninë në një krizë më të thellë politike dhe atë si president në dorëheqje. Qëndrimi i funksionarëve të lartë të SHBA-ve dhe të BE-së në këtë rast është i qartë dhe i prerë: Ivanovi duhet të tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe të mandatojë qeverinë.

Zgjedhjet e reja të mundëshme do të jenë shumë të avancuara. Shqiptarët në këtë situatë mund të bëhen bashkë në koalicion me LSDM, duke garantuar marrjen e më shumë votave dhe deri në 30 mandate. Jemi të bindur se pjesa e mosparaqitur në zgjedhje, këtë herë do të jetë aktive dhe do të jap rezultatin e pritur. Nga përvoja do të përsëritet “fenomeni Kërçova dhe Struga”, në komunat e të cilave sot valëvitet flamuri shqiptar. Agresiviteti i indiferentëve do të dalë përsëri në skenë.

Kemi anatemuar shumë rolin e Ali Ahmetit në këtë situatë, por kemi krijuar dhe bindjen se ai nuk ka vepruar në kokë të vet në pozicionin e tij politik në zhvillimet e fundit në Maqedoni. Këtë e shikojmë edhe nga mbështetja e faktorit ndërkombëtar për të vënë në veprim mandatin e LSDM-së dhe koalicionit shqiptar. Bashkëveprimi midis këtyre dy forcave politike që përbëjnë shumicën e nevojëshme në Parlamerntin e ri, nuk mund të jetë dhe të vlerësohet si lojë konspirative, ku dopio roli i Ali Ahmetit të funksionojë.

Ky vlerësim është i gabuar, pasi sot me vendimin absurd të Ivanovit, politika shqiptare ka fituar edhe një betejë tjetër në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptare dhe të interesave kombëtare. Përkundrazi, roli i koalicionit të partive shqiptare dhe veçanërisht i BDI-së, nga negociatat e para me VMRO-DPMNE, i cili dështoi për shkak të “Platformës Shqiptare”, e deri tek pranimi i koalicionit më LSDM-në në pranim të kësaj “Platforme”, mund të themi se loja e Ali Ahmetit ka qenë pikërisht me Gruevskin dhe kundër tij, i cili në këtë situatë po shfaq hapur qëndrimin e tij ekstrem antishqiptar. Kjo “lojë” politike e koalicionit shqiptar e detyroi Nikolla Gruevskin të shpërthejë më një urrejtje ekstreme ndaj shqiptarëve, duke ngritur në protesta të dhunëshme përkrahësit e tij.

Le të dorëhiqet “i trimëruari” i Shkupit me emrin Ivanov.

Kjo nuk është ndonjë çudi, përkundrazi, është bumerangu që ai po i rezervon postit dhe autoritetit të tij kushtetues, si një bashkëpunëtor i ngushtë i Nikolla Gruevskit dhe i qarqeve ekstremiste ultranacionaliste e raciste brenda VMRO-DPMNE-së.

Situata në anën e shqiptarëve na sjell një veçori karakteristike, që na ka shoqëruar në historinë tonë. Historikisht kundër armiqve tanë, i kërkojmë fitoret tona me inat dhe ia kemi arritur të mbijetojmë. Ka shumë ngjarje që na bëjnë jo vetëm ta besojmë këtë, por të kuptojmë se edhe këtë herë, kështu do të ndodh. Jemi përballë një situate që ka sjellë bashkërendimin e subjekteve politike shqiptare. Në natyrën tonë pak gjëra angazhohemi t’i marrim seriozisht, por këtë herë çështja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe dhe të disa kërkesave të tjera që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, tregojnë se janë marrë shumë seriozisht.

Është kjo arësyeja e lajthitjes politike të Ivanovit dhe të Gruevskit. Në këtë situatë, është krijuar bindja që, për shumë arësye të ngjarjeve të pas 2001-it, e drejta është dhe duhet të jetë në anën tonë. Ivanov këtë herë ka nxitur inatin e shqiptarëve, me të njejtin gabim që bëri Nikolla Gruevski në rastin e zgjedhjeve në Kërçovë dhe në Strugë. Gabimi i Ivanovit në kuptimin pragmatist, është nxitje e suksesit për shqiptarët, pasi ai dhe Gruevski kanë treguar hapur krizën e rëndë të brendëshme, që ka mbërthyer politikën maqedone të krahut ultranacionalist agresiv.

Për fatin e shqiptarëve, përballë këtyre politikanëve të sëmurë dhe turmave të dhunëshme që dalin në protesta me parrulla raciste, është pjesa tjetër e popullsisë maqedone, që nuk mendon kështu. Ata përbëjnë mbi 40 për qind të elektoratit dhe të mbështetësve politik. Kjo popullsi nuk mund t’i bashkohet kësaj turme nacionaliste, pasi ata me qetësi presin marrjen e mandatit qeverisës.

Deklaratat e Tiranës zyrtare për zhvillimin e situatës në Maqedoni dhe akuzat që burojnë nga Ivanov kundër saj, janë një mesazh shumë i qartë politikisht, pasi kjo sjellje politike e presidentit Ivanov po e çon Maqedninë në shkatërrim, në ndarje, në destabilizim të plotë, ku përgjegjësitë do të bien mbi të. Shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre dhe pa rolin dhe respektimin e vullnetit të tyre, Maqedonia nuk ka të ardhme. Fakti që territori i shtetit të Maqedonisë është i konfiguruar me shpërndarje popullsie kompakte, veçanërisht në maqedonas dhe shqiptarë, dashur pa dashur me qëndrimin e Ivanovit ka sjellë një “kantonizim”, që çon në ndarjen e saj. Frika e Ivanovit dhe Gruevskit është pikërisht kjo ndarje, e cila në aspektin demografik dhe të shumicës zgjedhore, e çon VMRO-DPMNE përfundimisht në opozitë dhe i hap rrugën Maqedonisë drejt popujve shtetformues, me synimin drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE.

Grushti i shtetit dhe puçi institucional i Ivanovit po e çon situatën në protesta të dhunëshme prej përkrahësve të VMRO-DPMNE, por të mos harrojmë se radha u vjen edhe përkrahësve të koalicionit që prêt të marrë drejtimin e shtetit. 

Në mes të kësaj përplasje politike dhe institucionale, lundrojnë në mënyrë të çuditëshme ithtarët “e ndarjes” së Maqedonisë, të cilët tërhiqen nga interesa utilitare dhe jo nga vizioni strategjik i të ardhmes së Maqedonisë.

Edhe nëse do të mundësohet ndarja e Maqednisë (sepse mund të vijë situate që të mos ketë opsion tjetër politik), atëherë pjesa shqiptare (që shumëkush e quan Iliridë), nuk do t’i bashkëngjitet Shqipërisë, por shtetit të Kosovës, kundër dëshirës që ekziston sot në popullsinë shqiptare në Maqedoni, për bashkim me Shqipërinë. “Ndarja” e Maqedonisë është vazhdim i procesit të shpërbërjes së Ish Jugosllavisë dhe faktori vendimarrës ndërkombëtar për Ballkanin, nuk mund të pranojë ndryshimin e kufijve me Republikën e Shqipërisë. Po të ishte aq e lëhtë, ishte bërë heqja e kufirit kohë më parë edhe midis Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës. Trajtimi vetëm politikisht i problemit nga ithtarët “e ndarjes”, duket sikur konfiguron mendimin se, Shqipëria nuk i do shqiptarët në Maqedoni. Kjo është një sajesë antishqiptare dhe i kundërvihet qëllimit strategjik, i cili nuk është çështje dëshirash nga shqiptarë emocionalë, por një problem i shtruar për zgjidhje, në kohë dhe në hapësirë.

Shqiptarët nuk mund të gabojnë më dhe betejat me rrymat nacionaliste antishqiptare,  duhet të fitohen radhazi, një e nga një.  Qe ta fitojmë hapësirën shqiptare për të qenë të gjithë bashkë, jemi të detyruar politikisht të ndjekim rregullat e lojës. Emocionet dhe patriotizmi romantik këtu nuk kanë vend. Të mos harrojmë se, jemi në një proces të zhvillimit kombëtar, ku kërkohet një Shqipëri e fortë dhe e stabilizuar, kërkohet shtetndërtimi në Kosovë, kërkohet institucionalizimi i çështjes shqiptare brenda Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, e cila na imponon klimën e favorëshme për të folur politikisht me një gjuhë.

Kritizerët ndaj qëndrimeve institucionale të politikës së përfaqësuar shqiptare, të bashkëveprimit dhe mbështetjes reciproke në trekëndëshin politik Tiranë – Prishtinë – Shkup, nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse propogandojnë elementët regresivë të mllefit dhe urrejtjes që buron nga Lindja, të cilët nuk kanë dashur dhe nuk do të duan të shikojnë dhe të pranojnë progresin pozitiv, që ka filluar të funksionojë brenda hapësirës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

                                                                                                                                                                                          




Këtë e pëlqejnë %d blogues: